TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Tetor 2025, 15:35

Zvicra ndërton bunkerë nëntokësorë në rast të një sulmi rus, 9 milionë njerëz do të kenë një vend të sigurt; çmimi deri në 1 mln euro 

Shkruar nga Pamfleti

Zvicra ndërton bunkerë nëntokësorë në rast të

Zvicra rikthehet në mentalitetin e Luftës së Ftohtë: çdo qytetar do të ketë një vend në bunker...

Ajo që në Moskë ende quhet “Operacioni special ushtarak në Ukrainë”, bashkë me demonstrimin e armëve të reja, nuk po tremb vetëm vendet pranë kufirit rus.

Edhe Zvicra, e njohur për neutralitetin e saj shekullor, po përjeton një ndryshim të ndjeshëm në opinionin publik: gjithnjë e më shumë qytetarë po kërkojnë afrimin me NATO-n.

Në të njëjtën kohë, autoritetet federale zvicerane kanë miratuar një plan ambicioz për të garantuar që çdo banor, rreth 9 milionë njerëz, të ketë një vend të sigurt në një bunker antinuklear.

Në vitet e ardhshme, më shumë se një miliard franga zvicerane do të investohen për rikthimin në funksion të strehimeve të ndërtuara gjatë Luftës së Ftohtë, të cilat ndër vite janë kthyer në depo, bodrume apo qendra kultivimi kërpudhash.

Pas vitit 1991, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, rreziku i një sulmi ajror apo bërthamor dukej i harruar. Por sot, situata ka ndryshuar rrënjësisht. Qeveria ka nisur rikonstruksionin e të gjitha strukturave nëntokësore që nuk janë më “sipas normave”, përfshirë rreth 370 mijë bunkerë privatë. Totali i fondeve të planifikuara kap vlerën e 1,3 miliardë eurove.

Një nga projektet simbolike është “Urania” në qendër të Cyrihut, një garazh nëntokësor me shtatë kate që mund të strehojë deri në 11 mijë persona. Muret dhe dyshemetë janë të përforcuara me beton të armuar, dyert masive, furnizime me ujë, gjeneratorë elektrikë dhe sisteme filtrimi të ajrit. Rregullorja e mbrojtjes civile kërkon të paktën 1 metër katror për çdo person dhe një tualet për çdo 30 njerëz.

Deri para pak vitesh, ndërtuesit kishin detyrim ligjor të ndërtonin bunkerë nën çdo pallat të ri. Në kohë paqeje, këto hapësira shfrytëzoheshin si bodrume private për banorët, por në rast emergjence çdo qytetar ka një vend të caktuar (në mënyrë konfidenciale) nga autoritetet.

Megjithatë, autoritetet lokale po përballen me një pyetje të re: çfarë ndodh nëse një sulm ndodh gjatë orarit të punës apo shkollës? Shumë kantone po hartojnë plane për të garantuar mbrojtje edhe për punëtorët dhe nxënësit që ndodhen larg shtëpisë.

“Siç po e shohim në Kiev, është e domosdoshme të kemi mbrojtje edhe për këto raste,” – shpjegon Daniel Jordi, drejtues i Divizionit të Mbrojtjes Civile pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Zvicrës. “Edhe gjatë një lufte, ekonomia duhet të vazhdojë të funksionojë. Krijimi i një rrjeti të tillë është kolosal, por më ekonomik sesa masat e tjera të mbrojtjes së popullsisë.”

Pra, frika nuk lidhet më vetëm me një konflikt global bërthamor, por edhe me mundësinë e luftërave konvencionale që mund të përfshijnë Europën Lindore. Për shumë zviceranë, kjo është një skenar gjithnjë e më i besueshëm.

Rritja e ndjenjës së pasigurisë ka sjellë ringjallje edhe në sektorin privat: tregu i bunkerëve është sot ndër më aktivët në botë. Çmimet nisin nga 20 mijë euro për strukturat bazë dhe arrijnë deri në mbi 1 milion euro për ato luksoze, të pajisura me çdo komoditet sipas kërkesës së klientit.

Kompanitë zvicerane po shohin me interes të veçantë tregun amerikan, ku ekziston tashmë një industri e madhe e mbrojtjes civile. Por sipas analistëve, prodhuesit zviceranë besojnë se mund të marrin një pjesë të mirë të tregut, nëse tarifat doganore të Trump nuk ua prishin planet.

Lini një Përgjigje