
Për dekada, tregu ndërkombëtar i naftës është karakterizuar nga një ndarje e qartë mes dy realiteteve. Nga njëra anë qëndronte tregu “i bardhë”, ku nafta tregtohej në mënyrë të rregullt dhe transparente nëpërmjet kanaleve zyrtare. Nga ana tjetër ishte tregu “gri”, ku përfundonte nafta nga vendet nën sanksione, si Irani, Venezuela apo Rusia.
Në këtë treg paralel, blerësit përfitonin shpesh zbritje të konsiderueshme, ndërsa rreziku për ta ishte relativisht i kufizuar. Ky model i tregtisë së naftës ka funksionuar për vite me radhë dhe ka krijuar një rrjet furnizimi alternativ për disa nga ekonomitë më të mëdha të botës.
Megjithatë, sipas analistëve të tregut të energjisë, ky ekuilibër po ndryshon. Politikat e administratës Trump dhe përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme kanë filluar të godasin drejtpërdrejt këtë treg paralel.
Një nga vendet që mund të ndiejë më fort pasojat është Kina. Për vite me radhë, Pekini ka përfituar nga blerja e naftës së lirë nga Irani dhe Venezuela, e cila shpesh transportohej përmes një flote të ashtuquajtur “në hije” dhe jashtë kanaleve zyrtare të tregtisë.
Të dhënat e firmës së analizave Kpler tregojnë se pothuajse e gjithë nafta që Irani eksportonte dhe më shumë se gjysma e asaj nga Venezuela përfundonin në tregun kinez. Së bashku, këto furnizime përbënin rreth 17% të totalit të importeve të naftës së Kinës.
Por situata gjeopolitike po ndryshon shpejt. Pas sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit dhe tensioneve që kanë përfshirë rajonin, rrjedha e energjisë nga Lindja e Mesme është vënë nën presion. Për më tepër, kërcënimet dhe sulmet në zonën e Ngushticës së Hormuzit kanë shkaktuar ndërprerje të trafikut të tankerëve dhe rritje të çmimeve të naftës në tregjet globale.
Kjo situatë krijon një sfidë të re për ekonominë kineze. Në një moment kur rritja ekonomike në vend po ngadalësohet, rritja e kostove të energjisë mund të ndikojë drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e industrisë kineze dhe në stabilitetin e tregjeve të saj energjetike.
Analistët vlerësojnë se nëse furnizimet nga Irani dhe Venezuela reduktohen ndjeshëm, Pekini mund të detyrohet të kërkojë alternativa të reja, duke rritur importet nga furnizues të tjerë si Rusia ose duke përdorur rezervat strategjike të naftës për të zbutur goditjen në tregun e brendshëm.
Rrofte "sebepi" i luftes ne Iran te pallojne cmimet e karburantit dhe da da ja u lane miliardat e shpenzimeve te luftes. Kush humbi, fukarenjte. Kush fitoi larot e parave qe, mos u ngopshin.