Enzo Cannizzaro, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Sapienza të Romës, thotë se që të dy mund të arrestohen nga vendet anëtare të GJNP-së, dhe pse derisa të ndodhë kjo, nuk mund të zhvillohet një proces gjyqësor ndaj tyre.
Benjamin Netanyahu flet për antisemitizëm, dhe për një përndjekje të padrejtë, të ngjashme rastin e famshëm në histori të Alfred Dreyfus.
Megjithatë, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar prej 2 ditësh një urdhër-arresti kundër tij dhe ish-Ministrit izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Enzo Cannizzaro, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Sapienza të Romës, thotë se që të dy mund të arrestohen nga vendet anëtare të GJNP-së, dhe pse derisa të ndodhë kjo, nuk mund të zhvillohet një proces gjyqësor ndaj tyre.
Gjykata (të cilën Uashingtoni dhe Tel Avivi nuk e njohin), priti për një kohë të gjatë presionin e SHBA-së për ta nxitur Izraelin të ndryshonte sjelljen e tij ndaj popullsisë palestineze, por kjo gjë nuk ndodhi. Në fakt, për të mbështetur izraelitët, Shtetet e Bashkuara po i delegjitimojnë institucionet ndërkombëtare, duke rrezikuar kështu që të dobësojnë të gjithë Perëndimin.
Profesor, çfarë domethënie kanë urdhrat e arrestit për Netanyahun dhe Gallant?
Urdhër-arrestet janë masa që i detyrojnë shtetet anëtare të GJNP-së të arrestojnë dhe të nxjerrin para gjykatës të paditurit, në këtë rast kryeministrin e Izraelit, Netanyahu dhe ish-Ministrin e tij të Mbrojtjes, Gallant. Pasoja praktike dhe e menjëhershme, është pamundësia e të dyve për të shkelur në një nga shtetet anëtare të kësaj gjykate.
Prandaj, Netanyahu dhe Gallant janë tashmë në një situatë të ngjashme me atë të Putinit, ndaj të cilit është lëshuar më herët një urdhër arresti. Në fakt, GJNP-ja nuk ka në dispozicion një forcë policore të sajën, e cila mund të hyjë në territorin e shteteve dhe të arrestojë të akuzuarit. Zbatimi i urdhrit të arrestit, është përgjegjësi e forcave policore të shteteve anëtare, kur të pandehurit ndodhen në territorin e tyre.
Cilat janë akuzat ndaj tyre?
Urdhër-arrestet kundër Netayahut dhe Gallant, janë lëshuar për krime shumë të tmerrshme. Nuk kemi ende të zbardhur vendimin e gjykatës, por mund ta kuptojmë përmbajtjen pjesërisht nga njoftimi për shtyp. Akuza e parë është krimi i luftës përmes vdekjes nga uria të popullatës civile.
Gjykata tregon se sipas urdhrave të të dyve, ushtria izraelite u angazhua në sjellje, të cilat shkaktuan qëllimisht mungesën e ujit, ushqimit, energjisë elektrike, karburantit dhe ilaçeve, duke krijuar enkas kushte jetese, të cilat do të shfarosnin një pjese të popullsisë civile të Gazës.
Por nuk është vetëm kjo akuzë...
Jo. Gjykata ka identifikuar edhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht vrasje në shkallë të gjerë të civilëve, persekutim dhe krime të tjera çnjerëzore. Ajo thotë se nuk ka elementë vendimtarë për t’i akuzuar 2 udhëheqësit izraelitë për krimin e shfarosjes. Por sjellja për të cilën akuzohen është vërtet e tmerrshme.
Ndër të tjera, ata janë përgjegjës për kufizimin ose parandalimin e qëllimshëm të qasjes së popullsisë palestineze tek ilaçet dhe pajisjet mjekësore, përfshirë anestezinë, për t’i detyruar mjekët të kryejnë operacione pa anestezi, përfshirë ato tek fëmijëve, dhe për t’i shkaktuar vuajtje të tmerrshme.
A do të ketë një gjyq ndaj tyre, pavarësisht protestave të Izraelit mbi juridiksionin e GJNP-së?
Izraeli nuk është palë e Statutit të Romës, që themeloi Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Por gjykata ka tituj të ndryshëm juridiksioni, përfshirë atë territorial, që e lejon të gjykojë krimet e kryera në territorin e një shteti anëtar, në këtë rast Palestinës, edhe nëse kryhen nga organe të shteteve të treta, si Izraeli.
Izraeli i kërkoi GJNP, si një shtet i interesuar mbi procedurën, që të refuzonte juridiksionin e saj. Por gjykata e refuzoi këtë kërkesë, edhe sepse urdhër-arresti nuk mund të kundërshtohet para se të lëshohet. Megjithatë, për të dalë në gjyq, një individ duhet të jetë i pranishëm.
