TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Dhjetor 2025, 15:54

Nga Athina tek Kievi: Pse ia vlen ende të luftohet për vlerat e Perëndimit

Shkruar nga Marc Champion
Nga Athina tek Kievi: Pse ia vlen ende të luftohet për vlerat e
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut mishëron konceptin e rrëmujshëm të asaj që përbën “Perëndimin”. Fotograf: Haiyun Jiang/AFP/Getty Images

Perëndimi është “ngjitësi” ideologjik që mban bashkë NATO-n dhe BE-në. Nëse kjo lidhje humbet ose zëvendësohet nga nacionalizmi ekstrem, nuk rrezikohet vetëm mbijetesa e Perëndimit, por edhe shekullarizmi dhe toleranca që e bënë atë historikisht kaq tërheqës...

Sot Perëndimi i ngjan një organizmi në gjendje kritike që mbahet gjallë me aparatura, i mbërthyer nga vizioni i Donald Trumpit, i cili e sheh botën si një arenë brutale ku shtetet e forta krijojnë aleanca mbrojtëse vetëm për interesat e tyre, duke i konsideruar rregullat thjesht si mjete për të mashtruar të tjerët.

Me aleatët tradicionalë të Amerikës, që tashmë shihen thjesht si pjesë e “bufesë” së interesave, ky zhvillim sizmik ngre një pyetje thelbësore: A ia vlen të shpëtohet Perëndimi dhe a mund të shpëtohet ai vërtet?

Si koncept, Perëndimi ka qenë gjithmonë bezdisës, i paqartë dhe i paqëndrueshëm. Aq shumë saqë në faza të ndryshme të karrierës sime gazetareske, janë lëshuar “fetva” mediatike kundër përdorimit të këtij termi.

Ai nuk mund të përcaktohet thjesht përmes gjeografisë, pasi përfshin edhe pjesë të Lindjes, dhe as nuk mund të reduktohet vetëm te NATO-ja apo tek një klub i krishterë, për arsye të ngjashme. E megjithatë, asnjë nga ato ndalime editoriale nuk mbijetoi.

Termi u rikthye shpejt në përdorim, sepse nuk kishte zëvendësues; ai ishte tepër i dobishëm si një përshkrim i shkurtër i një “fisi” demokracish të tregut, ekzistenca e të cilave pranohej si nga lexuesit, ashtu edhe nga shkrimtarët.

Unë nuk e njoh atë qytetërim perëndimor ekskluzivisht si të krishterë dhe të bazuar tek raca, siç përshkruhet në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, apo në predikimet thellësisht të pasinqerta të zëvendës/presidentit J.D.Vance.

Po kështu edhe Jorgo Varuksakis, historian i mendimit politik në Universitetin “Queen Mary” në Londër. E kontaktova pasi në korrik botoi librin “Perëndimi: Historia e një ideje”. Kjo vepër është shumë me vlerë, pasi e bazuar në dokumente dhe argumente jo ideologjike, demaskon disa nga teoritë më të përhapura rreth kohës dhe mënyrës se si u ngjiz ky entitet.

Së pari, Perëndimi nuk e ka origjinën tek Greqia e Lashtë, pasi grekët e lashtë as nuk e përmendën dhe as nuk e konceptuan kurrë atë si të tillë. Së dyti, ai nuk u shpik në fund të shekullit XIX-të nga imperialistët - siç besojnë disa të majtë - si një mjet kritik për të legjitimuar shfrytëzimin kolonial të racave të tjera.

Në fakt, ideja u shfaq më herët dhe mbështetësit e saj më të zëshëm ishin anti-imperialistë të pasionuar. Megjithatë, Perëndimi i është nënshtruar një riinterpretimi të vazhdueshëm, dhe sot rrezikon të shpërbëhet mes luftërave kulturore.

“Mos ua lini në dorë të atyre!”- më tha Varuksakis, ndërsa diskutonim mbi sulmet e administratës Trump ndaj Evropës. “Mos i lejoni që ata zotërojnë këtë term. Ai nuk u përket atyre. Qytetërimi perëndimor nuk është sinonim i supremacizmit të bardhë”- theksoi ai. Sigurisht, kuptimi i Perëndimit mund të ndryshojë, nëse populistët e ekstremit të djathtë marrin pushtetin në vendet kyçe. Por nëse kjo ndodh, është e dyshimtë që Perëndimi apo institucionet e tij kryesore - sidomos Bashkimi Evropian dhe NATO - do t’i mbijetojnë gjatë nacionalizmit toksik që do të pasonte.

