
Me sloganin "Liri në Palestinë!" NATO-ja është një vrasës”, punonjësit e portit COSCO penguan dje në mbrëmje, ngarkimin e një kontejneri me municione të destinuara për në Izrael .
Anija që do të hynte në portin e Pireut për të ngarkuar kontejnerin është e destinuar për në portin izraelit të Haifës. Ngarkesa me kontejner mbërriti në Greqi nga Maqedonia e Veriut.
Në mobilizim morën pjesë Qendra e Punës e Pireut, Sindikata e Industrisë së Metaleve dhe Anijeve të Greqisë, Attica, Sindikata e Karpentjerëve të Anijeve, punëtorë, të rinj dhe organizata të Pireut, ndërsa slogani dominues ishte "Punëtorët e portit të mos firmosin, të mos i lyejnë duart me gjakun e popullit palestinez”

Punonjësit e portit grek kërkuan distancimin e vendit të tyre nga kjo luftë dhe mos përfshirjen në gjenocidin ndaj palestinezëve.
“Sot po e vëmë në praktikë atë që vendosëm të mërkurën në asamblenë e përgjithshme të Shoqatës ENEDEP. Të mos lejojmë transportimin e materialeve luftarake nga porti i Pireut për të vazhduar gjenocidin e popullit palestinez. Është momenti për të bërtitur se nuk do të lejojmë që porti i Pireut të bëhet bazë lufte. Ne kërkojmë këtu dhe tani që të ndalojë e gjithë përfshirja e vendit tonë në luftëra. Shkëputja nga planet imperialiste dhe rivalitetet e tyre, që e bëjnë vendin tonë dhe portin e Pireut në shënjestër të hakmarrjes.
Në portin ku çdo ditë luftojmë me sindikatat për masat e shëndetit dhe sigurisë, planet e tyre luftarake nuk shkojnë. Në portin ku çdo ditë luftojmë për kushte më të mira jetese dhe pune për ne dhe fëmijët tanë, nuk ka vend për vrasësit e popullit. Mund të ndodhë që duart e të gjitha qeverive të deritanishme të jenë zhytur thellë në gjakun e mijëra njerëzve me tolerancën dhe pjesëmarrjen e vendit tonë në aleancën e ujqërve të NATO-s dhe BE-së, por ne kemi mësuar t'i mbajmë të pastra dhe t'i zgjasim për këdo që ka nevojë”, theksoi Markos Bekris, kryetar i Sindikatës ENEDEP dhe Qendrës së Punës Pire, duke informuar punonjësit e portit COSCO në turnin e mbrëmjes se kolegët e tyre nuk lejojnë të ngarkohet kontejneri.
Lini një Përgjigje