Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar pesë personalitete evropiane, mes të cilëve edhe ish-komisioneri i Bashkimit Evropian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton.
Sipas vendimit, Bretonit i është ndaluar hyrja në territorin amerikan.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka justifikuar masat duke deklaruar se veprimet e këtyre personave përbëjnë “censurë” dhe dëmtojnë interesat amerikane, veçanërisht ndaj platformave teknologjike me bazë në SHBA.
Në një reagim në rrjetet sociale, Thierry Breton e ka cilësuar vendimin si një formë presioni politik.
“A është kthyer gjuetia e shtrigave e McCarthy-t?”, pyeti ai, duke iu referuar periudhës së ndjekjeve antikomuniste në SHBA gjatë viteve ’50.
Breton mbrojti ligjin e promovuar prej tij, Digital Services Act (DSA), për të cilin Uashingtoni pretendon se ka dëmtuar interesat amerikane.
“Duhet kujtuar se 90% e Parlamentit Evropian, institucioni ynë i zgjedhur në mënyrë demokratike, si dhe të gjitha 27 shtetet anëtare, e kanë miratuar unanimisht Digital Services Act. Miqve tanë amerikanë u themi se censura nuk është aty ku mendoni se është”, deklaroi ai.
Në një njoftim zyrtar, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bëri të ditur se Departamenti i Shtetit po ndërmerr “veprime vendimtare kundër pesë individëve që kanë udhëhequr përpjekje të organizuara për të detyruar platformat amerikane të censurojnë pikëpamje amerikane që nuk përputhen me të tyret”.
Rubio i cilësoi ata si “aktivistë radikalë” dhe theksoi se veprimet e tyre, përfshirë përdorimin e organizatave joqeveritare, kanë synuar drejtpërdrejt kompani amerikane. Sipas tij, prania ose aktiviteti i këtyre personave në SHBA mund të ketë “pasoja potencialisht të rënda negative për politikën e jashtme amerikane”.
Në listën e personave të prekur nga ndalimi i vizave përfshihen gjithashtu Clare Melford nga Indeksi Global i Dezinformimit (GDI), Imran Ahmed nga Qendra për Kundërshtimin e Urrejtjes Dixhitale (CCDH), si dhe dy drejtues të organizatës gjermane HateAid. Zyrtarë amerikanë i akuzuan këto organizata se përdorin fonde për të nxitur censurën dhe për të futur në “lista të zeza” media dhe zëra amerikanë.
Lini një Përgjigje