TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Mars 2026, 09:55

Miqtë e Trump po fitojnë miliarda nga spekulimet në bursë, të nxitura nga manovrat e tij mbi Iranin

Shkruar nga Robert Reich
Miqtë e Trump po fitojnë miliarda nga spekulimet në bursë,
Donald Trump

A mund të ishte për shembull Jared Kushner, dhëndri i Trump, i cili është përfshirë në përfaqësimin e SHBA-së në negociatat me Iranin dhe drejton një firmë private investimesh me mbi 6 miliardë dollarë, e financuar kryesisht nga fondet sovrane të Lindjes së Mesme, veçanërisht nga Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite?

Margaret Ryan, zyrtarja më e lartë e zbatimit të ligjit në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Bursave (SEC), agjencia e ngarkuar me hetimin e tregtisë së brendshme dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme në tregjet financiare dha dorëheqjen papritur javën e kaluar, pas vetëm 6 muajsh në detyrë.

Sipas raportimeve, Ryan dëshironte të ishte më agresive në ndjekjen e akuzave për mashtrim dhe sjellje të tjera të pahijshme, duke përfshirë edhe ato që lidhen me rrethin e ngushtë të Trump. Por kryetari i SEC, Paul Atkins, së bashku me republikanë të tjerë të emëruar në komision, nuk e lejuan këtë qasje.

Kur Trump e emëroi Atkins në krye të SEC, ajo ishte bashkëkryetare e “Token Alliance”, një grup avokatie për kriptomonedhat, dhe zotëronte aksione me vlerë rreth 6 milionë dollarë në biznese të lidhura me këtë sektor.

Gjatë mandatit të Atkins në SEC, komisioni ka rrëzuar ose zgjidhur një sërë padish kundër kompanive të kriptomonedhave dhe ka adoptuar një qasje rregullatore më të butë ndaj mashtrimeve. Po ashtu, ka shmangur raste politikisht të ndjeshme, që siç mund të supozohet kanë lidhje me tregtinë e informacionit të brendshëm nga familjarë dhe bashkëpunëtorë të Trump.

Pse është e rëndësishme kjo? Sepse të hënën, më 23 mars, në orën 7:05 të mëngjesit sipas kohës lindore (ET), Trump postoi në platformën e tij Truth Social se Uashingtoni kishte zhvilluar “BISEDA SHUMË TË MIRA DHE PRODUKTIVE” me Teheranin për një “ZGJIDHJE TË PLOTË DHE TOTALE” të armiqësive.

Menjëherë pas këtij njoftimi, tregu i aksioneve reagoi fuqishëm. Kontratat futures për indeksin S&P 500 u rritën me më shumë se 2.5 për qind para hapjes së tregut. Ndërkohë, kontratat e ardhshme mbi naftën ranë ndjeshëm me rreth 14 për qind brenda pak minutash.

Por diçka shumë e pazakontë kishte ndodhur 15 minuta përpara këtij postimi. Në orën 6:49 të mëngjesit (ET), tregtarët vendosën 734 baste për kontrata të naftës bruto në Bursën Tregtare të Nju Jorkut. Vetëm një minutë më vonë, në 6:50, ky numër u rrit në 2.168 ekuivalent me rreth 170 milionë dollarë.

Në të njëjtën periudhë, pra 15 minuta përpara njoftimit të Trump kontratat afatshkurtra të West Texas Intermediate përjetuan gjithashtu një rritje të fortë të aktivitetit tregtar. I njëjti model u vërejt edhe në kontratat për naftën Brent, indeksi tjetër kryesor global.

Midis orës 6:48 dhe 6:50, vëllimi i tregtimit u rrit nga 20 në mbi 1.650 kontrata, rreth 150 milionë dollarë. Një rritje e ngjashme ndodhi edhe në tregjet e aksioneve. Midis orës 6:49 dhe 6:50 (ET), u vu re një shtim i ndjeshëm i aktivitetit në kontratat futures për indeksin S&P 500, Euro Stoxx 50 dhe tregje të tjera.

