Disa media arabe raportojnë se në sulmet e kryera sot në Teheran nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara dyshohet se kanë humbur jetën dhëndri dhe nusja e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei.
Sipas këtyre mediave, informacioni buron nga një deklaratë e Mitham Mazfar, anëtar i Këshillit Bashkiak të Teheranit. Ai i ka përmendur të afërmit e Khameneit si “martirë”, duke lënë të kuptohet se ata kanë vdekur si pasojë e sulmeve.
Megjithatë, lajmi mbetet i paverifikuar. Deri tani, autoritetet iraniane nuk kanë dhënë asnjë konfirmim apo përgënjeshtrim zyrtar lidhur me raportimet.
Ndërkohë, transmetuesi izraelit Channel 12 raportoi se Izraeli e konsideron të mundshme edhe vdekjen e Ali Khameneit gjatë sulmit të sotëm, duke cituar burime izraelite të paidentifikuara. Sipas këtij televizioni, ekzistojnë “tregues në rritje” që mbështesin këtë vlerësim, por nuk ka konfirmim zyrtar për një zhvillim të tillë.
Pak minuta më herët, Channel 12 kishte raportuar se Khamenei mund të jetë “të paktën i plagosur”. I njëjti burim shtoi se sulmet e sotme kanë shkaktuar “dëme shumë të konsiderueshme” në udhëheqjen e Republikës Islamike dhe në strukturat e saj ushtarake.
Deri në këto momente, informacionet mbeten të bazuara në raportime mediatike dhe deklarata jozyrtare, ndërsa mungon një qëndrim publik nga qeveria iraniane.
Lini një Përgjigje