Bin Salman ka grumbulluar një masë të madhe petro-dollarësh, një shumë midis 400-700 miliardë dollarësh, në Fondin e Investimeve Publike. Përmes këtij fondi ai ka nisur të kryejë investime të mëdha në energjinë e rinovueshme, transport, fabrika të automatizuara, shoqëri dixhitale, turizëm dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor...
Deri para 10-15 vjetësh, vendet e Gjirit Persik cilësoheshin me cinizëm si “pikat globale të karburantit”. Mbretëritë e qeverisura nga emirët dhe sheikët bënin biznes me Perëndimin thuajse vetëm për naftën. Despotët atje ishin të vëmendshëm ndaj ekuilibrave rajonalë, por mbeteshin në thelb indiferentë ndaj politikave kryesore ndërkombëtare.
Sot Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari janë në qendër të lojërave gjeopolitike më të rëndësishme. Por njëherazi, ato vazhdojnë të jenë monarki dinastike, që u mohojnë qytetarëve të drejtën e votës dhe të shprehjes së lirë; apo mundësinë e krijimit të partive apo sindikatave.
Në këto tre vende zbatohet Sheriati, ligji me origjinë islame, edhe pse me nuanca të ndryshme. Gratë e pamartuara janë në varësinë e një “kujdestari” mashkull, i cili duhet të merret me to deri në martesë. Gruaja duhet t’i bindet burrit të saj dhe nuk mund të kërkojë divorc. Për më tepër, parashikohen dënime të rënda për homoseksualët, përfshirë atë me vdekje, megjithëse kjo nuk është zbatuar vitet e fundit.
Në Arabinë Saudite, lejohet prerja e kokës me shpatë për krimet që kërkojnë dënimin me vdekje. Vitin e kaluar pati 170 ekzekutime me vdekje, krahasuar me 147 në vitin 2022. Më 24 janar të këtij viti, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut publikoi një raport që përmban 354 rekomandime që duhet të zbatojë regjimi në Riad për të garantuar të drejtat politike dhe civile të gjithë popullsisë.
Sipas shërbimeve sekrete amerikane, princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman Al Saud, ishte nxitësi i vrasjes së paramenduar të Jamal Khashoggi, një gazetar disident dhe opinionist i Washington Post. Ai u vra dhe trupi i tij u shkri në acid në ambientet e konsullatës saudite në Stamboll më 2 tetor 2018.
Nga ana tjetër, amerikanët dyshojnë prej vitesh se Arabia Saudite ishte ndër financueset kryesore të terrorizmit islamik. Por raportet e fundit nga Departamenti i Shtetit, të publikuara në vitin 2022, nënvizojnë se si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë filluar të bashkëpunojnë me organet ndërkombëtare për të bllokuar financimin e grupeve fundamentaliste. Pra të shkuara të harruara. Me sa duket, as SHBA-ja nuk mund të bëjë dot pa qendrën e re gjeopolitike dhe ekonomike të Arabisë Saudite. E njëjta gjë vlen edhe për Katarin, vend që vazhdon të financojë Vëllazërinë Myslimane, terroristët e Hamasit dhe një mori grupesh të kryesuara nga Irani.
Pika e kthesës mund të gjurmohet në fillim të viteve 2000, kur në pushtet u ngjit një brez i ri. Një nga figurat kryesore është Princi i Kurorës Saudite, 38-vjeçari Mohammad bin Salman Al Saud. Gati në të njëjtën kohë, në Emiratet e Bashkuara mori pushtetin 62-vjeçari Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Që të dy janë aleatë të ngushtë në politikën e jashtme, por edhe rivalë se kush ka epërsinë personale si një lider në rajon. Kundërshtari i tyre i përbashkët, ka qenë prej kohësh udhëheqësi i tretë i Gjirit Persik, 43-vjeçari nga Katari Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.
Gjatë viteve 2017-2021, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke vendosur madje edhe një embargo ekonomike. Arsyeja? Katari ka mbajtur gjithmonë marrëdhënie me elementët fundamentalistë të botës islame, të konsideruara si kërcënime destabilizuese nga dy të parët.