Artikulimet e para të Perëndimit si identitet politik, u shfaqën rreth kohës së Luftës Greke për Pavarësi (1821-1829). Deri atëherë, Perandoria Osmane kishte qenë kërcënimi kryesor i Evropës dhe kur njerëzit donin të flisnin për “tjetërsinë” e tyre kolektive, ata i referoheshin Krishterimit ose Evropës.

Greqia po çlirohej pas 3 shekujsh nënshtrimi nën Perandorinë Osmane, e cila po dobësohej për shkak të dështimit në modernizim. Ishte një periudhë e trazuar: trupat ruse kishin pushtuar për pak kohë Parisin në vitin 1814. Napoleoni u mposht përfundimisht në Vaterlo në 1815-ën; ndërsa Cari Aleksandri I formoi “Aleancën e Shenjtë” me Austrinë dhe Prusinë.

Qëllimi i tyre ishte mbrojtja e monarkisë absolute dhe besimit fetar kundër republikanizmit laik që kishte çuar francezët deri në Moskë. Në këtë kontekst, Krishterimi nuk shërbente më si një thirrje bashkimi kundër Rusisë, pasi edhe ajo ishte e krishterë.

Po ashtu, as termi “Evropë” nuk ishte më i mjaftueshëm, pasi republika e re amerikane përtej Atlantikut, ishte një aleate e natyrshme në promovimin e fryteve të Iluminizmit - ndarjen e Kishës nga shteti, shkencës, sundimit të ligjit dhe të drejtave individuale - përballë absolutizmit rus.

Një kulturë e përbashkët mbeti pjesë e formulës, por jo në versionin reduktues të Vans. Gjithçka dhe si gjithmonë, lidhej me gjeopolitikën. Rusia kishte ndarë Poloninë dhe pushtuar Finlandën, ndërsa synonte territoret osmane në Besarabi (Moldavia e sotme) dhe Ballkan. Ushtritë e saj po shtriheshin drejt jugut në Kaukaz dhe Azinë Qendrore, duke nisur “Lojën e Madhe” me Britaninë. Figura që bëri më shumë për të përcaktuar “Perëndimin” si një mburojë kundër kësaj Rusie ekspansioniste ishte francezi August Komt.

Ai e shihte Perëndimin si një bashkësi që përfshinte Evropën Latine, atë Anglo-Saksone dhe pikat e tyre të pararojës në Botën e Re. Polonia (sllave, por katolike) dhe Greqia (ortodokse, por athinase) ishin të ftuarit specialë në këtë grupim.

Komt përfshiu edhe gjermanët, ndonëse ajo marrëdhënie mbeti e tensionuar deri pas vitit 1945. Madje, Adolf Hitleri e shihte “Perëndimin” si armikun tek porta, duke huazuar një retorikë që sot po dëgjohet shpesh në Rusi.

Shkrimtarët francezë e nxitën përfshirjen e Greqisë në këtë klub, duke argumentuar se populli i saj kishte treguar guxim për të luftuar. Sipas tyre, duke mbrojtur veten, grekët po mbronin një Evropë që ishte bërë tepër e plogësht për të luftuar.

Në të njëjtën kohë, elita greke e shkolluar në Evropë e shihte Perëndimin si mjetin e vetëm për të ndërtuar një shoqëri tolerante, laike dhe teknologjikisht të avancuar. Varuksaskis thotë se “mënyra se si flitej për grekët 200 vjet më parë, ngjason në mënyrë të frikshme me diskursin e sotëm për Ukrainën”.

Mund të shtohet se përpjekja e Aleksandrit I për të riformësuar Evropën sipas vlerave të tij autoritare, ka një jehonë të fuqishme në retorikën aktuale të Vladimir Putinit. Dëshira e grekëve të shekullit XIX-të dhe e ukrainasve të sotëm, për t’u bërë pjesë e Perëndimit, dëshmon “fuqinë e butë” të kësaj ideje liberale, pavarësisht gabimeve të shteteve të saj. Perëndimi është “ngjitësi” ideologjik që mban bashkë NATO-n dhe BE-në. Nëse kjo lidhje humbet ose zëvendësohet nga nacionalizmi ekstrem, nuk rrezikohet vetëm mbijetesa e Perëndimit, por edhe shekullarizmi dhe toleranca që e bënë atë historikisht kaq tërheqës./Përshtati "Pamfleti" nga “Bloomberg”

Lini një Përgjigje