Policia amerikane dyshon se ngjarja në Muscatine lidhet me një konflikt brenda familjes. Të gjitha viktimat besohet se janë të afërm të autorit të dyshuar...
Gjashtë persona humbën jetën në shtetin amerikan të Iowa-s pas një serie të shtënash që, sipas hetimeve paraprake, lidhen me një konflikt brenda familjes, njoftuan autoritetet lokale.
Sipas Policisë së Muscatine, ngjarja ndodhi të hënën në dy banesa dhe një biznes në qytetin Muscatine. Autori i dyshuar, i identifikuar si Ryan Willis McFarland, 52 vjeç, nga Muscatine, vdiq pasi qëlloi veten me armë zjarri gjatë ndërhyrjes së policisë.
Autoritetet besojnë se viktimat janë anëtarë të familjes së tij. Shefi i Policisë, Anthony Kies, e përshkroi ngjarjen si një “akt të së keqes”.
Katër prej viktimave u gjetën të pajeta në një banesë ku të shtënat u raportuan rreth orës 12:12 sipas kohës lokale. Kur policia mbërriti në vendngjarje, të katër personat kishin ndërruar jetë.
Sipas autoriteteve, McFarland ishte larguar nga shtëpia para mbërritjes së policisë. Oficerët e lokalizuan më vonë në një shteg pranë lumit Misisipi.
“Gjatë komunikimit me Ryan Willis McFarland, ai qëlloi veten”, deklaroi shefi i policisë Anthony Kies. “Policët dhe ekipet e emergjencës i dhanë ndihmën e parë, por vdekja e tij u konstatua në vend.”
BREAKING: Mass shooting in Muscatine, Iowa
— Libs of TikTok (@libsoftiktok) June 2, 2026
Chief of Police says 6 people were found dead including 2 children.
Suspect fatally shot himself after being chased by police.
The suspect is Ryan Willis McFarland and the victims are believed to be his family.
Horrifying pic.twitter.com/9GH0nfCIL2
Gjatë hetimeve, detektivët morën informacione për viktima të tjera të mundshme. Më pas, autoritetet gjetën edhe dy burra të tjerë të vrarë nga plagë me armë zjarri, njëri në një banesë tjetër dhe tjetri në një biznes aty pranë.
Në një deklaratë për shtyp, Policia e Muscatine bëri të ditur se gjetjet paraprake tregojnë se të shtënat erdhën si pasojë e një mosmarrëveshjeje familjare. Autoritetet besojnë se të gjitha viktimat janë pjesëtarë të familjes së autorit të dyshuar.
Policia nuk ka publikuar ende identitetin dhe moshën e viktimave. Shefi i policisë konfirmoi se McFarland kishte precedentë penalë, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Autoritetet theksuan se nuk ekziston më asnjë kërcënim aktiv për komunitetin, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.
Lini një Përgjigje