
Asambleja legjislative e Transnistrias, një rajon separatist i Moldavisë, synon që të mblidhet më 28 shkurt për të kërkuar zyrtarisht aneksimin nga Rusia, siç është bërë tashmë e ditur nga autoritetet- kukull në rajonet e pushtuara të Ukrainës Lindore.
Lajmi është raportuar nga agjencia moldave Infotag, e cila shtoi një detaj jo të parëndësishëm: rezoluta e autoriteteve transnistriane do të miratohet fiks një ditë para fjalimit të Vladimir Putin në asamblenë federale ruse, duke i dhënë kësisoj mundësinë që ta marrë parasysh këtë akt.
Transnistria është një rrip i hollë toke, i ndarë nga pjesa tjetër e Moldavisë nga lumi Dniester, i cili vendosi të shpallë pavarësinë në vitin 1990 me mbështetjen e Moskës. Në kryeqytetin e tij de facto, Tiraspol, koha duket si i ngrirë në epokën sovjetike, me statujat e Leninit dhe ikonografinë socialiste.
Që nga ajo kohë, disa njësi ushtarake ruse janë vendosur në këtë rajon. Mes tyre një batalion i motorizuar, një kontingjent i shërbimit sekret FSB, në një total që nuk i kalon 1500 burra. Ata nuk janë ndërruar me të tjerë që nga viti 2022. Në fakt trupat ruse, janë tërësisht të izoluara dhe nuk mund të marrin përforcime, sepse Transnistria ndodhet midis Moldavisë dhe Ukrainës dhe nuk ka dalje në det.
Edhe pse zyrtarisht është dërguar si një forcë paqeruajtëse, misioni kryesor i trupave ruse është të ruajnë depon e madhe të municioneve sovjetike në Cobasna - rreth 20 mijë tonë - që për momentin do të ishin të dobishme për të dyja palët në luftë. Gjithnjë duke supozuar se janë ende në gjendje pune.
Aeroporti i vogël i Tiraspolit nuk përdoret më, me përjashtim të fluturimeve sporadike, dhe aerodromet e vegjël në Camenca, Vărăncău dhe Tighina/Bender nuk janë më funksionalë. Prandaj, është i pamundur çdo veprim sulmues rus apo qoftë edhe për t’u furnizuar.
Që nga fillimi i pushtimit në Ukrainë, situata është acaruar më tej, me provokime të vazhdueshme nga rusët për të përshkallëzuar situatën me Moldavinë. Në fakt, midis prillit dhe qershorit të vitit 2022, u regjistruan 5 incidente fatmirësisht pa viktima, me përdorimin e dronëve dhe eksplozivëve kundër infrastrukturës apo ndërtesave qeveritare.
Këto janë operacione të rreme për të akuzuar Kishinau dhe Kievin, dhe për të justifikuar operacionet në Moldavi, që për Moskën do të ishte vazhdimi i natyrshëm i asaj ambicieve imperialiste. Në planet fillestare ruse, një zbarkim amfib në Odessa mendohej të ribashkonte Transnistrian me territoret e pushtuara.
Por synimet ekspansioniste të Kremlinit nuk do të mjaftoheshin vetëm me rajonin e vogël separatist. Rusët donin të pushtonin të gjithë Moldavinë e qeverisur nga presidentja pro-evropiane Maia Sandu.
Vendi ka pësuar dy tentativa destabilizimi ruse të cilat Sandu i ka denoncuar publikisht. E para më 9 maj 2022, kur FSB orkestroi një protestë të opozitës pro-ruse kundër shtypjes së simboleve sovjetike, me synimin provokimin e trazirave për të rrëzuar qeverinë dhe për të rivendosur në krye ish-presidentin Igor Dodon, aktualisht në gjyq për korrupsion.
Përpjekja e dytë ndodhi vitin e kaluar dhe përfshinte oligarkun moldavo-izraelit Ilan Shor, i dënuar në mungesë për mashtrim dhe pastrim parash, i cili ndodhet i mërguar në Izrael që
nga viti 2019. Partia e tij u përpoq sërish të provokonte dhunë me kontributin e agjentëve klandestinë nga njësia famëkeqe GRU 29155, shërbimi ushtarak rus, i cili ka angazhuar edhe elementë serbë, siç u pa në Malin e Zi gjatë tentativës së dështuar për grusht shteti në vitin 2016.
