TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Tetor 2024, 21:35

Misteri i zhdukjes së kundërshtarëve të Putinit në Kremlin!

Shkruar nga Massimiliano Coccia

Misteri i zhdukjes së kundërshtarëve të Putinit në

Vdekja tragjike (me shumë gjasa e vrarë) e Viktoria Roschina, vrasja e Alexei Navalny-t dhe shumë vdekje të tjera që ndodhin çdo ditë në burgjet ruse vjen nga pasiguria dhe izolimi i viktimave.

Në rast se duam të kuptojmë se si funksionon Rusia e Vladimir Putinit, dhe çfarë objektivash synon të ndjekë përtej rrugës së të ardhurave të paligjshme, anashkalimit të sanksioneve perëndimore dhe propagandës, duhet të ndalemi dhe të analizojmë situatën e burgjeve. Institucionet e dënimit, transferimet e të burgosurve, shtypja e madhe dhe e vazhdueshme, nuk janë fytyra tjetër e një diktature të egër që zbulon natyrën e saj të vërtetë në errësirën e qelive, e cila është e pamundur të normalizohet. Një raport, i redaktuar nga Rrjeti Evropian i Problemeve në Burgje, po përpiqet t’i japë fund censurës mbi këtë çështje. Ne biseduam me avokatin Dmitry Gurin (këshilltar ligjor i organizatës), dhe një nga ekspertët më të mirë mbi makinerinë e represionit të Vladimir Putinit.

Kushtet e paraburgimit në Rusinë e Putinit janë përkeqësuar shumë, ndërsa burgjet janë vende dhune dhe ndëshkimi. Çfarë del nga raporti?

Sistemi penitenciar rus, nuk është vetëm një vend i ndëshkimit dhe i shkeljeve masive e të drejtave të njeriut. Ai përfaqëson një rrjet të gjerë qendrash torture në të gjithë vendin, të përdorura për të torturuar njerëzit e privuar nga liria personale, për të thyer vullnetin e tyre dhe për t’i degraduar ata.

Degradimi është bërë prej kohësh mjeti kryesor i menaxhimit të burgjeve në Rusi. Nëse më parë përdorimi i torturës ishte disi i fshehur, tani miratohet hapur, dhe “praktikat më të mira” të eksperimentuara në sektorin e burgjeve, zbatohen tani në menaxhimin e shumë institucioneve sociale.

Zhdukjet e dhunshme, përdoren vazhdimisht për të ushtruar presion mbi të burgosurit politikë, duke i mbajtur ata dhe familjet e tyre në një situatë pasigurie të vazhdueshme. Por ato përdoren gjerësisht edhe kundër “të burgosurve të zakonshëm”, ndaj qindra mijëra njerëzve. Dhe që nga viti 2014, kundër popullsisë civile të Ukrainës.

Raporti i referohet metodave që përdoreshin edhe gjatë Bashkimit Sovjetik për trajtimin e të burgosurve. Ç’mund të ndodhë më tej?

Shërbimi Federal Penitenciar i Rusisë (FSIN) është pasardhësi i drejtpërdrejtë i Administratës Penitenciare të Perandorisë Ruse dhe Gulagut Sovjetik. Kjo trashëgimi përfshin kampet e punës së detyruar, ekzekutimet, dëbimet e detyruara dhe të gjitha format e tjera të shtypjes, të cilat kanë shkaktuar miliona viktima.

Në vend se ta prishë këtë rreth vicioz kriminal dhe të bëhet një institucion modern, human dhe rehabilitues, FSIN e ka ruajtur me kujdes këtë trashëgimi. Situata mund dhe do të përkeqësohet në rast se nuk ndalet makineria e represionit. Autoritetet e burgjeve ruse kanë zhdukur me shpejtësi dhe njëra pas tjetrës, të gjitha instrumentet e kontrollit dhe barrierat që u përpoqën të kufizonin dhe monitoronin veprimin e tyre, komisionet e monitorimit publik, mbikëqyrjen nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), ajo për Parandalimin e Torturës (KPT) etj.

Avokatët ndalohen të kenë me vete në burg pajisje që bëjnë foto, video dhe audio, ndërsa mbrojtësit e të drejtave të njeriut janë dëbuan, sulmuar dhe persekutuar. Të gjitha këto masa u morën për të vepruar të lirë brenda burgjeve për të vrarë, torturuar, për të marrë rrëfime nën tortura dhe për t’i dërguar njerëzit në luftë me dhunë.

Ditët e fundit kemi raportuar vdekjen e Viktoria Roschina-s, një gazetare ukrainase që do të shkëmbehej me disa robër rusë të luftës. Duket si i njëjti fat tragjik me Alexei Navalny-n. Çfarë ndodh me transferimet e të burgosurve?

