Izraeli kishte mundësi të vriste liderin e Hamasit, Yahya Sinwar, por vendosi që të mos e bënte për shkak se do të vriteshin edhe pengjet që mbante afër.
Këtë fakt e ka zbuluar media izraelite N12. Sipas kësaj media, Izraeli kishte marrë informacion për vendndodhjen e liderit të Hamasit dhe kishte mundësi që ta eliminonte përmes një sulmi.
Por për faktin që lideri i Hamasit mban afër pengjet, një operacion i tillë do të ishte i rrezikshëm, pasi do të rrezikonte jetën e tyre.
Sinwar, i cili u bë lideri politik i Hamasit pas vrasjes së Ismail Haniyeh, dyshohet se fshihet nën tunelet në Gaza. Sipas medias izraelite, Yahya Sinwar mban rrotull vetes pengjet qëllimisht si mburojë për të mos u vrarë nga Izraeli.
Ndërsa televizioni shtetëror saudit Al Arabiya raportoi se lideri i Hamasit u zhvendos në Gaza pasi mësoi për vrasjen e liderit të Hezbollahut nga një sulm ajror.
Ky raport për të erdhi pavarësisht debateve gjatë javës së kaluar në lidhje me vdekjen e mundshme të Sinwar. IDF deklaroi të dielën e kaluar se nuk mund të konfirmonte dhe as mohonte raportet për vdekjen e mundshme pas qarkullimit të thashethemeve se ai ishte vrarë.
Ndërkohë, Shin Bet (Agjencia e Sigurisë së Izraelit) e kundërshtoi këtë teori, duke besuar se Sinwar është ende gjallë.
Më herët të dielën, zëdhënësi i IDF publikoi një foto nga një takim për vlerësimin e situatës pas sulmit ndaj Huthëve të Jemenit. Fotoja përshkruante një diagram të udhëheqjes së Hamasit, me një pikëpyetje mbi emrin e Sinwar, që tregonte se IDF ishte e pasigurt për vendndodhjen ose statusin e tij.
Lini një Përgjigje