TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Shkurt 2024, 10:38

Efekti “Trump” tronditës, por mund ta aftësojë Evropën t’i dalë zot vetes

Shkruar nga Mark Leonard
Efekti “Trump” tronditës, por mund ta aftësojë
Trump, Merkel dhe kryeministri në largim i Hollandës Mark Rutte /

Askush nuk e përmblodhi më mirë Efektin Trump sesa kryeministri holandez (në largim) Mark Rutte, i cili iu lut evropianëve që të “ndalonin ankesat ndaj Donald Trump” dhe të fillojnë të përqendrohen tek veprimet e tyre...

Ashtu si në disa raste të tjera, figura qendrore në Konferencën e Sigurisë të Mynihut të këtij viti, ishte dikush që nuk ishte i pranishëm në samit. Këtë vit radha ishte e Donald Trump. Ashtu si shumica e pjesëmarrësve në këtë “Davos” të fushës së mbrojtjes”, unë shpresoj që kandidati i mundshëm i republikanëve të mbetet përgjithmonë një ish-president.

Kjo jo vetëm për shkak të simpatisë që kam për miqtë e mi amerikanë, të cilët e shohin atë si një rrezik për të ardhmen e republikës së tyre. Por edhe sepse kam frikë mbi atë që mund t’i shkaktonte ai rendit global aktual. Megjithatë, si evropian, jam disi mirënjohës për ekzistencën e një figure si Trump.

Sepse edhe nëse i humbet prapë zgjedhjet këtë nëntor, ai mund të shndërrohet pa dashur në shpëtimtarin e projektit evropian. Ai i ka detyruar evropianët që të ri-mendojnë më në fund supozimet thelbësore që i kanë penguar në lidhje me luftën në Ukrainë, mbrojtjen e vetvetes dhe mbi unitetin politik evropian.

Ndërsa lufta në Ukrainë po i afrohet fundit të vitit të saj të dytë, kandidatura e Trump po mban më shumë të fokusuar dhe turbullon mendjet e evropianëve se çfarë mund të sjellë fitorja apo disfata. Rezultati ideal i të gjithëve është që Ukraina të rimarrë të gjithë territorin e saj.

Duke parë vejushën e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, Julia Navalnaya, të dalë në podium në samitin e Mynihut, vetëm disa orë pasi mësoi për vdekjen e burrit të saj, ishte e pamundur të mos tërhiqesha nga mendimi për t’i dhënë Vladimir Putinit qoftë edhe një centimetër katror të Ukrainës.

Por ndërsa po vazhdon lufta e shkatërrimit, ka gjithnjë e më pak kuptim ta shqyrtojmë këtë çështje vetëm në aspektin territorial. Tek e fundit, një kërcënim edhe më i madh për Ukrainën sesa humbjet territoriale do të ishte një plan paqeje i ofruar nga Trump, që heq njëkohësisht një pjesë të territorit dhe e çmilitarizon vendin, duke e lënë Kievin në një gjendje neutraliteti plot rreziqe.

Evropianët po ndërgjegjësohen mbi faktin se Ukraina mund të ndjekë ambiciet e saj evropiane dhe perëndimore vetëm përmes anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Siç argumentoi kohët e fundit Ivan Krastev, mund të ketë ardhur koha të nisim shqyrtimin e një “skenari të Gjermanisë Perëndimore”.

Por Trump e ka bërë sërish padashur akoma me emergjente debatin e vazhdueshëm evropian mbi mbrojtjen dhe sigurinë. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen, premtoi në Mynih t’ia dorëzojë ukrainasve “të gjithë artilerinë” e vendit të saj.

Në përgjithësi, evropianët kanë dërguar së bashku më shumë ndihma (ushtarake dhe jo) për Ukrainën sesa Shtetet e Bashkuara. Përpara samitit të NATO-s në Uashington në korrik, 20 nga 22 anëtarët e BE-së në NATO (përfshirë Gjermaninë), janë në rrugën e duhur për të shpenzuar të paktën 2 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen.

