Viti i kaluar duket më shumë transformues sesa kalimtar, ndërsa 2026-a po merr formën e një viti kyç me disa pika kthese në agjendën globale.
Një vit më parë, pikërisht këtë javë, Joe Biden ishte president. Unë ndodhesha në Doha, Katar, duke negociuar me Izraelin dhe Hamasin për të finalizuar një marrëveshje armëpushimi dhe lirimi pengjesh. Ekipi i ardhshëm i Trump bashkëpunoi ngushtë me ne, një shfaqje e rrallë jopartiake për të liruar pengjet dhe për t’i dhënë fund një lufte. Duket sikur ka kaluar një dekadë.
Shumëçka mund të ndryshojë brenda një viti, siç e ka treguar 2025-a.
Sot, Shtetet e Bashkuara kanë grumbullimin më të madh ushtarak në Karaibe që nga kriza e raketave në Kubë. Emisarë rusë ndodhen në Miami për të diskutuar një propozim të ri armëpushimi për Ukrainën, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të përshkallëzojë luftën atje. SHBA ka vendosur një gjeneral me gradë tre yje në Izrael për të mbikëqyrur një armëpushim në Gaza, pasi bombardoi Iranin gjatë verës. Presidenti Donald Trump po planifikon një samit në Pekin, i cili mund të përcaktojë fatin e Tajvanit, si edhe konkurrencën tonë me Kinën në fushat e teknologjive të avancuara dhe inteligjencës artificiale.
Viti i kaluar duket më shumë transformues sesa kalimtar, ndërsa 2026-a po merr formën e një viti kyç me disa pika kthese në agjendën globale.
Le ta zbërthejmë këtë më tej, përmes shtatë çështjeve që do t’i ndjek nga afër:
1. Venezuela: Përballje (Standoff)
Administrata Trump ka dislokuar flotën më të madhe ushtarake në Karaibe dhe Atlantikun Perëndimor që nga kulmi i Luftës së Ftohtë. Forca përfshin një grup goditës me aeroplanmbajtëse, disa shkatërrues, forca amfibe sulmuese, bombardues të padukshëm (stealth) dhe njësi të operacioneve speciale. Qëllimi mbetet i paqartë, por ushtria amerikane po zhvillon një fushatë vdekjeprurëse kundër trafikantëve të dyshuar të drogës tashmë me afro 30 sulme pa asnjë autorizim nga Kongresi apo debat të hapur publik.
Gjatë javës së fundit, Trump e rriti më tej tensionin duke shpallur një bllokadë ushtarake kundër dërgesave të paligjshme të naftës dhe duke konfiskuar më shumë cisterna nafte.
Kjo duket si një politikë për ndryshim regjimi, e mbështetur nga forca ushtarake. Shtëpia e Bardhë duket se shpreson që udhëheqësi i Venezuelës, Nicolas Maduro, të largohet vullnetarisht nga pushteti për të jetuar vitet e mbetura në Rusi apo diku tjetër. Thuhet se Trump ia ka paraqitur këtë kërkesë drejtpërdrejt.
Por kjo ka pak gjasa të ndodhë. Ka shumë pak shembuj ku presioni ekonomik dhe kërcënimet e jashtme, të vetme, kanë detyruar një udhëheqës si Maduro të dorëzojë pushtetin. (Një rast i tillë është largimi i udhëheqësit ushtarak të Haitit, Raoul Cedras, në vitin 1994, por aty ushtria amerikane ishte tashmë në ajër për të pushtuar vendin përpara se ai të dorëzohej.)
Trump tani po pohon se SHBA do të jetë fuqia mbizotëruese në Hemisferën Perëndimore, e gatshme të përdorë forcën kur është e nevojshme për të avancuar interesat amerikane.
Administrata e quan këtë politikë të re një “Korolar Trump” të Doktrinës Monroe, e cila paralajmëronte fuqitë koloniale evropiane të qëndronin larg “oborrit tonë”. Megjithatë, në kohën e Monroe-s, SHBA nuk kishte flotë detare. Sot, një pjesë e konsiderueshme e forcës detare më të fuqishme në planet është e pozicionuar përballë Venezuelës.
Çfarë do të thotë e gjitha kjo? Fati i Maduro-s në vitin 2026 mund t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje. Nëse ai mbetet në pushtet, Trump rrezikon të shihet si më shumë fjalë sesa veprime. Nëse ai largohet, pak kush do ta vinte në dyshim seriozitetin e Trump si hegjemoni i hemisferës.