GJNP nuk mund të gjykojë askënd në mungesë. Dhe kjo është një pengesë e qartë për procesin. Ka disa precedentë, përfshirë atë të Putinit. Derisa të ekzekutohet urdhri i arrestit, as Putini, Netanyahu dhe as Gallant nuk mund të gjykohen.
A ka gjasa që kjo masë të pengojë negociatat për paqe apo të ketë pasoja politike ndërkombëtare për Izraelin?
Lëshimi i një urdhër-arresti për një kryetar shteti, qeverie apo ministër, sjell gjithmonë pasoja, sigurisht në varësi të rrethanave politike. Por GJNP u tregua ndoshta shumë e kujdesshme në këtë rast. Procedurat hetimore u hapën zyrtarisht nga prokurori më 3 mars. Urdhri i arrestit u kërkua nga gjykata më 20 maj. Gjykatës iu deshën 6 muaj për të vendosur.
Sa për krahasim, urdhri i arrestit për Putinin është lëshuar rreth një muaj pas kërkesës së prokurorit. Një pasazh i shkurtër në deklaratën për shtyp, tregon se ngadalësia e gjykatës mund të shpjegohet me shpresën se presioni politik mbi Izraelin, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, do të kishte një lloj efekti. Por nuk ishte kështu. SHBA-ja ka kërcënuar disa herë se do të ndalte dërgimin e armëve në Izrael, por nuk e ka mbajtur fjalën.
A ka ndryshuar ndonjë gjë në marrëdhëniet me administratën e re amerikane të Trump?
Unë shpresoj që urdhri i arrestit që ka në shënjestër kreun e qeverisë izraelite, i cili për më tepër ka probleme edhe me drejtësinë e vendit të tij, të nxisë reflektim tek opinioni publik izraelit. Nëse Izraeli nuk ndryshon qëndrimin e tij, që duket se po e sfidon të gjithë komunitetin ndërkombëtar, ky vend rrezikon të izolohet në mënyrë të pakthyeshme.
Brenda pak javësh në SHBA do të ketë një ndryshim të administratës. Por politika e Trumpit në Lindjen e Mesme në mandatin e tij të parë, nuk premton ndonjë gjë të mirë as për mandatin e tij të dytë si president.
Nga SHBA-ja erdhën komente të ashpra për veprimet e gjyqtarëve. Muajt e fundit Kongresi kishte paralajmëruar vendosjen e sanksioneve kundër gjykatës nëse lëshoheshin urdhër-arrestet. Çfarë pasoja mund të ketë kjo përplasje?
Shtetet e Bashkuara po gabojnë që e pozicionojnë veten kaq hapur kundër opinionit publik ndërkombëtar. Le të kujtojmë faktin që arkitekturën botërore të bazuar tek multilateralizmi, e donte pikërisht SHBA-ja pas Luftës së Dytë Botërore.
Sot, edhe administratat demokrate po i delegjitimojnë institucionet ndërkombëtare, dhe para së gjithash OKB-në dhe organet e saj. Dy ditë më parë, Shtetet e Bashkuara vendosën veton kundër një rezolute të propozuar në Këshillin të Sigurimit, e cila bënte thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Propozimi u votua nga 14 anëtarët e tjerë të Këshillit.
Deri ku mund të çojë një qëndrim i tillë?
Është një shenjë e keqe. Unë kam frikë se Shtetet e Bashkuara janë të bindura se mund ta mbështesin Izraelin kundër gjithë botës. Por struktura gjeopolitike gjendet në një fazë ndryshimesh të mëdha. Nuk do të doja që kjo mbështetje e pakushtëzuar për Izraelin kundër gjithë opinionit publik ndërkombëtar, të dobësonte të gjitha demokracitë e Perëndimit në përballjen, le të shpresojmë jo ushtarake, që na pret gjatë viteve të ardhshme me shtetet autokratike.
Një nga urdhër-arrestet ka të bëjë me Deif, një nga udhëheqësit e Hamasit që planifikoi masakrën e 7 tetorit 2023. A e ka hetuar GJNP edhe Hamasin?
Kërkesa e prokurorit për një urdhër-arresti përfshinte edhe kreun e Hamasit, i cili ka vdekur tashmë ndaj s’mund të akuzohet. Deklarata sqaron se Deif është në mesin e të akuzuarve, sepse gjykata nuk ka informacion të sigurt për vdekjen e tij.
Ashtu si gjykata, edhe unë nuk e di nëse Deif është ende gjallë apo jo. Por fakti që një udhëheqës i Hamasit është në listën e atyre që synohen të arrestohen është pozitiv, pasi nënvizon se jo vetëm udhëheqja izraelite, por edhe ajo e Hamasit i nënshtrohet juridiksionit të Gjykatës së Hagës./ Marrë nga “Il Sussidiario”, përshtati “Pamfleti”
Lini një Përgjigje