Është e vërtetë, që shumica e këtij ndryshimi është rezultat i revanshizmit të Putinit. Por komentet e fundit të Trump, se i inkurajon rusët të “bëjnë çfarëdo dreqin të duan” me anëtarët e NATO-s që refuzojnë të “paguajnë për pjesën e tyre”, i ka trazuar ujërat. Evropianët jo vetëm që duhet të investojnë më shumë, por edhe të ndryshojnë mënyrën se si shpenzohen paratë. Dhe duhet ta bëjnë këtë duke kapërcyer ndarjet e vjetra psikologjike midis NATO-s dhe BE-së. Por kontributi ndoshta më i madh i Trump, ka qenë mbi unitetin politik të Evropës.

Pasi u zgjodh president në vitin 2016, shumëkush i druhej ngritjes së një “internacionaleje jo liberale”, e cila do të bënte bashkë partitë populiste të ekstremit të djathtë në Evropë me Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump dhe Kremlinin e Vladimir Putinit.

Por nëse Trump zgjidhet për herë të dytë presidenti, sondazhi i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (që do të publikohet së shpejti), tregon se ai nuk do të pritej me entuziazëm në shumicën e vendeve evropiane, madje edhe në Hungari.

Një pasojë e habitshme e luftës në Ukrainë (por edhe e Brexit), ka të bëjë me ri-pozicionimin e shumë partive të krahut të djathtë. Kështu kryeministrja italiane Giorgia Meloni, është distancuar me kujdes nga euro-skepticizmi i saj i mëparshëm, dhe ka vendosur të ndërpresë të gjitha lidhjet e Italisë me Putinin.

Në Poloni, kthimi i Donald Tusk në postin e kryeministrit, ka bashkuar një elektorat tradicionalisht skeptik pas idesë së një Evrope gjeopolitike më kohezive. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor, mund të sjellin një kthesë të fortë djathtas.

Por në shumë vende, kërcënimi i mundshëm nga një mandat i dytë i Trump mund të mobilizojë votuesit dhe të ndihmojë kandidatët që mbështetin idenë e sovranitetit evropian.

Dhe këto dinamika nuk kufizohen vetëm në BE. Britania e Madhe mund të ketë një qeveri të re para fundit të këtij viti. Në Mynih, Sekretari i Jashtëm në hije i Partisë Laburiste, David Lammy, tha se do të lobojë për një marrëdhënie sa më të ngushtë me evropianët për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.

Por askush nuk e përmblodhi më mirë Efektin Trump sesa kryeministri holandez (në largim) Mark Rutte, i cili iu lut evropianëve që të “ndalonin ankimet ndaj Trump” dhe të fillojnë të përqendrohen tek veprimet që duhet të kryejnë vetë. Duke pasur parasysh trajektoren afatgjatë të politikës së brendshme amerikane, evropianët janë tashmë të detyruar ta bëjnë këtë, pavarësisht se kush do të fitojë në zgjedhjet e nëntorit në SHBA.

Nëse këtë herë do të shmanget fatkeqësia, një administratë e mandatit të dytë të Joe Biden, mund të mbështetet tek një partner shumë më i fortë në Evropë. Sikurse e kanë vënë në dukje shumë analistë të SHBA-së, Trump përbën kërcënimin më të madh për demokracinë amerikane dhe është gjithashtu mobilizuesi më i fuqishëm i votuesve të Partisë Demokratike. Është një biznes i rrezikshëm, por ka një shans që Efekti Trump ta lërë rendin transatlantik më të fortë se sa ka qenë prej një kohe shumë të gjatë./ Përshtati Pamfleti nga “Project Syndicate”

Shënim: Mark Leonard, drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, dhe autor i librit “Epoka e Paqes: Si shkakton konflikte ndërlidhja e madhe midis shteteve”.

evropa ti dalë zot vetes efekti trump

Lini një Përgjigje