Nëse lufta përfshin shumë fronte në Euroazi, Uashingtoni dhe aleatët e tij mund të mos e fitojnë atë...
Epoka e pas Luftës së Ftohtë nisi në fillim të viteve 1990, me vizionet e shumta mbi paqen globale. Ajo po përfundon tani, 3 dekada më vonë, me rreziqet në rritje të luftës globale. Sot Evropa po përjeton konfliktin e saj më shkatërrues ushtarak ndër disa breza. Një luftë brutale midis Izraelit dhe Hamasit, po nxit dhunë dhe destabilitet në mbarë Lindjen e Mesme.
Fatmirësisht Azia Lindore, nuk është në luftë. Por nuk është aspak e qetë, pasi Kina po provokon fqinjët e saj dhe po e forcon frikshëm ushtrinë e saj. Nëse sot shumë amerikanë nuk e kuptojnë se sa afër shkatërrimit është bota nga konfliktet brutale, kjo ndodh sepse ata e kanë harruar se si ndodhi lufta e fundit botërore.
Kur amerikanët mendojnë mbi luftën globale, mendja u shkon zakonisht tek Lufta e Dytë Botërore, apo tek pjesa e luftës që filloi me sulmin e Japonisë në Pearl Harbor në dhjetor 1941. Pas atij sulmi dhe shpalljes së mëvonshme të luftës nga Adolf Hitleri ndaj Shteteve të Bashkuara, konflikti ishte një luftë e vetme, gjithëpërfshirëse dhe midis aleancave rivale në një fushë beteje globale.
Por Lufta e Dytë Botërore, filloi si një garë treshe mbi ndikimin në rajone kyçe që shtrihen nga Evropa në rajonin e Azi-Paqësorit. Historia e asaj periudhe, na tregon aspektet më të errëta të ndërvarësisë strategjike në një botë të shkatërruar nga lufta. Po ashtu, ajo tregon disa paralele shqetësuese me situatën me të cilën përballet aktualisht Uashingtoni.
Sot Shtetet e Bashkuara nuk po përballen me një aleancë zyrtare kundërshtarësh, siç ndodhi dikur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndoshta nuk do të kemi përsëritje të një skenari, në të cilin fuqitë autokratike pushtojnë pjesë të mëdha të Euroazisë dhe rajoneve të saj bregdetare.
Por në kushtet e luftërave aktuale në Evropën Lindore dhe Lindjen e Mesme, dhe me forcimin e lidhjeve midis shteteve revizioniste, gjithçka që do të duhej është një përplasje në Paqësorin Perëndimor, për të shfaqur një skenar tjetër të tmerrshëm, ku betejat rajonale të ndërlidhura
midis tyre, do të dominojnë sistemin ndërkombëtar dhe krijojë një krizë të sigurisë globale, të pakrahasueshme me çdo gjë tjetër që nga viti 1945.
Lufta e Dytë Botërore ishte produkt i 3 krizave rajonale: sulmit të Japonisë në Kinë dhe Azi-Paqësor; përpjekja e Italisë për të ngritur perandorinë e saj në Afrikë dhe në Mesdhe; dhe
fushata e gjerë ushtarake e Gjermanisë për të pasur hegjemoni në Evropë dhe më gjerë. Në disa mënyra, këto kriza ishin gjithmonë të lidhura midis tyre.
Secila ishte vepër e një regjimi autokratik me prirje për presione dhe dhunë. Po ashtu, secila përfshinte synimin për dominim në një rajon të rëndësishëm në nivel global. Dhe secila kontribuoi në atë që presidenti i SHBA Franklin Roosevelt e quajti në vitin 1937 “një epidemi
të paligjshmërisë botërore”.
Por ai nuk ishte një mega-konflikt i integruar që në fillim. Sepse në fillim, fuqitë fashiste kishin pak të përbashkëta midis tyre, përveç qeverisjes jo-liberale dhe dëshirës për ta shkatërruar status quo-në. Krizat rajonale dhe koalicionet rivale u bashkuan gradualisht dhe për shkak të faktorëve që sot mund të duken të njohur.
Së pari, pavarësisht nga qëllimet e tyre specifike dhe ndonjëherë konfliktuale, fuqitë fashiste kishin një ngjashmëri më themelore në qëllimin e tyre. Që të gjitha ato, po kërkonin një rend global të transformuar drastikisht, në të cilin regjimet brutale do t’i nënshtronin demokracitë dekadente që i përbuznin.
Së dyti, bota zhvilloi një formë ndërvarësie problematike, teksa paqëndrueshmëria në një rajon e përkeqësoi paqëndrueshmërinë diku tjetër. Duke poshtëruar Lidhjen e Kombeve, dhe duke treguar se agresioni mund të jepte përfitime, sulmi i Italisë ndaj Etiopisë në vitin 1935 i hapi rrugën rimilitarizimit të Gjermanisë nga Hitleri.
Për më tepër numri i madh i sfidave ndaj rendit botëror ekzistues, çorientoi dhe dobësoi mbrojtësit e saj:Britania e Madhe duhej të vepronte me kujdes në sjelljen ndaj Hitlerit në lidhje me krizat në Austri dhe Çekosllovaki në vitin 1938, pasi Japonia kërcënonte zotërimet e saj perandorake në Azi dhe bazat e saj jetike në Mesdhe që synoheshin nga Italia.
Këta dy faktorë sollën shfaqjen e një faktori të tretë, sipas të cilit programet e agresioneve ekstreme e polarizuan botën dhe e ndanë atë në kampe rivale. Paralelet midis saj epoke dhe të sotmes janë të habitshme. Sot, ashtu si në vitet 1930, sistemi ndërkombëtar po përballet me 3 sfida të mprehta rajonale.
