TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Nëntor 2024, 10:03

Fundi i luftës në Ukrainë mund të sjellë kolapsin e Rusisë, si po kërcënohet Putin nga ekstremistët

Shkruar nga Samuel Ramani
Fundi i luftës në Ukrainë mund të sjellë kolapsin e
Vladimir Putin dhe Donald Trump

Po ashtu, këto qëndrime janë shenja premtuese për axhendën e Trump, por a është vërtet gati Rusia që të negociojë? Retorika e Kremlinit, sugjeron se përgjigjja për këtë pyetje është një “Jo” e fortë.

Presidenti rus Vladimir Putin është shprehur i hapur për të diskutuar mbi një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Pozicioni i supozuar i Putinit u zbulua për agjencinë e lajmeve Reuters nga 5 persona brenda Kremlinit.

Kjo e bën më optimist planin e Trump për të ndërprerë luftimet në Ukrainës që në fillim të presidencës së tij. Po ashtu, këto qëndrime janë shenja premtuese për axhendën e Trump, por a është vërtet gati Rusia që të negociojë? Retorika e Kremlinit, sugjeron se përgjigjja për këtë pyetje është një “Jo” e fortë.

Të mërkurën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se Putin “ka thënë vazhdimisht se çdo opsion i ngrirjes së konfliktit, nuk do të funksiononte për ne”. Ndërkaq, Rusia hodhi poshtë më herët planin e paqes të Turqisë mbi Ukrainën.

Ai parashikonte ngrirjen e vijës aktuale të frontit, mospranimin e Ukrainës në NATO për të paktën 10 vjet dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare në një vijë kufitare të çmilitarizuar në Ukrainën Lindore. Këto terma pasqyrojnë përafërsisht edhe planin e paqes që Trump do t’i parashtrojë Putinit në fillim të vitit që vjen.

Nëse SHBA nuk do ta pranojë vizionin maksimalist të Putinit, i cili përfshin pushtimin e zonave të Zaporizhzhia, Kherson dhe Donetsk të kontrolluara nga ukrainasit, dhe duke përjashtuar përfundimisht anëtarësimin e Ukrainës në NATO, nuk ka gjasa të ndryshojnë përllogaritjet afatshkurtra të Rusisë në raport me negociatat.

Dhe është po aq e pamundur që Trump të pranojë kërkesat maksimaliste të Putinit. Edhe planet e paqes të Kinës dhe Brazilit, aleate të Rusisë, nuk shkojnë përtej ngrirjes së konfliktit në kufijtë aktualë të vijës së frontit. Braktisja e politikës së dyerve të hapura të NATO-s nën presionin e Moskës, do t’i jepte një goditje afatgjatë besueshmërisë së të parës.

Ndërsa Rusia nuk ka gjasa që të negociojë me mirëbesim, ajo e njeh ende vlerën taktike të diplomacisë. Ndërsa avionët luftarakë rusë dhe mercenarët e Grupit Wagner ndihmuan në ripushtimin brutal të Alepos nga presidenti sirian Bashar al-Assad, Rusia mori pjesë aktive në Procesin e Paqes në Astana.

Ndërsa forcat ruse po kryenin Masakrën e Bucha-s, kryediplomatët e Putinit luajtën me idenë e përfundimit të luftës së Ukrainës në bisedimet e marsit 2022 në Stamboll. Telefonata e Putinit me kancelarin gjerman Olaf Scholz, dhe hapja ndaj bisedimeve për një armëpushim me Trumpin, janë manifestimi më i fundit i këtij manuali.

Për Kremlinin, diplomacia është një mjet i luftës psikologjike dhe një taktikë zvarritëse që i lehtëson përparimet ushtarake në terren. Sapo të nisin negociatat, Rusia do të citojë pothuajse me siguri si pengesa të pakapërcyeshme përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të Ukrainës ATACM në territorin e saj si dhe pushtimin e Kurskut nga trupat ukrainase.

