Ndërsa kryeministri pritet të mbajë sot fjalimin e tij më të rëndësishëm që kur ka marrë detyrën, brenda radhëve laburiste besnikëria po shkërmoqet përballë humbjes historike. Figurat kryesore kanë nisur pozicionimin në hije, duke e kthyer Downing Street-in në një skenë të ethshme për pushtet, ku çdo lëvizje sinjalizon fundin e mundshëm të erës Starmer...
Kur Angela Rayner theu më në fund heshtjen pas poshtërimit elektoral të Partisë Laburiste, fjalët e saj ishin një goditje brutale ndaj bilancit të Sir Keir Starmer. “Ajo që po bëjmë nuk po funksionon dhe kjo duhet të ndryshojë. Kjo mund të jetë shansi ynë i fundit…- deklaroi ajo me tone të prera.
Ish-zëvendëskryeministrja i bëri thirrje Starmerit t’i japë fund “kulturës toksike të klientelizmit” dhe të lejojë kryebashkiakun e Manchesterit, Andy Burnham, të kthehet në Westminster për të marrë një rol udhëheqës.
Rayner ofroi një recetë të qartë se si Laburistët duhet të “përballen me momentin”, duke paraqitur një listë kërkesash nga krahu i majtë që synojnë transformimin e politikave ekonomike.
Kërkesat e saj përfshijnë taksimin më të lartë për të pasurit, uljen e menjëhershme të kostove shtëpiake, fundin e sistemit të pronësisë së kufizuar, rritjen e pagës minimale dhe dhënien e më shumë kompetencave kryebashkiakëve rajonalë.
“Partia Laburiste ekziston për të përmirësuar jetën e njerëzve të thjeshtë. Por kjo nuk po ndodh aq shpejt sa duhet ndaj gjërat duhet të ndryshojë tani”- theksoi ajo. Komentet e Rayner u bënë të dielën në mbyllje të një dite të vështirë për kryeministrin britanik, ndërsa deputetët laburistë debatonin hapur nëse duhej të niste menjëherë një garë për lidershipin.
Tani fati i tij varet pjesërisht nga mënyra se si do të pritet fjalimi i tij nga një figurë deri më tani pak e njohur: deputetja Catherine West. Ish-ministrja e nivelit të ulët ka kërcënuar me një sfidë zyrtare për udhëheqjen nëse fjalimi i Starmerit dështon të sinjalizojë zbatimin në të ardhmen të politikave më të guximshme.
Nga ana tjetër deputetë që më parë kishin qenë besnikë, si në publik ashtu edhe në privat, filluan të deklarojnë se do t'i jepnin mbështetjen e tyre West-it për të hapur garën. Mbi 25 deputetë, nga të gjitha krahët e partisë, i kanë bërë thirrje Starmerit ose të japë dorëheqjen, ose të përcaktojë një afat të prerë për largimin e tij.
Midis tyre ishte edhe Josh Simons, dikur një besnik i palëkundur, i cili deklaroi troç se kryeministri “e ka humbur postin e tij”. Edhe udhëheqësi i laburistëve në Skoci, Anas Sarwar, fajësoi “valën kombëtare” kundër partisë për humbjen dërrmuese në zgjedhjet e Holyrood.
Në këtë atmosferë tensioni, të cilën shumë zyrtarë dhe analistë e përshkruajnë si “apokaliptike”, krahut të majtë të partisë i ka hyrë paniku nga frika se një garë e shpejtë mund të favorizojë Sekretarin e Shëndetësisë, Wes Streeting, duke qenë se Andy Burnham nuk mund të kandidojë derisa të fitojë një mandat deputeti.
Emra si John McDonnell dhe Richard Burgon kanë kërkuar që gara të shtyhet, duke paralajmëruar mbi rrezikun e një ”puçi pallati” të projektuar për të kurorëzuar dikë si Streeting pa një debat të mirëfilltë ideologjik.
Megjithatë, mbështetja për Starmer brenda kabinetit po shteron. Një ministër pranoi se besimi te kryeministri aktual është lëkundur rëndë, duke u shprehur se situata është jashtëzakonisht e rrezikshme për stabilitetin e qeverisë.
Tani, sytë e të gjithëve janë te fjalimi i radhës, ku Starmer do të tentojë të paraqesë një axhendë të re legjislative për të bindur deputetët e tij se mund ta përmbysë situatën.
Por pas humbjes së më shumë se 1.460 vendeve në këshillat lokalë, skeptikët janë të shumtë dhe të zhurmshëm. Burimet brenda laburistëve sugjerojnë se Catherine West po mbledh mbështetje me shpejtësi dhe mund t'i paraqesë Starmerit një ultimatum: garë të menjëhershme ose një kalendar të qartë largimi nga detyra.
Edhe figura si Ed Miliband po përmenden si kandidatë të mundshëm për të ndalur hovin e krahut të djathtë. Intervista e fundit e Starmer-it, ku ai deklaroi se synon të qëndrojë në pushtet për dy mandate të plota, është pritur me tallje nga kolegët e tij.
Ata e shohin atë si të paaftë për të komunikuar me votuesit dhe të shkëputur nga realiteti politik. “Ai ka një fytyrë pa shprehje dhe një zë acarues. Askush nuk po pret më një mrekulli prej tij”- tha një deputet laburist në kushte anonimiteti./Pamfleti nga “The i Paper”
Lini një Përgjigje