Pikëpyetje mbi metodën e SHBA të lëshimit të ushqimeve nga ajri...
SHBA u është kthyer metodave të vjetra për të ndihmuar qytetarët e pafajshëm në Gaza.
Tre aeroplanë amerikanë C-130 lëshuan nga ajri 66 pako me mbi 38 mijë ushqime të gatshme për popullatën palestineze. Kështu SHBA-të i bashkohen asaj që Egjipti, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Franca kanë bërë prej ditësh. Por këto operacione humanitare, sipas ekspertëve, janë të shtrenjta, të ndërlikuara dhe më pak efektive se transporti tokësor me kamionë. Jo vetëm kaq. Kjo metodë gjithashtu rrezikon të ndezë përplasje njerëzve të dëshpëruar nëse nuk planifikohet në detaje ndarja e ushqimeve.

Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara thotë: "Airdrots janë një mënyrë ekstreme shpërndarjeje dhe mund të miratohen vetëm kur të gjitha opsionet e tjera dështojnë". Vetëm për krahasim: mesatarisht, një avion ushtarak mund të bartë ekuivalentin e ushqimit dhe të nevojave bazë të dy kamionëve. Dhe kostoja e transportit ajror varion nga 1300 deri në 1500 dollarë për ton, 7-10 herë më e lartë se ajo me rrugë.
Por si funksionon? “Udhëtimi” i ndihmës fillon në magazinë. Paketimet përmbajnë ushqime të afta për të përballuar përlasjen në tokë si oriz, grurë, miell, bizele, sheqer, qiqra, ujë dhe vaj vegjetal. Ilaçet shmangen në këto lloj operacionesh sepse kanë më pak gjasa të mbërrijnë të paprekura. Gjithçka është e mbështjellë në një ambalazh të fortë që vepron si "jastëk" në momentin e goditjes në tokë. Paketimet zakonisht kanë ngjyra të ndryshme: blu (ose jeshile) për lëndët ushqyese, e bardhë për drithërat, e kuqe për bishtajore. Çdo aeroplan mund të mbajë midis 26 dhe 30 ton, me një normë të humbjes së ushqimit që varion midis 0.5-1%.

Në të njëjtën kohë vendoset edhe plani i fluturimit. Personeli ushtarak studion situatën në terren: shkalla e rrezikut përcakton lartësinë nga e cila hidhet ndihma. Në një territor "të qetë" dhe me hapësirë të mjaftueshme të lirë, avioni fluturon në lartësi të ulëta, midis 100 dhe 300 metra, gjë që do të lejonte hedhjen e paketave pa parashutë. Sa i përket Gazës - e banuar dhe e ndërtuar dendur - amerikanët zgjodhën një lartësi më të madhe, të paktën një mijë metra , dhe për këtë arsye ushqimi u grupua në paleta të pajisura me parashuta.
Aspekti tjetër ka të bëjë me kushtet e motit. Pilotët e marrin këtë parasysh kur shkëputen për të parandaluar që paletat të përfundojnë në det ose në zona që janë të vështira për t'u aksesuar. Edhe një erë e papritur mund të lëvizë pakot qindra metra. Saktësia është vendimtare. Aq sa plani i fluturimit tregon edhe zonën e "uljes" së pakove: një zonë pa pengesa, mundësisht një hapësirë toke e dukshme nga lart, e cila mund të jetë aq e madhe sa një fushë futbolli (rreth 100 x 60 metra) në një parcelë prej 1000 x 1500 metra (për lëshime nga 5-7 mijë metra lartësi). SHBA përdorën C-130, të aftë për të transportuar 16 paleta, krahasuar me 40 për C-17.

Pasi avioni shkon mbi vendin e caktuar, ngarkesa lëshohet: zbritja me parashutë bëhet me një shpejtësi prej afërsisht 85 km/h. Dhe këtu është një problem tjetër për amerikanët. Pa një prani ushtarake amerikane në terren, nuk ka asnjë garanci që ndihma nuk do të përfundojë në duart e Hamasit. Në fakt, ky lloj misioni përfshin gjithmonë praninë, në terren, të punonjësve që janë përgjegjës për dhënien e OK për nisjen e operacionit, më pas mbledhjen e paletave, transferimin e tyre në qendrat përkatëse dhe shpërndarjen e ushqimore për popullatën. /Pamfleti

Lini një Përgjigje