Kina po grumbullon me shpejtësi fuqinë ushtarake, si pjesë e fushatës së saj për të zhdukur ndikimin e Shteteve të Bashkuara në Paqësorin Perëndimor, dhe ndoshta për t’u bërë fuqia më e shquar e botës. Lufta e Rusisë kundër Ukrainë, është pjesa qendrore e planit të Moskës për të rifituar ndikimin e dikurshëm në Evropën Lindore dhe hapësirën ish-sovjetike.
Në Lindjen e Mesme, Irani dhe milicitë e mbështetura prej tij - Hamasi, Hezbollahu, Houthis dhe shumë të tjerë - po zhvillojnë një luftë të përgjakshme për dominim rajonal kundër Izraelit, monarkive të Gjirit dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe ashtu si në vitet 1930, fuqitë revizioniste po përplasen në interesat e tyre.
Kështu, si Rusia edhe Kina po synojnë të kenë epërsi në Azinë Qendrore. Po ashtu, ato po zgjerojnë ndikimin e tyre në Lindjes së Mesme, përmes mënyrave që nganjëherë prekin interesat e Iranit. Nëse revizionistët e nxjerrin nga Eurozia armikun e tyre të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, mund të përfundojnë duke luftuar midis tyre, ashtu siç do të ndodhte edhe me fuqitë e Boshtit, po të kishin mundur rivalët e tyre.
Megjithatë, tani për tani, po forcohen lidhjet midis fuqive revizioniste dhe konfliktet rajonale të Euroazisë po ndërlidhen më ngushtë midis tyre. Rusia dhe Kina po afrohen më shumë përmes partneritetit të tyre strategjik “të pakufishëm”, i cili përmban shitjet e armëve, po e thellojnë bashkëpunimin teknologjik në fushën e mbrojtjes, dhe po shtojnë shfaqjet e solidaritetit gjeopolitik, siç janë stërvitjet ushtarake në vatrat e nxehta globale.
Konfliktet rajonale në Euroazi, po bëhen gjithnjë e më të ndërlidhura. Dronët, municionet e artilerisë dhe raketat balistike të ofruara nga Teherani dhe Pheniani - së bashku me ndihmën ekonomike të ofruar nga Pekini - e kanë mbështetur luftën e Moskës kundër Kievit dhe mbështetësve të tij perëndimorë.
Në këmbim, Moska duket se po transferon teknologji dhe njohuri ushtarake. Ajo po i shet Iranit avionë të avancuar, po i ofron ndihmë Koresë së Veriut për programet e avancuara të armëve, dhe ndoshta edhe Kinës për të ndërtuar nëndetëset e saj sulmuese të gjeneratës së ardhshme.
Edhe konfliktet e tjera rajonale, po zbulojnë dinamika të ngjashme. Në Lindjen e Mesme, Hamasi po lufton Izraelin me armë kineze, ruse, iraniane dhe koreano-veriore që i ka grumbulluar prej vitesh. Që nga 7 tetori 2023, Putin ka deklaruar se konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, janë pjesë e një beteje të vetme, më të madhe që “do të vendosë fatin e Rusisë dhe gjithë botës”.
Nga ana tjetër, një ndryshim thelbësor me vitet 1930 është shkalla e revizionizmit. Sado të këqij që janë Putini dhe lideri iranian Ajatollah Ali Khamenei, ata nuk kanë aneksuar ende pjesë të mëdha të rajoneve me një pozicion vendimtar. Një ndryshim tjetër thelbësor, është se Azia Lindore gëzon ende një paqe të dobët.
Por me paralajmërimin e zyrtarëve amerikanë, se Kina mund të bëhet më luftarake ndërsa po forcohen aftësitë e saj - ndoshta në gjysmën e dytë të kësaj dekade - ia vlen të merret parasysh se çfarë do të ndodhte nëse në këtë rajon do të shpërthejë lufta. Por ka shumë arsye që kjo e fundit mund të mos ndodhë.
Azia Lindore mund të mbetet në paqe, sepse Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë stimuj të jashtëzakonshëm për të shmangur një luftë të tmerrshme. Edhe luftimet aktuale në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme mund të zbehen.
Por ia vlen gjithsesi të mendohet mbi skenarin më të keq, pasi bota mund të jetë realisht pranë një konflikti të madh euroaziatik, dhe sepse SHBA-ja është shumë e papërgatitur për një skenar të tillë. Sigurisht, Shtetet e Bashkuara nuk ishin gati për një luftë globale as në vitin 1941, por
në fund fituan falë një mobilizimi në shkallë botërore të fuqisë ushtarake dhe industriale.
Vetë presidenti Joe Biden e përmendi këtë arritje në fund të vitit të kaluar, duke thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë sërish “arsenali i demokracisë”. Administrata e tij ka investuar shumë në shtimin e prodhimit të municioneve të artilerisë, raketave me rreze të gjatë veprimi dhe armëve të tjera të rëndësishme.
Por realiteti i hidhur është se nuk ekziston më baza industriale e mbrojtjes, që solli fitoren në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas të Luftës së Ftohtë. Kjo për shkak të mos-investimit të vazhdueshëm dhe rënies në tërësi të prodhimit amerikan. Ndaj nëse lufta përfshin shumë fronte në Euroazi, Uashingtoni dhe aleatët e tij mund të mos e fitojnë atë./ Përshtati Pamfleti nga “Foreign Affairs”
Marrë me shkurtime
Shënim: Hal Brands, profesor i Çështjeve Globale në Shkollën Xhons Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare, SHBA.
Lini një Përgjigje