Por në 2021, edhe falë ndërmjetësimit amerikan, të treja vendet i rivendosën marrëdhëniet midis tyre. Aktualisht Katari ka në territorin e tij bazën më të madhe ushtarake amerikane në rajon.
Për Uashingtonin ishte urgjent rikthimi tek stabiliteti. Ndryshimi i ritmit ishte mbi të gjitha ekonomik. Trashëgimtarët e rinj i kanë shtuar diçka tjetër kulturës së të ardhurave të bazuara në naftë dhe gaz.
Për shembull, Bin Salman ka grumbulluar një masë të madhe petro-dollarësh, një shumë midis 400-700 miliardë dollarësh, në Fondin e Investimeve Publike. Përmes këtij fondi ai ka nisur të kryejë investime të mëdha në energjinë e rinovueshme, transport, fabrika të automatizuara, shoqëri dixhitale, turizëm dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor.
Burimet e mëdha financiare shërbejnë edhe si një nxitje për të tërhequr të paktën 3 trilionë dollarë nga jashtë, me përfshirjen e disa fondacioneve të mëdha amerikane. Edhe Emiratet po ndjekin një politikë të ngjashme dhe po bëjnë praktikisht biznes me të gjithë: Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë, Turqinë, Bashkimin Evropian (veçanërisht Francën dhe Italinë).
Së fundmi, ata rihapën kanalet tregtare me Iranin. Këtu përpjekjet në fushën e ekonomisë u shoqëruan me operacione të gjera të marketingut social dhe kulturor. Për shembull, Arabia Saudite ka rekrutuar yjet më të mëdhenj të futbollit botëror dhe sapo ka fituar të drejtën të organizojë ekspozitën botërore “Expo 2030”.
Katari arriti të organizojë Kupën e Botës 2022 në futboll, ndërsa Emiratet kanë ftuar trupën e famshme italiane të muzikës operistike, Teatro alla Scala, të japë disa koncerte në dhjetor dhe janar. Kështu pak e nga pak, Arabia Saudite, Emiratet dhe Katari janë shndërruar në një pikë referimi global.
Në Dubai u mbajt COP28, samiti mbi ndryshimet klimatike. Askush nuk pati asnjë kundërshtim, edhe pse Emiratet janë prodhuesi i gjashtë më i madh i naftës në botë. Paralelisht nisi normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin, me të ashtuquajturat “Marrëveshjet e Abrahamit”.
Shtetet e Bashkuara mbeten pika e referimit për sigurinë ushtarake të vendeve të Gjirit. Për shembull Arabia Saudite, i blen nga SHBA-ja 73 për qind të armëve. Kontratat aktuale arrijnë në 126.6 miliardë dollarë. Por kjo nuk e ndalon Princin bin Salman që të kultivojë marrëdhënie me të gjithë kundërshtarët e Uashingtonit. Kështu më 6 dhjetor 2023, trashëgimtari i fronit saudit e mirëpriti ngrohtësisht Putinin në Riad, duke injoruar urdhrin e arrestit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, për të diskutuar se si të ndryshojë strategjia e prodhimit të naftës për të shmangur rënien e fortë të çmimeve.
Një ditë më parë, Putin kishte folur për këtë edhe me presidentin e Emirateve Al Nahyan. Ndërkohë nga 1 janari i këtij viti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe i janë bashkuar BRICS, grupimit alternativ ndaj Perëndimit të përbërë nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut.
Përveç 2 vendeve të Gjirit, në këtë klub janë pranuar edhe Irani, Egjipti dhe Etiopia. Ata kanë plane ambicioze, ku më kryesori është krijimi i një monedhë të përbashkët që mund të minojë hegjemoninë financiare globale të dollarit. Në zhargonin diplomatik kjo lloj politike e jashtme quhet “multi-vektoriale”, ndërsa në zhargonin e zakonshëm quhet “oportunizëm pa kufij”./Përshtati Pamfleti nga “Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje