TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Maj 2026, 10:59

“Ndiqni paratë”, mafia nën radar/ Si po pastrohen milionat në Zvicër

Shkruar nga Pamfleti
“Ndiqni paratë”, mafia nën radar/ Si po pastrohen milionat
Ilustrim

Prokuroria e Cyrihut po intensifikon hetimet ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, ndërsa përballet me një rritje të ndjeshme të numrit të çështjeve penale…

Prokuroria po përballet me mbingarkesë nga numri i madh i çështjeve. Për uljen e numrit të procedimeve të pazgjidhura pritet të ndihmojë një departament i ri i përkohshëm. Operacioni ishte drejtuar posaçërisht kundër figurave të nivelit të lartë të krimit të organizuar. Në fund të prillit, në kuadër të një aksioni të koordinuar ndërkombëtar, hetuesit realizuan një goditje kundër rrjetit kriminal nigerian “Black Axe”, i cili vitet e fundit është zgjeruar ndjeshëm në Zvicër.

Gjatë operacionit në shkallë të gjerë, hetuesit arrestuan gjithsej dhjetë burra të moshës nga 32 deri në 54 vjeç. Mes të arrestuarve ishte edhe drejtuesi rajonal i “Black Axe” për Europën Jugore. Dhjetë personat dyshohen se kanë përfituar miliona nga mashtrimet kibernetike dhe më pas kanë pastruar këto para.

Ky bastisje është vetëm një nga shumë shembujt që tregojnë mënyrën se si operon krimi i organizuar në Zvicër. Për këtë arsye, prokurorët e Cyrihut synojnë të intensifikojnë luftën kundër rrjeteve mafioze dhe mbështeten te motoja “Ndiqni paratë”. Sipas tyre, paratë janë fija lidhëse e shumë krimeve dhe shpesh edhe çelësi për zbardhjen e tyre.

Susanne Leu, kryeprokurorja e kantonit të Cyrihut, deklaroi të premten gjatë konferencës vjetore për media të prokurorisë: “Paratë janë motori i krimit të organizuar.” Kush përfiton para në mënyrë kriminale, përpiqet më pas t’i rikthejë ato në qarkullimin ligjor. Vetëm paratë e pastruara kanë vlerë për sindikatat kriminale. Për këtë arsye, kartelet e drogës, mafia dhe organizata të tjera kriminale investojnë përpjekje të mëdha për të pastruar fitimet e tyre ilegale.

Sipas Susanne Leu, pikërisht aty duhet të përqendrohet lufta kundër kriminalitetit. Goditja e strukturave të pastrimit të parave mund t’i dëmtojë rëndë këto grupe kriminale. Shumë rrjete kriminale përdorin kompani që në pamje të parë funksionojnë ligjërisht, por që përmes manipulimeve në kontabilitet transferojnë para të pista. Bëhet fjalë për biznese që zakonisht qarkullojnë shuma të mëdha parash, si restorantet apo tregtia e automjeteve të përdorura.

Mënyra e funksionimit ilustrohet nga rasti i një tregtari turk në lagjen Langstrasse të Cyrihut. Në një supermarket të vogël dhe të zakonshëm ai shiste produkte ushqimore, fruta, perime dhe mallra të përdorimit të përditshëm. Por ai ushtronte edhe një aktivitet tjetër: pastrim parash për krimin e organizuar. Për klientët e tij kriminalë ai transferoi disa miliona franga te personat e kërkuar jashtë vendit.

Mbi 1200 raste pastrimi parash në vit

Prokurori i lartë i Cyrihut, David Zogg, deklaroi se krimi i organizuar kërcënon themelet e mirëqenies sociale në Zvicër. Sipas tij, paratë janë shtysa kryesore e rrjeteve mafioze. “Duke luftuar këto struktura, ne godasim organizatorët dhe rrjetet kriminale dhe sigurojmë që krimi të mos sjellë përfitim”, tha ai.

Në kantonin e Cyrihut zhvillohen çdo vit më shumë se 1200 procedime për pastrim parash. Hetuesit konfiskojnë shuma prej dhjetëra milionash frangash të parave të pista. Megjithatë, kjo mendohet të jetë vetëm një pjesë e vogël e shumave që rrjetet kriminale gjenerojnë në Zvicër.

Një shembull është trafiku i kokainës. Në Zvicër konsumohen çdo vit rreth 5 deri në 10 tonë kokainë. Vetëm nga shitja e këtyre sasive, rrjetet kriminale përfitojnë mes 100 dhe 300 milionë frangash. Këto para në cash më pas duhet të pastrohen dhe të futen në struktura ligjore për t’u transferuar te organizatorët. Përveç trafikut të drogës, këto rrjete janë aktive edhe në mashtrime të ndryshme, trafikim njerëzor dhe shitje armësh.

Rastet e pastrimit të parave përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të hetimeve që trajton prokuroria. Gjatë vitit 2025 u regjistruan rreth 43 500 raste të reja, 700 më shumë se një vit më parë. Kjo ka sjellë rritje të mëtejshme të numrit të dosjeve të pazgjidhura. Numri total i procedimeve të hapura u rrit me 6.5 për qind, duke kaluar 12 800 raste.

Sipas kryeprokurores Susanne Leu, arsyet lidhen me rritjen e popullsisë, hetimet më komplekse, numrin më të madh të rasteve të referuara nga policia, si dhe digjitalizimin e kriminalitetit.

Për këtë arsye, në prokurori pritet të krijohen 55 vende të reja pune, të përkohshme dhe të përhershme, gjatë tre viteve të ardhshme për të përballuar fluksin e çështjeve. Gjithashtu, në prill nisi punën një e ashtuquajtur “prokurori lehtësuese”, e cila do të funksionojë deri në fund të vitit 2029 dhe do të merret kryesisht me kundërvajtje masive. Këtu përfshihen shkeljet e trafikut rrugor, shkeljet e ligjit për të huajt dhe rastet e vogla të drogës. Autoritetet e Cyrihut shpresojnë që ky zgjerim dhe riorganizim i detyrave të sjellë trajtim më efikas të numrit të madh të çështjeve. /Përshtati Pamfleti nga NZZ/

 

zvicer mafia parate

1 Komente

  1. T
    Tony

    Si i paska pranuar Zvicra e "ndershme" parate e pista, qe pastrohen?

    Lini një Përgjigje