
Pse ky parashikim?
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës duket se ka gjasa të përfundojë vitin e ardhshëm, dhe me kushte shumë të pafavorshme për Kievin. Pse ky parashikim? Sepse Bashkimi Evropian dështoi javën e kaluar të arrijë një marrëveshje për përdorimin e 210 miliardë eurove në asete ruse të ngrira, me qëllim mbajtjen e Ukrainës financiarisht të qëndrueshme dhe të aftë për të financuar përpjekjet e saj ushtarake.
Rënia e propozimit për të ashtuquajturën “kredi dëmshpërblimi”, e cila do të riciklonte asetet ruse, kryesisht të ngrira në një bankë kliringu në Belgjikë, i heq Ukrainës sigurinë e financimit për dy vitet e ardhshme.
Shqetësimet ligjore të Belgjikës lidhur me këtë kredi, së bashku me ngurrimin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni për t’iu bashkuar kancelarit gjerman Friedrich Merz në mbështetjen e propozimit, ishin faktorët që e dënuan atë. Kjo ndodhi pavarësisht javëve të tëra debatesh dhe pritshmërive të larta të mbështetësve të planit, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Megjithatë, BE-ja do të vazhdojë të ofrojë një paketë të konsiderueshme financimi për Ukrainën, pasi ka rënë dakord të marrë hua bashkërisht 90 miliardë euro nga tregjet e kapitalit, të garantuara nga buxheti i BE-së, dhe t’ia japë Kievin këto fonde si kredi pa interes.
Por, edhe pse kjo do të parandalojë që Ukraina të mbetet pa likuiditet në fillim të vitit të ardhshëm, paketa është parashikuar të shpërndahet gjatë dy viteve dhe nuk do të jetë e mjaftueshme për ta mbajtur vendin në luftë. Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për shkak të uljes së mbështetjes financiare nga SHBA-ja, deficiti buxhetor i Ukrainës gjatë dy viteve të ardhshme pritet të arrijë afërsisht 160 miliardë dollarë.
Thënë thjesht, Ukraina do të ketë nevojë për shumë më tepër ndihmë nga Evropa, dhe kjo do të jetë gjithnjë e më e vështirë për bllokun ta sigurojë.
Megjithatë, shumë udhëheqës evropianë u shfaqën mjaft optimistë pas marrëveshjes së financimit të arritur javën e kaluar. Presidenti finlandez Alexander Stubb vuri në dukje të dielën se paketa e miratuar mbetet e lidhur me asetet ruse të imobilizuara, pasi skema parashikon që Ukraina t’i përdorë ato për të shlyer kredinë sapo lufta të përfundojë.
“Asetet ruse të imobilizuara do të mbeten të imobilizuara… dhe Bashkimi rezervon të drejtën për t’i përdorur ato për shlyerjen e kësaj kredie”, shkroi ai në platformën X.
Sipas kësaj logjike, një kredi e mëvonshme mund të shtohet dhe të lidhet indirekt me asetet ruse. Kjo është e mundur, por mund të shihet edhe si numërim i pulave para se të çelin, pasi gjithçka varet nga lloji i marrëveshjes që do të arrihet për t’i dhënë fund luftës.
Ndërkohë, sigurimi i një kredie tjetër nuk do të jetë i lehtë sapo rezervat financiare të Ukrainës të shterojnë sërish. Tre vende, Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke, kanë zgjedhur tashmë të mos marrin pjesë në skemën e huamarrjes së përbashkët të javës së kaluar. Nuk është e vështirë të imagjinohet se edhe vende të tjera mund t’u bashkohen, duke hezituar përballë një pakete tjetër prej shumë miliardë eurosh në vitin 2027, një vit kyç zgjedhor si për Francën ashtu edhe për Gjermaninë. Ndërkohë, Donald Trump do të jetë ende në Shtëpinë e Bardhë, ndaj nuk ka kuptim të pritet ndihmë shtesë nga Uashingtoni.
Megjithatë, kryeministri belg Bart De Wever e përshkroi marrëveshjen e javës së kaluar, të arritur pas pothuajse 17 orësh negociatash, si një fitore për Ukrainën, një fitore për stabilitetin financiar dhe një fitore për Bashkimin Evropian.
Por kjo nuk është mënyra se si do ta shohë situatën presidenti rus Vladimir Putin. Siç kishte paralajmëruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke u përpjekur të bindte udhëheqësit evropianë të mbështesnin kredinë e dëmshpërblimit: “Nëse Putini e di se ne mund të qëndrojmë të qëndrueshëm për të paktën disa vite të tjera, atëherë arsyeja e tij për ta zvarritur këtë luftë dobësohet ndjeshëm.”
Por kjo nuk ndodhi. Dhe pasi debakli i së premtes së kaluar nxori në pah përçarjet mes udhëheqësve evropianë, ky nuk është mesazhi që Putini do të marrë. Përkundrazi, kjo ka të ngjarë t’i ketë përforcuar bindjen se koha është në anën e tij. Se, nëse pret edhe pak, plani 28-pikësh që ndihmësit e tij hartuan me të dërguarin special të Trump, Steve Witkoff, mund të rikthehet, duke lënë Ukrainën dhe Evropën në ngërç, një skenar ideal për Kremlinin.
Putini mund të lexojë gjithashtu sondazhet e opinionit dhe të vërejë rritjen e padurimit të votuesve evropianë ndaj luftës, veçanërisht në disa nga ekonomitë më të mëdha të kontinentit. Një sondazh i POLITICO-s me 10,000 të anketuar, i publikuar javën e kaluar, tregoi se në Gjermani dhe Francë ka më shumë gatishmëri për të ulur sesa për të rritur ndihmën për Ukrainën. Në Gjermani, 45 për qind u shprehën në favor të shkurtimit të ndihmës financiare, ndërsa vetëm 20 për qind donin rritjen e saj. Në Francë, 37 për qind preferonin të jepnin më pak, ndërsa vetëm 24 për qind më shumë.
Në prag të samitit të Këshillit Evropian javën e kaluar, kryeministrja estoneze Kristen Michal i kishte thënë POLITICO-s se udhëheqësit evropianë kishin një mundësi për të kundërshtuar pretendimin e Trump se Evropa është e dobët. Sipas saj, duke miratuar një marrëveshje për të zhbllokuar qindra miliarda dollarë në asete ruse të ngrira, ata do t’i përgjigjeshin edhe përshkrimit të Evropës nga presidenti amerikan si një “grup kombesh në kalbëzim”. Këtë, ata nuk arritën ta bënin./Përshtati "Pamfleti" nga "Politico"
Lini një Përgjigje