Nuk është parë kurrë, është i plagosur. Megjithatë për shërbimet sekrete ai ka një rol strategjik…
Mojtaba Khamenei është shpallur si Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, duke zëvendësuar të atin, pak ditë pas atentatit që e plagosi. Që atëherë ai nuk është shfaqur më në publik. Në atë sulm ajror të shkurtit mbetën të vrarë bashkëshortja, djali dhe pikërisht i ati, ish-Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei.
Që nga ajo ditë, e vetmja gjë që iranianët kanë dëgjuar ose parë nga lideri i tyre i ri janë mesazhe që supozohet se janë shkruar prej tij dhe imazhe që duket se janë modifikuar ose gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Kjo ka ushqyer spekulime mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe mbi rolin e tij në strukturën drejtuese iraniane. Të shtunën, për herë të parë, një zyrtar i Teheranit konfirmoi se Khamenei ka pësuar dëmtime në kapakun e gjurit dhe në shpinë, pa saktësuar megjithatë rëndësinë e gjendjes së tij.
Nuk dihet se ku ndodhet Khamenei. Ai nuk përdor pajisje elektronike për të komunikuar, ndërvepron vetëm me ata që mund ta vizitojnë personalisht ose duke dërguar mesazhe përmes korrierëve. Khamenei mbetet i izoluar ndërsa vazhdon të marrë trajtim mjekësor për plagët e marra, mes të cilave djegie të rënda në njërën anë të trupit, në fytyrë, krah, bust dhe këmbë.
Megjithatë, Mazaher Hosseini, shef i protokollit në zyrën e Udhëheqësit Suprem të Iranit, deklaroi se ai po rikuperohet dhe “tani është në gjendje të plotë shëndetësore”.
“Njerëzit duhet të kenë durim. Ai do t’u flasë në momentin e duhur”, shtoi ai.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi në fillim të kësaj jave se kishte zhvilluar një takim dy orë e gjysmë me Khamenein, takimi i parë i dokumentuar personalisht mes një zyrtari të lartë iranian dhe Udhëheqësit të ri Suprem.
Pavarësisht kësaj, inteligjenca amerikane beson se Mojtaba po luan një rol kyç në përcaktimin e strategjisë ushtarake iraniane, duke kontribuar së bashku me drejtuesit e lartë ushtarakë në marrjen e vendimeve që duhet të çojnë drejt përfundimit të konfliktit, edhe pse hierarkia e saktë brenda një regjimi tashmë të fragmentuar mbetet pak e qartë. Përçarje të brendshme që kanë penguar aftësinë e Iranit për të paraqitur propozime të përbashkëta para negociatorëve amerikanë.
Pas vrasjes së të atit të Khameneit, Trump megjithatë është mburrur se i ka imponuar Republikës Islamike një ndryshim regjimi dhe i ka quajtur “të arsyeshëm” ata që tani negociojnë në emër të Teheranit.
Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin në International Crisis Group, kishte shpjeguar se pavarësisht nëse Udhëheqësi i ri Suprem ishte apo jo në gjendje të drejtonte bisedimet, “t’i atribuosh atij disa qëndrime është një mënyrë e mirë që negociatorët iranianë të mbrohen nga kritikat”.
Është gjithashtu e mundur që disa anëtarë të strukturës së pushtetit iranian të pretendojnë se kanë qasje te Khamenei për të përvetësuar autoritetin e tij dhe për të promovuar interesat e tyre.
Për më tepër, sipas disa analistëve, ekziston edhe një problem tjetër që pengon kërkimin e një zgjidhjeje të negociuar, përkatësisht një keqkuptim thelbësor i mënyrës së të menduarit dhe reagimit ndaj kërcënimeve nga ana e iranianëve, pavarësisht se kush është në pushtet. /Përshtatur nga IlGiornale/
Lini një Përgjigje