TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Dhjetor 2025, 21:27

Moskë-Helsinki, përplasje edhe për... ujqërit; zëdhënësja ruse ironizon akuzat e Finlandës

Shkruar nga Pamfleti
Moskë-Helsinki, përplasje edhe për... ujqërit;
Maria Zakharova

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka reaguar me ironi të ashpër ndaj një raportimi të CNN, ku pretendohej se ujq nga Rusia po sulmojnë drerët e Laplandës në Finlandë, duke shkaktuar shqetësim te blegtorët e rajonit.

Në një postim në kanalin e saj në Telegram, Zakharova shkruan: “Urime për pikën më të ulët të re! Tani, sipas CNN dhe disa ekspertëve finlandezë, ujqërit rusë që trembin drerët e Laplandës do të përballen me... sanksione.”

Diplomatja ruse theksoi se këto lloj raportimesh nuk janë të rastësishme, por pjesë e një propagande të qëllimshme për trushpëlarje në vendet perëndimore, duke ironizuar më tej: “Logjika është e qartë: Kushdo që nuk merr dhuratë nga Babagjyshi, duhet të kuptojë se fajin e kanë rusët, madje edhe nëse bëhet fjalë për ujqërit.”

Raporti i CNN, me titullin “Drerët e Babagjyshit janë në rrezik. A janë fajtorë ujqërit nga Rusia?”, i referohej shqetësimeve të rritura të fermereve finlandezë, që pretendojnë se një pjesë e sulmeve ndaj bagëtive të tyre po vijnë nga kafshë të egra që kalojnë kufirin nga territori rus. Artikulli gjithashtu e lidhte fenomenin me efektet indirekte të luftës në Ukrainë, duke e bërë më të ashpër reagimin e Moskës.

Zakharova, në fund të reagimit, u shpreh në mënyrë sarkastike se ndoshta kjo është “hakmarrja e Perëndimit për... derrkucët”, duke iu referuar një fjale të përdorur së fundmi nga Presidenti Putin, i cili më 17 dhjetor e quajti një pjesë të elitës perëndimore “podsvinki”, një term rus që përkthehet si “derrkucë të vegjël”, term që tronditi dhe hutoi shumë përkthyes e gazetarë evropianë.

maria zakharova finlanda ruset

Lini një Përgjigje