Në orën 6:50 të mëngjesit, u blenë kontrata për S&P 500 me një vlerë nominale prej 1.5 miliardë dollarësh. Pra, vetëm 15 minuta përpara njoftimit të Trump se SHBA-ja do të shtynte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit, tregjet përjetuan një rritje të papritur të volumit të tregtimit dhe një rënie të fortë të çmimit të naftës.

Megjithatë, në atë moment nuk kishte asnjë shenjë publike për zhvillimin e bisedimeve serioze midis SHBA-së dhe Iranit. Kjo sugjeron se dikush, ose disa persona, kishin dijeni paraprake për njoftimin e Trump dhe vepruan mbi këtë informacion.

Ata përfituan shuma të mëdha parash nga ky avantazh informativ.

Por kush ishin këta tregtarë të brendshëm? A mund të ishte për shembull Jared Kushner, dhëndri i Trump, i cili është përfshirë në përfaqësimin e SHBA-së në negociatat me Iranin dhe drejton një firmë private investimesh me mbi 6 miliardë dollarë, e financuar kryesisht nga fondet sovrane të Lindjes së Mesme, veçanërisht nga Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite?

Apo Steve Witkoff, i përfshirë gjithashtu në këto negociata dhe me bizneset e tij të investimeve? Apo Howard Lutnick? Apo edhe Melania? Apo ndoshta të gjithë bashkë?

Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Bursave, e ka për detyrë të hetojë raste të tilla të tregtisë së brendshme.

Bazuar në aktivitetin e përshkruar më sipër, në kushte normale SEC do të kishte hapur tashmë një hetim. Por deri tani, nuk ka asnjë veprim. Dhe kjo nuk është hera e parë që ndodhin lëvizje të tilla të dyshimta.

Në janar, u vu re një rritje e madhe e basteve në Polymarket, një platformë parashikimesh e bazuar në kriptovaluta, lidhur me mundësinë e largimit nga pushteti të presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro. Disa orë më vonë, ai u kap nga forcat amerikane.

Një llogari fitoi më shumë se 436.000 dollarë nga një bast fillestar prej 32.537 dollarësh.

Pse duhet të shqetësohemi për këto zhvillime? Së pari, sepse janë shumët të padrejta. Ato dëmtojnë investitorët e zakonshëm, ndërkohë që pasurojnë individë që kanë akses në informacione të privilegjuara, përfshirë vetë Trump dhe rrethin e tij.

Së dyti, manipulime të tilla, e dobësojnë besimin e publikut në drejtësinë e tregjeve financiare. Dhe pa këtë besim, tregjet nuk mund të funksionojnë siç duhet. Thënë thjesht: nëse publiku beson se tregu është i manipuluar në favor të një pakice të privilegjuar, ai do të tërheqë investimet e tij.

Kjo është arsyeja pse ekziston SEC: për të parandaluar tregtinë e brendshme dhe për të mbrojtur integritetin e tregjeve. Dhe pikërisht për këtë arsye është shqetësuese dorëheqja e papritur e zyrtares më të lartë të zbatimit të ligjit në këtë institucion, sidomos në një moment kur ajo kërkonte të forconte ndjekjen e rasteve të mashtrimit që mund të lidhen me rrethin e afërt të Trump.

Ajo që ndodhi të hënën në mëngjes, vetëm 15 minuta përpara njoftimit publik të Trump, ngre pikëpyetje serioze. Ka një fjalë për këtë: korrupsion./Përshtati "Pamfleti", nga “Raw Story”

Shënim: Robert Reich, është profesor i politikave publike në Universitetin Berkeley, dhe ka shërbyer si Sekretar i Punës në vitet 1993-1997 gjatë presidencës së Bill Clinton.

1 Komente

  1. H
    Hari

    Po PSE Po e bejne luften ata?ju vjen keq per iranianet kujtoni,per xhepin e tyre behet e gjitha!

    Lini një Përgjigje