Gjatë presidencës aktuale të Joe Biden, agjencitë amerikane të inteligjencës kanë bërë publike informacione, të cilat në të kaluarën do të diskutoheshin si rregull vetëm në kabllograme tejet të klasifikuara apo takime private jashtë veshëve dhe syve të publikut apo edhe të medias...
Keqinformimi si një mjet i luftës hibride ndaj kundërshtarit forcohet dhe zgjerohet aty ku është e pamundur të verifikohet. Kur vërtetohet një fakt, shpërndahet si një dokument përmes kanaleve zyrtare. Një mesazh ri-publikohet nga llogaritë reale të rrjeteve sociale, dhe atëherë është e pamundur të thuhet se ky fakt është një dezinformim.
Kështu ndodhi edhe me paralajmërimin e bërë më 8 mars (pra para sulmit terrorist) nga Shtetet e Bashkuara mbi një sulm të afërt në një sallë koncertesh në Moskë. Tani mund të themi se ishte një fakt i vërtetë. Megjithatë paralajmërimi i ambasadës amerikane kaloi pa u vënë re nga shumica, i fshehur në mesin e një cikli intensiv lajmesh.
Gjithsesi, disa agjenci lajmesh e raportuan atë më 8 mars dhe në këtë mënyra e mora vesh edhe unë. Sigurisht, e pranoj se u mahnita nga specifika e detajeve që jepte ai paralajmërim, duke përfshirë edhe vendndodhjen e sulmit të supozuar: “Ambasada po monitoron raportet se ekstremistët kanë plane të afërta për të shënjestruar tubime të mëdha publike në Moskë, duke përfshirë koncertet. Prandaj qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet në 48 orët e ardhshme”.
Deklarata nuk thoshte se në shënjestër janë amerikanët, por se ata duhet të shmangnin tubimet e mëdha, përfshirë koncertet në Moskë. Ajo që për një sy të pa stërvitur mund të dukej si çdo lloj paralajmërim i mëhershëm, ishte në fakt informacion i besueshëm i inteligjencës.
Ishte pikërisht lloji i paralajmërimit që Shtetet e Bashkuara e bëjnë vetëm pasi të kenë shtënë në dorë prova të pakundërshtueshme se “ekstremistët” janë në lëvizje. Sipas Amerikës sulmi do të ndodhte brenda 48 orëve. Në realitet ndodhi dy javë më vonë.
As amerikanët dhe as rusët, nuk kanë shpjeguar ditët e fundit se kush dinte çfarë. Por një kërcënim terrorist ndaj popullsisë civile, është në përgjithësi lloji i informacionit që diskutohet në detaje midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë.
Presidenti rus Vladimir Putin ishte në dijeni të paralajmërimit, pasi ai e kishte komentuar atë vetëm 3 ditë para sulmit, duke e quajtur atë një përpjekje të amerikanëve për të shantazhuar rusët si dhe një provokim. Në fakt paralajmërimi është pjesë e një tendence shumë të qartë: prej muajsh Shtetet e Bashkuara kanë bërë publik informacionin e mbledhur nga shërbimet e tyre sekrete mbi Rusinë dhe Putinin.
Gjatë presidencës aktuale të Joe Biden, agjencitë amerikane të inteligjencës kanë bërë publike informacione, të cilat në të kaluarën do të diskutoheshin si rregull vetëm në kabllograme tejet të klasifikuara apo takime private jashtë veshëve dhe syve të publikut apo edhe të medias.
Shtetet e Bashkuara e publikuan pjesën më të madhe të informacionit që kishin për përgatitjen e trupave ruse dhe mbi planet e tyre për të pushtuar Ukrainën. Po ashtu ato publikuan vlerësime të agjencive të tyre të inteligjencës mbi kërcënimin që paraqiste për Kremlinin Yevgeni Prigozhin, themeluesi i Wagner-it, që pak muaj më vonë humbi jetën në një aksident ajror ende misterioz.
Por bëri publik edhe të dhënat mbi atë që po përgatitej të bënte vetë Prigozhin, dhe që të gjitha disa javë para përpjekjes së këtij të fundit për një grusht shteti, që u braktis në mes. Dhe e bëri këtë ndoshta duke e ditur se Putin do ta përdorte sulmin, kur të ndodhte, për ta fajësuar Ukrainën, siç edhe ndodhi në të vërtetë.
Dhe siç po ndodh përsëri: Vladimir Putin dhe mbështetësit e tij po përpiqen në çdo mënyrë që të përfshijnë Ukrainën në narrativën e sulmit në Moskë, ndoshta për të fshehur disi atë që do të jetë sigurisht një vendim jopopullor, pra për të rekrutuar më shumë të rinj për t'i dërguar të luftojnë në Ukrainë për ofensivën e pranverës.
Ndoshta ideja që fshihet pas paralajmërimit publik të ambasadës amerikane në Moskë mbi shmangien e sallave të koncerteve, ishte se nëse informacioni nuk bëhej publik, Putin do ta kishte akoma më të lehtë që të fajësonte Ukrainën, pavarësisht se lufta nuk ka asnjë lidhje me sulmin.
Dhe kështu ndodhi: pavarësisht paralajmërimit, pavarësisht faktit se paralajmërimi ishte zyrtar dhe ishte bërë publik, makineria ruse e dezinformimit veproi me shpejtësi për të minimizuar paralajmërimin e SHBA-së dhe për ta drejtuar gishtin e fajit nga Ukraina.
Se çfarë pasoje do të ketë kjo, është e vështirë të thuhet nga larg.
Megjithatë, shumë rusë janë të vetëdijshëm se sulmuesit ishin pjesë e një grupi terrorist që synonte të godiste vendin e tyre nga brenda. Pra nuk ishte një vend i huaj që e goditi Rusinë në kufi./Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje