Nuk raportohen dëme apo të lënduar; Mbrojtja Civile aktivizon njësinë e krizës dhe vazhdon verifikimet në zonat bregdetare.
Rajonet jugore të Italisë u zgjuan nga një tërmet i fuqishëm në orët e para të së martës, 2 qershor, që është edhe festa e Republikës. Lëkundja sizmike ndodhi pak pas mesnatës në Detin Tirren, pranë brigjeve të Kalabrisë.
Sipas Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), tërmeti kishte magnitudë 6.1 dhe u regjistrua në orën 00:12 sipas kohës lokale. Epiqendra ndodhej në det, rreth 20 kilometra larg bregut veriperëndimor të Kalabrisë, pranë qytetit Amantea në provincën e Kozencës.
Hipocentra e tërmetit u lokalizua në një thellësi prej rreth 250 kilometrash nën shtratin e detit. Sipas INGV-së, tërmete të tilla të thella janë karakteristike për pjesën jugore të Detit Tirren dhe lidhen me procesin gjeologjik të zhytjes së pllakës litosferike jonike nën territorin e Kalabrisë.
Lëkundjet u ndjenë në një zonë të gjerë të Italisë jugore, përfshirë Kalabrinë, Napolin, Bazilikatën, Pulian dhe Siçilinë.
Megjithëse magnituda ishte e konsiderueshme, kombinimi i epiqendrës në det dhe thellësisë së madhe të tërmetit kufizoi ndikimin në sipërfaqe. Autoritetet italiane të Mbrojtjes Civile njoftuan se nuk janë raportuar dëme në njerëz apo prona.
Pas ngjarjes, Departamenti Kombëtar i Mbrojtjes Civile bëri të ditur se qendra operative ishte në kontakt të vazhdueshëm me strukturat lokale për të monitoruar situatën dhe për të kryer verifikimet e nevojshme. Drejtori i departamentit, Fabio Ciciliano, mblodhi njësinë e krizës në Romë në orën 01:00.
Salla operative rajonale e Mbrojtjes Civile kontaktoi kryetarët e bashkive më pranë epiqendrës, përfshirë Cetraro, Lamezia Terme dhe Amantea. Sipas autoriteteve lokale, nuk janë konstatuar dëme. Edhe kryetari i bashkisë së Kozencës, Franz Caruso, konfirmoi se situata mbetet nën kontroll.
Bregdeti veriperëndimor i Kalabrisë konsiderohet një nga zonat më të monitoruara sizmike në Itali. Kontrollet në infrastrukturë dhe ndërtesa përgjatë vijës bregdetare të Detit Tirren vijuan edhe gjatë mëngjesit të së martës.
Lini një Përgjigje