Kjo është një dinamikë, të cilën e kemi parë tashmë në Ukrainë dhe Gjeorgji, ku oligarkët e korruptuar financohen për të mbajtur kontrollin e qeverive lokale. Pasi dështuan këto përpjekje, regjimi i Moskës vazhdoi punën e tij të destabilizimit të vendeve fqinjë me teknikat e zakonshme. Kështu ka të dhëna për infiltrimin e anëtarëve të grupit paraushtarak mercenar Wagner apo operativëve të tjerë rusë, të cilët mbërritën si qytetarë të zakonshëm në aeroportin e Kishinevit dhe më pas kontaktuan me pro-rusët vendas për zbatimin e planeve subversive.
Komuniteti euroatlantik e ka kuptuar këtë rrezik, ndaj e ka forcuar mbështetjen e tij politike për qeverinë moldave, madje edhe në aspektin e inteligjencës për të penguar komplotet e reja. Edhe Italia po bën pjesën e saj, kjo falë një bashkëpunimi në terren mes karabinierëve italianë dhe moldavë për shkëmbimin e përvojave.
Por në çdo rast, ushtria modeste moldave përbëhet nga rreth 4 mijë trupa plus 2 mijë karabinierë, me funksion ruajtjen e rendit publik dhe luftën ndaj terrorizmit. Në çdo rast, sabotimi dhe sulmet priten shumë më tepër se sa një pushtim në shkallë të plotë. Strategjia ruse e luftës hibride lëviz në fronte të shumta.
Nga njëra anë Rusia synon të aneksojë Transnistrian për të justifikuar më pas një “mbrojtje të bashkatdhetarëve rusë” apo diçka të ngjashme, siç ka ndodhur tashmë në Krime dhe Donbas. Nga ana tjetër, Moska përpiqet ta përçajë shoqërinë moldave me fushata dezinformuese, duke shfrytëzuar përdorimin e gjuhës ruse shumë të përhapur, veçanërisht në rajonin jugor Gagauzi. Në fakt, kanalet televizive ruse po përforcojnë deklaratat e nacionalistëve moldavë, të cilët bëjnë thirrje për forcimin e identitetit rumun dhe alfabetit latin, për të thelluar tensionet politike me rusisht-folësit. Gagauzia, e cila gëzon një autonomi administrative, zgjodhi vitin e kaluar guvernatoren pro-ruse, Evghenia Guțul, një anëtare e partisë së Shor, që u shpall anti-kushtetuese po vjet.
Politikanët lokalë kanë deklaruar se duan ta afrojnë rajonin e vogël me Rusinë, dhe sipas një sondazhi të vitit 2023, vetëm 3 për qind e banorëve të tij aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Ky orientim, është rezultat i viteve të propagandës, që ka synuar demonizimin e Perëndimit dhe duke përdorur identitetin rusisht-folës (edhe pse gagauzët flasin edhe një variant të gjuhës turke).
Pra, ka një harmoni me Transnistrian, nostalgjike për perandorinë sovjetike, pavarësisht nga mjerimi që mbretëron në rajonin separatist. Megjithatë, kjo s’do të thotë se gjërat do të mbeten kështu. Në rajonin fqinj ukrainas të Besarabisë, e njohur edhe si Budžak, në perëndim të Odessa-s, popullsia ka qenë tradicionalisht pro-ruse.
Situata nisi të ndryshojë në vitin 2015, kur falë ndihmës teknike nga Franca, u bllokuan valët satelitore të televizioneve propagandistike ruse. Që nga viti 2020, qeveria ukrainase ka ndërtuar rrugë të reja në zonë dhe ka krijuar një linjë të rregullt transporti me traget me Rumaninë. Tani popullsia e këtij brezi bregdetar, si ajo e Odessës, është armiqësore ndaj pushtuesve, megjithëse ajo vazhdon që të flasë rusisht./ Përshtati Pamfleti nga “Linkiesta”
Lini një Përgjigje