
Izraeli vendos të thyejë armëpushimin...
Nuk ka qetësi në Gaza. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë e tij të ndërmarrë sulme të menjëhershme dhe të fuqishme në Rripin e Gazës, pas akuzave se Hamas ka shkelur armëpushimin duke dorëzuar mbetje që i përkisnin një pengu izraelit tashmë të rikuperuar më parë.
Në një deklaratë zyrtare nga zyra e kryeministrit thuhet: “Pas konsultimeve të sigurisë, kryeministri Netanyahu ka udhëzuar komandën ushtarake të realizojë menjëherë goditje të fuqishme në Rripin e Gazës.”
Izraeli ka akuzuar Hamasin për “inskenim” të kthimit të trupave dhe “rivarrosjes së mbetjeve mortore”, ndërsa të dyja palët shtojnë akuzat për shkelje të armëpushimit në Gaza.
“Hamasi gënjen. Ata e dinë se ku janë pengjet e mbetura. Gërmimet e inskenuara jo vetëm që janë abuzive, por këto shkelje rrezikojnë armëpushimin. Pamjet e dronit tregojnë Hamasin duke zhvendosur dhe rivarrosur mbetjet e trupave dhe më pas duke inskenuar një zbulim të rremë që Kryqi i Kuq ta dëshmojë”, tha Ministria e Jashtme.
Më parë, kryeministri Netanyahu tha se mbetjet njerëzore të dorëzuara nga Hamasi gjatë natës i përkisnin një robi, trupi i të cilit ishte gjetur tashmë nga forcat izraelite. Ai mblodhi shefat e mbrojtjes për të vendosur mbi "hapat e ardhshëm të Izraelit".
Vetë Hamasi ka akuzuar Izraelin për pengimin e përpjekjeve për të rikuperuar trupat e robërve të vdekur izraelitë, duke thënë se bllokoi hyrjen e makinerive të rënda në Gaza dhe pengoi ekipet e kërkimit.
Në një deklaratë, Hamasi hodhi poshtë akuzat e Izraelit se ka qenë “i ngadalshëm” në lirimin e trupave të robërve si një përpjekje “të pabazë” “për të mashtruar opinionin publik”.
Grupi akuzoi gjithashtu Izraelin se po përpiqet “të shpikë pretekste të rreme si një prelud për të ndërmarrë hapa të rinj agresivë kundër popullit tonë, në shkelje të hapur të marrëveshjes së armëpushimit”.
“Në dritën e kësaj, u bëjmë thirrje ndërmjetësve dhe palëve garantuese që të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në përballjen me këto pengesa serioze”, tha Hamasi.
Lini një Përgjigje