
Një pjesë e anëtarëve të NATO-s po kundërshtojnë përpjekjet e të tjerëve për t'i dhënë Ukrainës një "rrugë politike" për anëtarësim në një samit të ardhshëm.
Sipas, Financial Times, SHBA, Gjermania dhe Hungaria janë kundër planit, të cilin anëtarët e tjerë të NATO-s shpresojnë ta paraqesin në mbledhjen në korrik.
Dy zyrtarë me njohuri për këtë çështje i thanë gazetës se kishte "debat intensiv" mbi atë që saktësisht duhet t'i ofrohet Ukrainës në samitin në Lituani.
Ai raportoi se të gjithë anëtarët e NATO-s ranë dakord që anëtarësimi i Ukrainës nuk mund të diskutohet "seriozisht" derisa lufta me Rusinë vazhdon. Megjithatë, një numër aleatësh janë të prirur të propozojnë një "rrugë politike" drejt anëtarësimit.
Kuptohet se Uashingtoni, Berlini dhe Budapesti e kundërshtojnë këtë propozim, ndërsa ideja thuhet se është duke u shtyrë nga shtetet baltike dhe Polonia.
Kujtojmë se Ukraina aplikoi zyrtarisht për t'u bashkuar me NATO-n shtatorin e kaluar pasi Rusia aneksoi ilegalisht katër rajone në lindje të vendit. Zyrtarët rusë kanë paralajmëruar për një luftë të tretë botërore nëse Ukraina lejohet të bashkohet me aleancën ushtarake.
Këtë javë Finlanda u bashkua me NATO-n, duke dyfishuar kufirin e vendeve anëtare me Rusinë në një pengesë për Vladimir Putin, i cili shpesh ankohet për zgjerimin e aleancës.
Është e qartë se Kievi shpreson për garanci shtesë në samitin e Vilnius, i cili do të zhvillohet më 11 dhe 12 korrik.
Lini një Përgjigje