
Kritika e kahershme e këtij të fundit, është se aleatët kanë përfituar gjithmonë në kurriz të SHBA-së, duke mos shpenzuar sa duhet mbrojtjen, dhe duke “i rënë qylit” në sigurinë e ofruar nga rrjeti global i Uashingtonit.
Donald Trump është një president i pazakontë i Shteteve të Bashkuara, në aspektin që ai mund të jetë i pari që shkakton më shumë ankth tek aleatët sesa tek kundërshtarët. Për shembull, marrim reagimet ndaj komenteve të tij para inaugurimit në detyrë në lidhje me blerjen e Grenlandës.
Kjo e vendosi aleaten e SHBA-së, Danimarkën, në qendër të ekranit të radarit të politikës së jashtme globale, dhe e detyroi qeverinë daneze - e cila ruan kontrollin e politikave të jashtme dhe të sigurisë të territorit - të deklarojë se Grenlanda nuk është në shitje.
Edhe Kanadaja ka qenë në fokus të Trump, me kërcënimet e tij mbi vendosjen e tarifave tregtare të larta, dhe pretendimin se duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së. Qeveria kanadeze i ka kundërshtuar ashpër komentet e Trump, ka nisur lobimin në kanalet e pasme diplomatike në Uashington, dhe është e përgatitur për një hakmarrje po tregtare.
Që të dyja këto raste, nxjerrin në pah sfidat e ardhshme për menaxhimin e rrjetit global të aleancës amerikane, në një epokë të një rivaliteti në rritje midis fuqive të mëdha, por edhe për NATO-n, shtete anëtare të së cilës janë Danimarka dhe Kanadaja.
Anëtarët e atij rrjeti, e panë dikur sfidën e frikshme të Luftës së Ftohtë të Bashkimit Sovjetik, dhe tani janë të vendosura që ta adresojnë sfidën komplekse të Kinës ndaj rendit ndërkombëtar bashkëkohor. Ato mund të justifikohen pse po i bëjnë pyetjen vetes: E kujt i duhen kundërshtarët, kur ke aleatë si Trump?
Kritika e kahershme e këtij të fundit, është se aleatët kanë përfituar gjithmonë në kurriz të SHBA-së, duke mos shpenzuar sa duhet mbrojtjen, dhe duke “i rënë qylit” në sigurinë e ofruar nga rrjeti global i Uashingtonit. Në një kuptim intuitiv, ky pretendim është i vështirë të mohohet. Në shkallë të ndryshme, të gjitha shtetet në sistemin ndërkombëtar - duke përfshirë aleatët e SHBA-së, partnerët dhe madje edhe kundërshtarët - kanë përfituar pa ndonjë kosto të veçantë nga të mirat e rendit ndërkombëtar që ndërtoi SHBA-ja pas Luftës së Ftohtë.
Por nga ana tjetër, a është Trump i justifikuar në kërkesën e tij për një kthim më të madh të investimeve të dikurshme amerikane mbi sigurinë e aleatëve? Meqë angazhimet e aleancës përfshijnë një përzierje komplekse interesash, perceptimesh, politikash të brendshme dhe pazaresh, Trump nuk do të ishte “marrëveshje-bërësi” që ai mburret se është, në rast se nuk do të kërkonte një rishpërndarje të barrës së aleancës.
Megjithatë, problemi i përgjithshëm me retorikën e tij të fundit të politikës së jashtme, është se një grimcë e të vërtetës, nuk është një bazë e qëndrueshme për një ndryshim gjithëpërfshirës në politikën e jashtme të SHBA-së. Sidomos pretendimet e Trump mbi aleatët që “mbrohet falas” nga Amerika, janë një mbi-thjeshtëzim i një realiteti kompleks.
Dhe kjo ka një kosto potencialisht të konsiderueshme politike dhe strategjike, të cilat lidhen me përdorimin e diplomacisë shtrënguese të SHBA-së, ndaj atyre që Trump i quan partnerët “jo korrektë” të aleancës. E vërteta e hidhur për Trump, është se “mbrojtja pa pagesë” nga aleatët, është vështirë të dallohet nga “ndarja e barrës” standarde të aleancës, ku SHBA është në një marrëdhënie quid pro quo: pra ajo subvencionon sigurinë e aleatëve të saj, në këmbim të përfitimeve që ata ofrojnë për SHBA-në.
