TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Mars 2025, 14:13

Lufta për Arktikun midis SHBA-së, Rusisë dhe Kinës

Shkruar nga Marco Ventura

 Lufta për Arktikun midis SHBA-së, Rusisë dhe Kinës

Fuqitë e mëdha interesa jetike për naftën, rrugët detare dhe uraniumin...

Donald Trump thjesht e dëshiron. “Ne duhet ta kemi atë!”, me mirëkuptim apo me forcë. Grenlanda, ishulli gjysmë autonom i Danimarkës, është rikthyer në qendër të gjeopolitikës globale dhe imagjinatës amerikane. Dhe ky nuk është aspak një provokim, po një deklaratë strategjike.

Sepse sot Grenlanda nuk është thjesht një tokë e largët, por epiqendra e një gare të re midis Shteteve të Bashkuara, Kinës, Rusisë, Evropës, Kanadasë, madje edhe Australisë. Thënë thjesht, ajo ka gjithçka që i nevojitet për të dominuar botën e së nesërmes: minerale të rralla për industrinë, naftë, gaz, vende ideale për baza ushtarake dhe rrugë tregtare të hapura nga shkrirja e akullit.

Nëntoka e Grenlandës fsheh një thesar. Grafit, nikel, kobalt, bakër, zink, uranium, ari, titan, vanadium, diamante: 25 nga 34 mineralet “jetike” gjenden në ishullin më të madh në botë. Në rajonin jugor, Gardar, gjenden depozitat e mineraleve jetike për automjetet elektrike, turbinat e erës dhe mikroçipet.

Ndërkohë në Kvanefjeld, jugperëndim të ishullit ndodhet një nga depozitat më të mëdha të uraniumit në botë. Kompania e financuar nga Pentagoni, Critical Minerals, planifikoi që të nisë nxjerrjen e mineraleve të rralla duke nisur nga vitin që vjen. Qëllimi: të shkatërrojë monopolin e Pekinit.

Në lojë është ekonomia, por edhe hegjemonia teknologjike dhe ajo ushtarake. Në një rajon që po ngrohet 4 herë më shpejt se pjesa tjetër e planetit, shkrirja progresive e akullit po hap rrugën drejt burimeve që deri dje ishin të paarritshme. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së, vlerëson praninë e miliardave fuçi nafte dhe depozitave të mëdha të gazit natyror në bregun e Grenlandës.

Megjithatë që nga viti 2021, qeveria e Grenlandës ka bllokuar çdo leje të re për kërkime. Gjithsesi interesi për potencialin energjetik të ishullit mbetet shumë i lartë. Për SHBA-në, që dëshiron të shkëputet nga nafta e Lindjes së Mesme. Për Rusinë, e cila synon të zotërojë rrugën detare veriore dhe ka shumëfishuar bazat e saj Arktike, siç e nënvizoi Putin në Forumin e Arktikut në Murmansk buzë detit Barents, duke njoftuar forcimin e flotës ruse së akullthyesve.

Por edhe për Kinën, e cila u përpoq të përfshihej në projektet e minierave, dhe madje të ndërtonte tre aeroporte strategjike, të bllokuara nga Sekretari i atëhershëm amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis. Oqeani Arktik është kufiri i ri i tregtisë globale.

Dy rrugë, Kalimi Veriperëndimor dhe Rruga Detare Transpolare, premtojnë të lidhin Azinë dhe Evropën në të ardhmen, duke e reduktuar me 30 për qind kohën e udhëtimit në krahasim me Suezin dhe Panamanë. Dhe Grenlanda gjendet në udhëkryqin e tyre.

Kushdo që do të kontrollojë ishullin, mund të ketë në dorë edhe rrugët e reja tregtare, të ndërtojë qendra furnizimi dhe të mbikëqyrë trafikun. Për këtë arsye, Kina ka nisur ndërtimin e Rrugën Polare të Mëndafshit, për ta përfshirë veten në qendrat e logjistikës dhe infrastrukturës.

Por Uashingtoni është i vendosur që ta parandalojë këtë. “Arktiku është shndërruar në një arenë të konkurrencës globale”- deklaroi Mike Pompeo në vitin 2019. Në atë kohë, Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së vlerësoi se deri në 13 për qind e naftës së pazbuluar në botë dhe 30 për qind e gazit të saj natyror mund të gjendeshin në Arktik, kryesisht në det të hapur, përfshirë zonën rreth Grenlandës.

Sot, me Trumpin e rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, ajo po bëhet një fushë e re beteje. Nën akullin e kësaj zone shtrihet historia e sigurisë së SHBA-së. Pituffik (dikur Thule), është baza më veriore e hapësirës dhe raketave në botë. Nga atje, monitorohen qiejt dhe menaxhohet në rast sulmesh sistemi i paralajmërimit të hershëm.

Baza është shtëpia e 3 skuadroneve të Forcave Hapësinore të SHBA-ë. Gjatë Luftës së Ftohtë, Grenlanda ishte një bazë për fluturimet e zbulimit mbi territorin sovjetik. Sot, me raketat hipersonike ruse dhe stërvitjet detare Moskë-Pekin në Arktik, ky sistem duhet të forcohet. Kanadaja siguron fonde për NORAD, Komandën e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut. Norvegjia lëshon satelitë nga Vesterålen. Donald Trump e quan atë një “domosdoshmëri absolute” për sigurinë kombëtare. Madje Kongresi Amerikan po shqyrton aktualisht një projekt-ligj për ta bërë më të lehtë blerjen nga Danimarka.

Grenlandezët i refuzojnë me krenari këto oferta, por ata janë vetëm 56.000. Danimarka i ka shtuar patrullimet në Arktik, por jo dhe aq shumë. Uashingtoni propozon një protektorat si ai mbi ishujt Palau apo të Mikronezisë në Paqësor: përdorim ekskluziv ushtarak, në këmbim të mbrojtjes dhe ofrimit të burimeve të jetesës.

Grenlanda nuk është më toka e fundit në listë. Ajo është e para. Mbi kapakun e saj të akullt, vendoset e ardhmja e një bote që po ndryshon gjerësinë gjeografike, po mësyn në tokat me ngricë të përhershme, me ëndrrën e zgjerimit të kufijve. Kush e zotëron mbron jo vetëm veten por edhe pushtetin. Drejt Euroazisë, dhe drejt Hapësirës./Pamfleti nga “Il Messaggero”

lufta për arktikun shba rusia kina

Lini një Përgjigje