TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Qershor 2026, 11:37

"Mos shko në Tivat!", shërbimet sekrete serbe japin alarmin për Vuçiçin

Shkruar nga Pamfleti
"Mos shko në Tivat!", shërbimet sekrete serbe japin alarmin
Aleksandar Vuçiç

Agjencia serbe e inteligjencës thotë se ekziston rrezik i lartë sigurie për presidentin Aleksandar Vuçiç para Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat. Podgorica garanton sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve...

Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) njoftoi se i ka rekomanduar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të mos udhëtojë në Mal të Zi për Samitin BE–Ballkani Perëndimor, pasi ka vlerësuar se ekziston një “rrezik i lartë sigurie”. Në deklaratën e saj, BIA tha se, sipas informacioneve operative që posedon, në Mal të Zi ndodhet aktualisht Radoje Zvicer, i konsideruar si lider i klanit kriminal të Kavaçit.

Agjencia shtoi se autoritetet malazeze nuk i kanë dorëzuar vlerësimin e sigurisë që, sipas saj, është kërkuar disa herë nga shërbimet serbe. Mbrëmjen e së mërkurës, zyrtarë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet dhe gazetarë të televizionit proqeveritar Informer i bënë thirrje Vuçiçit të mos udhëtojë në Tivat.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, deklaroi për Informer se kishte tentuar ta bindte presidentin të hiqte dorë nga udhëtimi, por ai kishte refuzuar, duke këmbëngulur se do të marrë pjesë në samit “për shkak të detyrës ndaj Serbisë”.

Në reagimin e saj, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi publikoi një mesazh në platformën X, ku theksoi se vendi do të bëjë gjithçka për të pritur “miqtë, aleatët dhe partnerët” në nivelin më të lartë dhe për të garantuar zhvillimin me sukses të samitit.

“Si anëtare e përgjegjshme dhe e besueshme e NATO-s, Mali i Zi u garanton të gjithë mysafirëve një qëndrim të sigurt dhe të qetë. Prioriteti ynë mbetet që asnjë rrethanë e jashtme të mos errësojë suksesin e samitit dhe objektivat e përbashkëta që promovojmë përmes tij”, thuhet në deklaratë.

Samiti BE–Ballkani Perëndimor zhvillohet më 5 qershor në Tivat dhe pritet të mbledhë krerë shtetesh dhe qeverish nga rajoni dhe Bashkimi Evropian.

Paralajmërimet për sigurinë e Vuçiçit erdhën pas një incidenti të ndodhur të mërkurën, kur një fluturim çarter nga Beogradi me 87 pasagjerë u kthye nga Tivati në Serbi. Policia malazeze dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Malit të Zi e konsideruan fluturimin si rrezik potencial për sigurinë.

Portali malazez Vijesti raportoi se shumica e personave të kthyer kanë precedentë penalë dhe prej vitesh janë përmendur në mediat serbe si individë të angazhuar në “detyra të veçanta” për regjimin e SNS-së.

Sipas fotografive të publikuara nga media, disa prej tyre mbanin pajisje telekomunikacioni dhe pankarta me sloganin “Serbia po fiton”, që përdoret prej muajsh nga SNS-ja në kundërpërgjigje ndaj sloganit të lëvizjes studentore në Serbi “Studentët po fitojnë”.

Qëllimi i udhëtimit të këtij grupi drejt Malit të Zi mbetet i paqartë.

Ndërkohë, televizioni N1 raportoi se autoritetet serbe penguan hyrjen e një grupi udhëtarësh nga Mali i Zi në Serbi dhe se një fluturim nga Podgorica iu nënshtrua një kontrolli të papritur sigurie, në atë që media e cilësoi si një masë të mundshme hakmarrëse nga Beogradi. /Pamfleti/

 

tivat sherbimet sekrete vucic

Lini një Përgjigje