Për mua, asgjë nga kjo nuk duket e menduar mirë, por zari është hedhur dhe mënyra se si do të zgjidhet kjo çështje gjatë vitit të ardhshëm do të tregojë shumë për atë që mund të pritet nga “Korolari Trump” gjatë pjesës së mbetur të mandatit të tij të dytë.
2. Ukraina: Viti i pestë
Në shkurt, pushtimi rus i Ukrainës do të hyjë në vitin e tij të pestë. Qëllimi i Putinit atëherë ishte të pushtonte Kievin dhe ta shkatërronte Ukrainën si shtet sovran. Sot, forcat e tij janë të bllokuara në Ukrainën lindore, jo shumë larg kufijve të Rusisë, dhe kanë pësuar mbi një milion viktima. Kjo luftë ka qenë një dështim i thellë për Rusinë, megjithatë Putini nuk tregon asnjë shenjë tërheqjeje, edhe pse objektivat e tij tani janë më të kufizuara.
Viti i pestë i një lufte mund të jetë një pikë kthese drejt paqes, ndërsa palët ndërluftuese i afrohen rraskapitjes, ose drejt ndërmarrjes së rreziqeve më të mëdha për të thyer ngërçin. Putini pretendon se është student i historisë dhe ka të ngjarë ta shohë vitin që vjen si një mundësi për të thyer vullnetin e Ukrainës.
Megjithatë, sot në Ukrainë, asnjëra palë nuk duket e gatshme për një përparim vendimtar. Viti i pestë mund të ngjajë shumë me katër vitet e mëparshme me Putinin që vazhdon të hedhë fuqi njerëzore në një “mulli mishi” për të fituar territore të kufizuara muaj pas muaji, dhe me Ukrainën që mbështetet në ndihmën e partnerëve perëndimorë për mbështetje ekonomike dhe furnizime ushtarake.
Trump po ndjek një marrëveshje paqeje që, sipas raportimeve, do t’i garantonte Ukrainës sigurinë në këmbim të dorëzimit të disa territoreve, si një mënyrë për t’i dhënë Putinit një rrugëdalje nga ambiciet maksimaliste.
Deri tani, Putini nuk ka treguar asnjë gatishmëri për këtë dhe pyetja mbetet nëse Trump do ta fajësojë me të drejtë për dështimin e negociatave, apo nëse do të tërhiqet plotësisht, duke dobësuar aftësinë e Ukrainës për t’i bërë ballë ofensivës.
Në këtë kuptim, viti i pestë i kësaj lufte mund të jetë vërtet vendimtar, por më shumë në Uashington sesa në fushëbetejë.
3. Tajvani: Në menu
Një nga imazhet përcaktuese të vitit 2025 mund të jetë përqafimi miqësor gjatë një takimi në Pekin mes Putinit, presidentit kinez Xi Jinping dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, me presidentin e Iranit në sfond. Këto katër vende (të njohura si CRINK) po bashkëpunojnë për të mbështetur Rusinë në Ukrainë dhe synojnë një botë të përçarë, ku Rusia dhe Kina vendosin rregullat në të ashtuquajturat sfera të tyre të influencës, ndërsa SHBA tërhiqet. Është një botë ku fuqitë e mëdha imponojnë vullnetin e tyre dhe shtetet më të vogla i nënshtrohen atij.
Çuditërisht, politikat e administratës Trump duket se përputhen me këtë vizion. Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare (NSS) e përshkruan SHBA-në si një fuqi hemisferike dhe deklaron se “ditët kur Shtetet e Bashkuara mbanin mbi shpinë të gjithë rendin botëror si Atlasi kanë përfunduar.” Dokumenti vijon duke kritikuar ashpër aleatët tradicionalë evropianë si të paaftë dhe në rrezik të “zhdukjes civilizuese” për shkak të politikave të buta të imigracionit. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha se NSS-ja e Trump “përputhet në shumë mënyra me vizionin tonë.”