Vdekja e Viktoria Roschina-s, na kujton edhe një herë një të vërtetë të tmerrshme. Në rastin e  transferimit, çdo gjë mund t’i ndodhë një personi të ndaluar, dhe nëse dëshirojnë autoritetet, jeta e tij mund të marrë fund menjëherë. Vdekja tragjike (me shumë gjasa e vrarë) e Viktoria Roschina, vrasja e Alexei Navalny-t dhe shumë vdekje të tjera që ndodhin çdo ditë në burgjet ruse vjen nga pasiguria dhe izolimi i viktimave.

Transferimi ofron mjedisin e përsosur për t’i forcuar këto dy kushte, që shpesh zgjasin 2-3 javë, gjatë të cilave njerëzit e ndaluar dërgohen në ambiente të ndryshme në furgonë të blindura dhe trena, të privuar nga çdo kontakt me botën e jashtme.

Të ndaluarit nuk lejohen të komunikojnë me familjet dhe avokatët e tyre. Transferimet përdoren shpesh për të thyer vullnetin e të burgosurve, për t’i torturuar fizikisht dhe psikologjikisht ata, për t’i fshehur nga publiku dhe familjet e tyre, dhe në fund për t’i eliminuar ata.

Çfarë ka ndryshuar në këtë sistem që nga fillimi i pushtimit të gjerë të Ukrainës?

Shumë gjëra. Në shkurtin e vitit 2022, u këputën zinxhirët e fundit që e frenonin këtë bishë. Sistemi është bërë edhe më i mbyllur dhe më jo transparent. FSIN e ka ndaluar publikimin e statistikave të burgjeve. Në një lëvizje të paprecedentë, një kontraktor ushtarak gjysmë privat - Wagner - u lejua të hynte në burgje, të rekrutonte të burgosur dhe t’i përdorte ata si mish për top në luftimet në Ukrainë (janë rekrutuar të pakën dhjetëra mijëra të burgosur, dhe 40 për qind e tyre janë vrarë tashmë).

Ish zyrtarë të FSIN janë vendosur në Ukrainë. Sistemi i vuajtjes së dënimit nisi të menaxhonte civilët ukrainas, përfshirë të burgosurit e dënuar nga gjykatat ukrainase, të cilët vuanin dënimin e tyre dhe robër lufte. Mijëra të tillë, mbahen të izoluar dhe i nënshtrohen torturave dhe keqtrajtimit të përditshëm.

Përveç paraburgimit të zakonshëm, ekzistojnë shumë lloje burgjesh me kushte të vështira. A mund të na përmendi disa nga teknikat kryesore të ngacmimit?

Zyrtarisht, sipas ligjit kombëtar, në Rusi ekziston një sistem kompleks, një hierarki e ambienteve të paraburgimit që korrespondojnë me regjime të ndryshme - nga ato më të butat deri tek burgjet dhe kolonitë e regjimit special - në të cilat ndryshojnë kushtet e paraburgimit dhe kufizimet e vendosura ndaj të paraburgosurve (për shembull në lidhje me numrin e pakove të lejuara për të marrë nga jashtë, vizitat, numrin e telefonatave, të drejtën e qasjes në arsim apo punë etj).

Administratat e burgjeve, përdorin një gamë të gjerë praktikash për të ruajtur rendin formal dhe joformal, dhe për të ushtruar presion mbi disa të burgosur, përfshirë torturën fizike, muzikën shumë të lartë, izolimin së bashku me sëmurë mendorë, privimin nga ushqimi dhe ilaçet, izolimi në qeli të vogla disiplinore (të njohura si Shizo) dhe natyrisht, transferimet për një kohë të gjatë në koloni penale shumë të largëta.

Çfarë dallimesh ekzistojnë midis kriminelëve të zakonshëm dhe kundërshtarëve politikë të regjimin në aspektin e trajtimit?

Askush nuk është i sigurt. Nëse një vit më parë, mund të mendohej me naivitet se vëmendja e opinionit publik, avokatëve, ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave ndërkombëtare, do të kishte dhënë të paktën një garanci minimale për jetën dhe sigurinë e disa të burgosurve, pas vdekjes së Navalny-t e dimë se nuk është kështu.

Nëse autoritetet vendosin t’i japin fund jetës së një personi të ndaluar apo ta keqtrajtojnë, kjo do të ndodhë pavarësisht kritikave. Dallimi i vetëm midis të burgosurve politikë dhe të burgosurve “të zakonshëm”, është se të parëve nuk u humbet asnjë fije floku pa një urdhër të drejtpërdrejtë nga Moska, qoftë Kremlini apo FSB-ja (Shërbimi Federal i Sigurisë). Të burgosurit e zakonshëm mund të vriten, torturohen nga administratat lokale të burgjeve pa ndonjë autorizim të veçantë nga eprorët e tyre ose qendra federale./Përshtati "Pamfleti", nga “Linkiesta”

putin kremlin zhdukje kundershtar

Lini një Përgjigje