Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se hapja e Ngushticës së Hormuzit për lundrim është në interesin strategjik të vendeve të G7, duke u bërë thirrje aleatëve të SHBA-së të kontribuojnë më aktivisht në këtë drejtim.
Duke folur para nisjes për në Francë, ku do të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të G7, Rubio theksoi se garantimi i lirisë së lundrimit në këtë rrugë kyçe energjetike është në interes të drejtpërdrejtë të vendeve anëtare. “Është në interesin e tyre, në interesin e tyre kombëtar”, u shpreh ai.
Kjo është vizita e parë jashtë vendit për Rubion që nga fillimi i operacioneve ushtarake amerikano-izraelite kundër Iranit më 28 shkurt.
Në të njëjtën kohë, ai konfirmoi se ka “përparim” në negociatat me Teheranin, pa dhënë detaje konkrete. “Po shkëmbehen mesazhe përmes vendeve ndërmjetëse dhe po shënohet progres”, tha ai, duke shmangur çdo parashikim për rezultatin.
Më herët, vendet e G7 — Gjermania, Kanadaja, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Japonia — kanë shprehur qartë mbështetjen për një zgjidhje diplomatike të konfliktit, i cili ka pasoja të gjera për ekonominë globale. Për gati një muaj, Irani ka kufizuar ndjeshëm qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit, një arterie kyçe për tregtinë globale të naftës.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në mbledhjen e kabinetit se Irani është më i interesuar për negociata sesa vetë SHBA, ndërsa përsëriti kritikat ndaj NATO-s. Në të njëjtën linjë, Rubio theksoi se aleatët duhet të “jenë mirënjohës” ndaj SHBA-së për nisjen e operacionit ushtarak në koordinim me Izraelin.
Sa i përket rolit të Rusisë, Rubio u shpreh se Moska është e përqendruar kryesisht në luftën në Ukrainë dhe jo në mbështetjen e Iranit. Megjithatë, ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi se ka indicie se Rusia po kontribuon në përpjekjet ushtarake të Teheranit, të cilat po përdoren kundër objektivave amerikane.
Lini një Përgjigje