Tajvani është pika ku kjo çështje nuk mbetet më teorike. Për gjysmë shekulli, Uashingtoni ka mundësuar zhvillimin e Tajvanit dhe ka ndihmuar në ruajtjen e paqes përmes një politike të paqartë, që e njeh Tajvanin si pjesë të Kinës, ndërsa njëkohësisht mban lidhje sigurie dhe ekonomike me ishullin. Javën e kaluar, Trump miratoi paketën më të madhe të armëve në histori për Tajvanin, me vlerë gati 11 miliardë dollarë, që përfshin raketa, dronë dhe pajisje të avancuara të mbrojtjes ajrore. Ndërkohë, dihet se Kina po përgatit ushtrinë e saj për të qenë gati për një pushtim të Tajvanit deri në vitin 2027.
Kur Trump të udhëtojë në Pekin për një samit me Xi-n, siç pritet këtë pranverë, Tajvani do të jetë një temë qendrore dhe e ardhmja e tij mund të vihet në rrezik. Kjo është një nga çështjet me peshën më të madhe në agjendën globale të sigurisë. Tajvani është thelbësor për jetën tonë të përditshme, pasi shumica e çipave gjysmëpërçues që fuqizojnë makinat dhe telefonat tanë prodhohen atje, dhe parashikimet për çrregullim global në rast se Kina pushton ose destabilizon ishullin arrijnë deri në 10 trilionë dollarë.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Trump do të mbështesë dekada të politikës amerikane siç sugjeron shitja e fundit e armëve apo nëse do të heqë dorë nga kjo qasje në këmbim të një marrëveshjeje tregtare dhe pranimit të Pekinit si fuqi dominuese në sferën e tij të influencës, ashtu siç paralajmëron NSS-ja e tij. Samiti i Pekinit do të ndiqet me vëmendje të madhe në Taipei, me thënien e njohur: kur nuk je në tryezë, je në menu.
4. Izraeli: Zgjedhje vendimtare
Sa i përket suksesit ushtarak, Izraeli ka pasur një vit të mirë. Viti filloi me një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe armëpushimin në Gaza dhe po përfundon me lirimin e të gjithë pengjeve të gjallë, si dhe me një plan armëpushimi me 20 pika, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili i bën thirrje Hamasit të çarmatoset. Irani ndodhet në pozitën e tij më të dobët që nga revolucioni i vitit 1979. Udhëheqësit e grupeve terroriste që dikur rrethonin Izraelin Hamasi dhe Hezbollahu janë vrarë.
Megjithatë, në tërësi, Izraeli ka dështuar ta përkthejë suksesin ushtarak në arritje të qëndrueshme politike dhe diplomatike, pjesërisht për shkak të përçarjeve të brendshme. Sot, Izraeli qeveriset nga një prej koalicioneve më të ngushta në historinë e tij, i dominuar nga parti nacionaliste të djathta ekstreme, të cilat polarizojnë shoqërinë izraelite dhe largojnë mundësitë e reja për afrime me kryeqytetet arabe.
Kryeministri Benjamin Netanyahu, udhëheqës për shumë kohë i së djathtës tradicionale izraelite, e përshkruan veten si anëtari më liberal i vetë qeverisë së tij të ekstremit të djathtë.
Pak izraelitë besojnë se ky formulim i ngushtë qeverisës, pas dy vitesh lufte, mund ose duhet të zgjasë shumë më tej. Në vitin 2026, ata do të kenë mundësinë të ndryshojnë këtë realitet. Izraeli duhet të mbajë zgjedhje parlamentare më së voni më 27 tetor 2026, katër vjet pas votimit të fundit, dhe zgjedhjet mund të zhvillohen edhe më herët nëse Netanyahu i shpall ato ose nëse qeveria e tij dështon të miratojë buxhetin në pranverë.
Rezultati i zgjedhjeve mund të përcaktojë nëse Izraeli do të jetë në gjendje të konsolidojë suksesin e tij ushtarak apo do të mbetet në një status quo të brishtë dhe të pasigurt.
Nëse Izraeli del nga këto zgjedhje me një koalicion të ri uniteti, ose të paktën me një qeveri pa anëtarët ekstremistë të kabinetit aktual të Netanyahut, rriten gjasat që Trump të zgjerojë Marrëveshjet e Abrahamit përpara përfundimit të mandatit të tij duke përfshirë edhe një marrëveshje me Arabinë Saudite. Nëse zgjedhjet përfundojnë në ngërç dhe nuk prodhojnë një qeveri të re, ose më keq, riprodhojnë qeverinë aktuale, atëherë përparimi diplomatik ka pak gjasa të ndodhë dhe Izraeli mund të humbasë një mundësi historike.
