
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka mbajtur një konferencë për shtyp pas vendimit të Moskës për tu tërhequr nga marrëveshja e grurit.
Ai tha se si rezultat i këtij vendimi, qindra miliona njerëz që përballen me një krizë globale të kostos së jetesës "do të paguaj çmimin”.
“Më vjen shumë keq për vendimin e Federatës Ruse për të ndërprerë zbatimin e Iniciativës së Detit të Zi duke përfshirë tërheqjen e garancive ruse të sigurisë për lundrimin në pjesën veriperëndimore të Detit të Zi. Kjo iniciativë ka siguruar kalimin e sigurt të mbi 32 milion tonë metrikë mallrash ushqimore nga portet e Ukrainës”, tha Guterres.
Ai shtoi se Nisma e Detit të Zi, së bashku me Memorandumin e Mirëkuptimit për lehtësimin e eksporteve të produkteve ushqimore dhe plehrave ruse, kanë qenë thelbësore për sigurinë ushqimore globale.
“Në një kohë kur prodhimi dhe disponueshmëria e ushqimit është duke u ndërprerë nga konfliktet, ndryshimet klimatike, çmimet e energjisë dhe më shumë, këto marrëveshje kanë ndihmuar në uljen e çmimeve të ushqimeve me mbi 23% që nga marsi i vitit të kaluar.
Qindra miliona njerëz përballen me urinë dhe konsumatorët po përballen me një krizë globale të kostos së jetesës. Ata do të paguajnë çmimin”, tha ai.
Guterres u shpreh ndër të tjera se i dërgoi një letër Putinit me një propozim të ri për të mbajtur "gjallë" Iniciativën e Detit të Zi, por që nuk u mor parasysh.
“Vendimi i sotëm i Federatës Ruse do të godasë njerëzit në nevojë kudo. Duke parë përpara, qëllimi ynë duhet të vazhdojë të jetë avancimi i sigurisë globale të ushqimit dhe stabiliteti global i çmimeve të ushqimit. Ky do të mbetet fokusi i përpjekjeve të mia, duke marrë parasysh rritjen e vuajtjeve njerëzore që do të rezultojë në mënyrë të pashmangshme nga vendimi i sotëm. Ne do të qëndrojmë të fiksuar në gjetjen e rrugëve për zgjidhje. Ka thjesht shumë në rrezik në një botë të uritur dhe të lënduar”, përfundoi Guterres
Lini një Përgjigje