Dhe çfarëdolloj koncepti që përdorim për të përshkruar politikën e aleancës amerikane, ai u zhvillua në një mënyrë të qëllimshme dhe metodike përgjatë dekadave. Subvencionimi i sigurisë së aleatëve të saj nga SHBA-ja, është një zgjedhje e vjetër e mbështetur nga një logjikë strategjike: ajo i jep Uashingtonit projeksion të fuqisë ndaj kundërshtarëve, dhe leva të forta ndikimi në marrëdhëniet me aleatët e tij.
Edhe pse mund të ketë pasur përfitime të lira nga politikat e jashtme të aleatëve të SHBA-së, ato kanë qenë shumë modeste krahasuar me kontributin e tyre të përgjithshëm në politikën e jashtme të SHBA-së. Aleatët ishin një pjesë thelbësore në fitoren e SHBA-së në konkurrencën e saj në Luftën e Ftohtë me bllokun komunist të udhëhequr nga sovjetikët, dhe janë pjesë përbërëse në epokën aktuale të konkurrencës strategjike me Kinën.
Pretendimet e fryra ndaj aleatëve, anashkalojnë faktin se kur interesat e SHBA-së ndryshojnë nga aleatët e saj, ajo ose ka vënë veton ndaj veprimeve të tyre, ose ka vepruar vetë me vendosmëri vetë, me pritshmërinë se do ta ndjekin më pas aleatët ngurrues.
Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA-ja mbajti de fakto një veto ndaj aleatë që mund të pajiseshin me armë bërthamore (Britania dhe Franca) dhe cilët jo (Gjermania, Tajvani, Koreja e Jugut). Në vitin 1972, SHBA-ja krijoi një marrëdhënie të ngushtë me Kinën për të frenuar Bashkimin Sovjetik, pavarësisht protestave nga Tajvani dhe shqetësimeve të sigurisë nga Japonia dhe Koreja e Jugut.
Në vitet 1980, Uashingtoni vazhdoi me vendosjen e raketave amerikane në territorin e disa shteteve të NATO-s shumë ngurruese, dhe popullatave të tyre edhe më ngurruese. I njëjti model u vu re në epokën e pas Luftës së Ftohtë, me aleatët kryesorë që mbështetën SHBA-në në ndërhyrjet e saj në Afganistan dhe Irak.
Komentet e fundit të Trump mbi Grenlandën dhe Kanadanë, tregojnë se ai do të ndjekë një qasje edhe më agresive ndaj aleatëve sesa gjatë mandatit të tij të parë. Por është i vështirë të përcaktohet kufiri midis një reagimi politik të arsyeshëm të SHBA-së, dhe një kundërpërgjigjeje shtrënguese.
Sepse nuk janë vetëm politikë-bërësit amerikanë, ata që kanë detyrën sfiduese për ta përcaktuar këtë linjë. Në ndjekjen e një politike të tillë, SHBA -ja rrezikon edhe të dëmtojë kreditet e fituara me vështirësi nga investimet disa dekadëshe në rrjetin e saj të aleancës.
Ndërkaq, është e qartë se në një marrëdhënie aleance duhen dy palë. Aleatët e SHBA-së nuk janë thjesht pengje në skakierën strategjike të Trump. Aleatët kanë mjetet e tyre të reagimit. Ata do të kenë hartuar që përpara fushatës presidenciale në 2024, strategji se si të sillen me Trumpin. Opsionet e tyre variojnë nga ruajtja e bashkëpunimit, deri tek forma të ndryshme të largimit nga një marrëdhënie e ngushtë. A do ta tejkalojnë koston e madhe, përfitimet nga një përçarje e aleancave të vjetra? Është e vështirë thuhet po. Në të cilin rast, ky është një eksperiment që administrata Trump mund të këshillohet që ta shmangë./Përshtati "Pamfleti" nga “Asia Times”
*Shënim: Nicholas Khoo, profesor i asociuar i politikës ndërkombëtare, dhe studiues në Institutin për Çështjet Indo-Paqësorit Universiteti i Otagos.
Lini një Përgjigje