Rusia dëshiron që Ukraina të bëjë lëshime të njëanshme në të dyja frontet. Për të ndaluar sulmet e Ukrainës me raketat amerikane ATACM, Rusia mund të luajë me ndjeshmërinë e Trump dhe të rrethit të tij të brendshëm.

Ndërsa këshilltari i ardhshëm i sigurisë kombëtare Mike Waltz, është shprehur i shqetësuar mbi rreziqet e përshkallëzimit të lidhura me përdorimin e ATACM, dhe Trump paralajmëron rregullisht për rrezikun e shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore, Rusia do të ulë më tej pragun e përdorimit të armëve të saj bërthamore.

Analistë dhe komentatorë të shquar rusë si ish-këshilltari i Kremlinit Sergey Markov, argumentojnë se Biden e miratoi enkas përdorimin e ATACM-ve nga Ukraina për të sabotuar presidencën e Trump. Diplomatët rusë do t’i përdorin negociatat për t’ia përcjellë këtë narrativë Trumpit, pasi kjo shkon në një linjë me mosbesimin e presidentit të porsazgjedhur amerikan ndaj establishmentit të politikës së jashtme amerikane.

Në Kursk, Rusia do ta ketë akoma më të vështirë të arrijë rezultatin e saj të preferuar. Ukraina është e vendosur që të mbajë territorin që e ka pushtuar që në gusht, pasi dëshiron të sigurojë një marrëveshje për shkëmbim territoresh me territoret e pushtuara nga Rusia në rajonin Kharkiv apo termocentralin bërthamor në Zaporizhzhia.

Ka shumë të ngjarë që Rusia të vazhdojë luftën e saj shkatërruese në Kursk, madje edhe në kohën që nisin bisedimet. Por edhe nëse ka një zgjidhje për këto çështje, për Moskën nuk ka gjasa të mbarojnë pengesat. Putin e sheh vazhdimin e luftës si jetike për stabilitetin e regjimit në Rusi.

Bumi në industrinë ushtarako-industriale, vazhdon që t’i parandalojë trazirat socio-ekonomike. Të udhëhequr nga filozofi fashist Alexander Dugin, shumë ultranacionalistë rusë e shohin si një akt naiv tradhtie pranimin nga Vladimir Putin të Marrëveshjes Minsk II të vitit 2015 me Ukrainën.

Duke autorizuar një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, Putin bëri një marrëveshje faustiane me ultranacionalistët rusë. Rebelimi i Grupit Ëagner në qershor 2023, nënvizoi kërcënimin serioz që vjen nga ultranacionalistët. Ndaj Putin e sheh luftën e vazhdueshme në Ukrainë si mënyrën ideale për ta qetësuar këtë fraksion të militarizuar.

Në këto kushte, mënyra më efektive për të ndryshuar llogaritë e Putinit, është rritja e mëtejshme e kostove të agresionit rus. Sanksionet akoma më të ashpra, mund të sjellin shpërthimin e flluskës ekonomike të Rusisë gjatë kohës së luftës, dhe të degradojnë zinxhirët e saj të furnizimit ushtarak.

Sulmet ukrainase me armët me rreze të gjatë, mund të ndërpresin prodhimin rus të energjisë dhe shkuarjen në front të akoma më shumë forcave të Koresë së Veriut. Duke u përballur me një ekonomi të rënduar dhe me një rënie të sukseseve në fushën e betejës, Vladimir Putin mund të detyrohet të ulet në tryezë dhe të negociojë në mënyrë serioze.

Rusia është e vendosur ta ndërpresë mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën, dhe e sheh diplomacinë si një taktikë për ta arritur këtë qëllim. Kur të bisedojë me Putinin, Donald Trump duhet të mbetet i harmonizuar me këtë realitet./ Përshtati "Pamfleti", marrë nga "Daily Telegraph"

Lini një Përgjigje