5. Irani: Diçka do të çahet
Irani ka pasur një vit katastrofik dhe 2026-a mund të jetë edhe më e keqe. Jo shumë kohë më parë, Irani pretendonte forcë dhe ndikim në gjithë Lindjen e Mesme përmes rrjeteve të tij përfaqësuese që kontrollonte Hezbollahun, Hamasin, milicitë irakiane dhe Huthit si edhe përmes një programi raketor të lavdëruar, sistemeve të sofistikuara ruse të mbrojtjes ajrore dhe një programi bërthamor që po shkonte përtej çdo përdorimi të besueshëm civil. Teherani gëzonte një aleat të palëkundur në Bashar al-Assad dhe e përdorte Sirinë si bazë për të forcuar rrjetet e tij në rajon dhe për të rrethuar Izraelin me synimin e deklaruar për ta zhdukur nga harta.
E gjithë kjo është përmbysur. Irani bëri zgjedhjen fatale për t’u përfshirë drejtpërdrejt në kaos pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Ai kurrë nuk e parashikoi kundërpërgjigjen. Sot, shumë nga udhëheqësit e tij janë të vrarë. Forcat e tij përfaqësuese janë shpërbërë. Mbrojtja ajrore është shkatërruar. Programi bërthamor është neutralizuar. Aleati i tij sirian është rrëzuar.
Vendi është i paralizuar si ushtarakisht ashtu edhe ekonomikisht. Një mungesë serioze e ujit mund të çojë në evakuime dhe racionim në Teheran. Për më tepër, Udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei, është 86 vjeç, raportohet se është i sëmurë, shfaqet rrallë në publik dhe nuk ka një pasardhës të emëruar.
Në vitin 2026, asgjë nuk duket se do të përmirësohet për Iranin. Izraeli mund të godasë sërish Iranin nëse vendi tenton të rindërtojë programin e tij bërthamor ose siç është raportuar arsenalin raketor. Popullsia e re e Iranit e refuzon sistemin sundues klerikal dhe, me një krizë pasardhjeje pas Khameneit, ky sistem mund të lëkundet seriozisht. Në të njëjtën kohë, një regjim i dobësuar mund të reagojë me terrorizëm ose me sulme të pamatura ndaj Izraelit.
Prandaj, mbajeni Iranin nën vëzhgim këtë vit. Ashtu si në 2025-ën, edhe këtu mund të ketë surpriza.
6. Terrorizmi: Është rikthyer
Së fundmi u pyeta në një podcast se çfarë më mban zgjuar natën, pas dy dekadash pune në fushën e sigurisë kombëtare dhe diplomacisë. Përgjigjja ime ishte: terrorizmi. Kjo nuk ka qenë një përgjigje “në modë” në qarqet e sigurisë kombëtare gjatë dekadës së fundit, pasi administrata të njëpasnjëshme janë përpjekur të theksojnë konkurrencën mes fuqive të mëdha me Kinën dhe Rusinë pjesërisht për t’iu shmangur punës së vështirë dhe kërkuese në burime për të përballuar kërcënimet nga grupet ekstremiste në mbarë botën, përfshirë Al-Kaedën dhe ISIS-in.
Fatkeqësisht, ne jemi gjithmonë vetëm një sulm larg ndryshimit të rrjedhës së historisë diçka që nuk duhet ta harrojmë kurrë, edhe 25 vjet pas 11 shtatorit.
Mes viteve 2014 dhe 2018, ndihmova në drejtimin e fushatës kundër ISIS-it. SHBA ndërtoi një koalicion ndërkombëtar prej 80 shtetesh dhe organizatash, si INTERPOL-i, për të gjurmuar operativët e ISIS-it, për të luftuar financimin e tij, për të kundërshtuar ideologjinë e tij dhe për të çmontuar rrjetet e tij. Kjo strategji funksionoi: nga viti 2014 deri në vitin 2020, numri i sulmeve terroriste në mbarë botën, i ndikuar fuqishëm nga ISIS-i, ra me gati 60%. Sulmet e sofistikuara që pamë në Evropë në vitet 2015 dhe 2016, si në Paris (nëntor 2015) dhe Bruksel (mars 2016), u ndalën plotësisht.
