
Presidenti francez Emmanuel Macron, ka zhvilluar bisedime me princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, lidhur me përpjekjet për armëpushim dhe stabilitet në rajon, në një moment kur sapo kanë nisur negociatat në Islamabad.
Macron njoftoi se të dy liderët ranë dakord të mbajnë kontakte të ngushta për të koordinuar qëndrimet dhe për të kontribuar në uljen e tensioneve. Ai theksoi mbështetjen e tij për respektimin e plotë të armëpushimit dhe zgjerimin e tij në rajon.
“Përsërita mbështetjen time për armëpushimin, i cili duhet të respektohet plotësisht dhe të shtrihet pa vonesë në Liban”, deklaroi Macron.
Sipas tij, një tjetër çështje kyçe e diskutuar ishte siguria në rrugët detare strategjike.
“Diskutuam nevojën për të rivendosur lundrimin plotësisht të lirë dhe të sigurt në Ngushticën e Hormuzit sa më shpejt të jetë e mundur", u shpreh presidenti francez.
Në prag të nisjes së bisedimeve në Islamabad, Macron theksoi rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme.
“Ne ramë dakord të qëndrojmë në kontakt të ngushtë me qëllim që të kontribuojmë në një ulje të tensioneve, lirinë e lundrimit dhe përfundimin e një marrëveshjeje për të siguruar paqe dhe siguri të qëndrueshme në rajon”, tha ai.
Deklaratat vijnë në një moment kritik për rajonin, ku tensionet mbeten të larta dhe liria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit konsiderohet thelbësore për tregtinë globale dhe sigurinë energjetike.
Lini një Përgjigje