Sot, kjo nuk është më e vërtetë. Nga viti 2022 deri në 2025, të nxitura nga sulmet e Hamasit në Izrael, incidentet dhe viktimat janë sërish në rritje. Rrjetet globale po rigjenerohen.
Vetëm muajin e kaluar u shënua një masakër në Australi, që kishte në shënjestër hebrenjtë gjatë Hanukës, si dhe u parandalua një komplot në Los Anxhelos për të shpërthyer bomba në turma njerëzish në prag të Vitit të Ri. Javën e kaluar në Siri, ISIS vrau dy ushtarë amerikanë për herë të parë që nga viti 2019. SHBA u përgjigj disa ditë më parë me sulme ndaj “mbi 70 objektivave të ISIS-it” në Siri, çka ngre pyetjen pse këto objektiva nuk ishin shkatërruar më herët. Shefi i sigurisë së brendshme të Mbretërisë së Bashkuar e përshkroi së fundmi kërcënimin e ISIS-it atje si “të madh”, ndërsa zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se ai është sërish “kërcënimi më i spikatur” në vendet anëtare.
Viti që vjen duket se do ta vazhdojë këtë prirje shqetësuese. Për ta përmbysur atë, SHBA dhe partnerët e saj duhet të forcojnë bashkëpunimin ndërkufitar të zbatimit të ligjit, pa asnjë tolerancë për ata që përkrahin apo justifikojnë dhunën për të avancuar një kauzë politike. Koalicioni kundër ISIS-it është një model i mirë për t’u ndjekur.
7. Inteligjenca Artificiale: Revolucioni
Pak çështje janë ngjitur kaq shpejt dhe kaq vendosmërisht në krye të agjendës globale sa inteligjenca artificiale. Dhe ajo pritet të mbetet aty. Si në Pekin ashtu edhe në Uashington, IA shihet si një garë ekzistenciale shpesh e krahasuar me garën hapësinore të Luftës së Ftohtë për shkak të aplikimeve të saj ushtarake dhe aftësisë për të transformuar pothuajse çdo fushë të politikës kombëtare.
Në vitin 2025, Kina e befasoi botën me lançimin e një modeli të ri arsyetimi të gjeneratës së ardhshme, DeepSeek R1, i cili sfidoi modelet kryesore amerikane me një kosto shumë më të ulët. Ai u ngjit me shpejtësi në krye të App Store-it të Apple dhe përkohësisht tronditi tregjet financiare, duke shkaktuar një rënie të fortë të Nasdaq-ut dhe një humbje historike njëditore për një prodhues të madh amerikan të çipave. Tregjet u rimëkëmbën por surpriza mbeti si mësim. Episodi tregoi se sa shpejt mund të zbehen avantazhet teknologjike të supozuara.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të forcojnë pozicionin e tyre përmes kontrolleve të eksportit dhe një rrjeti gjithnjë e më të gjerë partnerësh që mbështeten në teknologjinë amerikane për adoptimin e IA-së. Administrata Trump ka lëvizur për t’i thelluar këto partneritete, ndërsa njëkohësisht ka propozuar lehtësimin e disa kufizimeve të eksportit përfshirë edhe ndaj Kinës një hap që ka ngritur shqetësime dypartiake dhe ende nuk është zbatuar.
Në frontin e brendshëm, kufizimet po shtohen. Shtetet e Bashkuara mbeten pas Kinës në prodhimin e energjisë elektrike të nevojshme për të mbështetur një rrjet në rritje të shpejtë të qendrave të të dhënave, ndërkohë që kërkesa për energji po rritet ndjeshëm. Disa demokratë kanë filluar të kërkojnë kufizime për ndërtimin e qendrave të reja të të dhënave. Ashtu si gjatë Luftës së Ftohtë, konkurrenca teknologjike globale mund të përplaset gjithnjë e më shumë me presionet politike të brendshme.
Në vitin 2026, priten tensione në rritje mes përparimeve të shpejta të inteligjencës artificiale, debateve të pazgjidhura të politikave publike dhe rivalitetit gjeopolitik në intensifikim. Së bashku, këto pritet ta bëjnë IA-në një nga forcat më përcaktuese që do të formësojnë politikën globale në vitet që vijnë./Përshtati “Pamfleti”, nga “CNN”
Lini një Përgjigje