TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Maj 2024, 22:22

Loja me 'dy porta' e Serbisë dhe plani i Vuçiçit për Kosovën pas rikthimit të Trump!

Shkruar nga Pamfleti

Loja me 'dy porta' e Serbisë dhe plani i Vuçiçit

Serbia ka gjithnjë e më shumë armë dhe po armatoset, por Serbia nuk ka më njerëz dhe ushtri që do të luftonte për Kosovën.

Ish-kryetari i Partisë Liberal Demokratike serbe dhe aktualisht president i Forumit Demokratik në Serbi, Zoran Vuletiç, deklaroi se Serbia ka filluar që të ndryshojë të ardhmen e saj evropiane 4-5 vite më parë. Sipas tij, Beogradi dhe qeveria e Aleksandër Vuçiçit nuk e fshehin më një fakt të tillë.

Ai shtoi se vizita e presidentit kinez Xi Jinping pak ditë më parë në Beograd dhe forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është një tregues se Serbia po luan me dy porta. Sipas tij, edhe mbështetja ndaj pushtimit rus të Ukrainës, është një tjetër tregues. Ai shtoi se qeveria serbe po mbush xhepat nga investimet kineze në këmbim të dhënies së aksesit në Europë.

Do të thosha se Serbia filloi të ndryshojë të ardhmen e saj 4-5 vjet më parë, dhe kjo ishte veçanërisht e dukshme 2.5 vjet më parë, pothuajse që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës. Serbia është një ndër të paktat vende evropiane, përveç Bjellorusisë, që e mbështet në mënyrë aktive këtë agresion kundër Ukrainës, dhe këto janë vetëm vazhdimi i atij vendimi politik që është i dukshëm për të gjithë, veçanërisht për partnerët tanë në Perëndim.

Është qartazi në interesin e Kinës që të bëjë partner një vend në Europë dhe Serbia aktualisht është e pozicionuar për të pranuar edhe influencën kineze, duke mos kuptuar se po e humbet politikën e saj të jashtme dhe që shumë shpejtë do t’i ndjejë pasojat. Pra, mendoj se interesat e shtetit kinez, i cili dëshiron të hyjë në Evropë, kanë përkuar dhe mendoj se situata është ideale për shtetin kinez sa i përket Serbisë dhe marrëdhënieve të Serbisë me BE-në. Interesi më i mirë i njerëzve aktualë në pushtet në Serbi, është të mbushin xhepat e tyre nga njëra anë dhe nga ana tjetër, t'i mundësojnë Kinës të ketë një prani në Evropë në mënyrën dhe në masën që dëshiron Kina”, tha ai në një intervistë për “The Geopost”.

I pyetur nëse BE-ja nuk e kupton lojën që po bën Vuçiç, Vuletiç deklaroi se BE-ja i di të gjitha skenarët por po përpiqet që ta tërheqë Beogradin me çdo mënyrë drejt vete. Ai theksoi se BE-ja u përpoq që t’i jepet një dorë opozitës, por që sipas tij, kjo e fundit u tregua shumë e dobët dhe nuk arriti të triumfonte në zgjedhjet e fundit. Vuletiç shtoi se kjo tregon se opozita dhe mazhoranca në Serbi kanë pothuajse të njëjtin orientim politik.

Jam i sigurt se BE-ja nuk po i mban sytë mbyllur, por BE-ja e ka kuptuar, mendoj shumë mirë, me kë ka të bëjë. Mendoj se BE-ja e sheh se kjo është qartazi afër maksimumit ose ndoshta edhe kapacitetit maksimal të shoqërisë serbe si në këtë proces të anëtarësimit ashtu edhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Pra, kur BE bën një analizë të Serbisë, e bën atë shumë më thellë dhe shumë më gjerë. Marrëdhëniet e BE-së me Serbinë nuk mund ta vëzhgojmë vetëm përmes marrëdhënieve me autoritetet. Zyrtarët e BE-së e kanë obligim të bashkëpunojë me Serbinë, por me kë?

Opozita nuk po bën mjaftueshëm. Patën dy rezoluta të cilat ishin miratuar nga Parlamenti Evropian në gjashtë muajt e kaluar. Njëra lidhej me marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe tjetra pas aktit terrorist në Banjskë, kur Milan Radojicic, gjoja pa dijeninë e shtetit organizoi gjithçka që ai organizoi. Opozita jonë nuk tha asnjë fjalë për ato dy rezoluta, të cilat janë po aq të rëndësishme, për të mos thënë ndoshta edhe më e rëndësishme se ajo që shpresonin në ato panele që Parlamenti Evropian do të miratonte.

Pra, evropianët nuk morën mjaftueshëm argumente nga opozita jonë se opozita jonë dëshiron t'i qaset BE-së në një mënyrë politike më gjithëpërfshirëse, serioze. Dhe prandaj nuk më habit vazhdimi dhe pakësimi i presionit evropian ndaj Aleksandër Vuçiçit dhe regjimit të SNS-së, kur bëhet fjalë për të gjitha çështjet tona Mendoj se keni absolutisht të drejtë, çfarë dëshiron Aleksandar Vuçiç dhe qeveria jonë. Mendoj se përqindja më e madhe e opozitës sonë dëshiron të njëjtën gjë dhe nuk shoh shumë potencial që ata të udhëheqin një politikë ndryshe në krahasim me Vuçiqin, për fat të keq”, shtoi ai.

I pyetur sa i takon shpresave të Serbisë për një ndryshim të kushteve gjeopolitike, si një fitore e Trumpit në SHBA për të nisur një luftë për të rimarrë Kosovën ose entitetin e BH Republika Srpska, ish politikani serb deklaroi se një gjë e tillë është e pamundur.

Vuletiç tha se Serbia nuk ka më njerëz të cilët janë të gatshëm që të shkojnë në luftë për të marrë Kosovën. Ai theksoi se Serbët e kanë tashmë të qartë se vendi i tyre i humbi të gjitha luftërat që nisi në vitet ’90-të dhe se Kosova është një realitet që nuk kthehet më mbrapa.

Sipas tij politika nacionaliste e partisë së Vuçiçit, bëhet për të gënjyer popullin serb, gjë që më pas sjell pasoja tek ndaj popullit të Kosovës dhe Serbisë në veri.

Serbia ka gjithnjë e më shumë armë dhe po armatoset, por Serbia nuk ka më njerëz dhe ushtri që do të luftonte për Kosovën. Unë vetëm do të shtoja se një arsye shtesë për këtë është sepse është e qartë për të gjithë këtu në Serbi se Serbia i humbi të gjitha luftërat e viteve 1990, dhe veçanërisht për të gjithë politikanët, si Aleksandar Vuçiç, Millosh Vuçeviç, Vojisllav Sheshelj, është njëlloj e qartë se Serbia e humbi Kosovën në luftën e vitit 1999 dhe se ky është një fakt i përhershëm.

Dhe tani të gjitha negociatat që kemi janë praktikisht negociata 20-vjeçare për trashëgiminë. Kemi, do të them lirisht, të poshtër politikë nga të dyja palët që gënjejnë dhe manipulojnë popullin serb, në radhë të parë për ta mbajtur në rolin e pengjeve në veri të Kosovës, politika të liga serbe, si ndaj komunitetit serb në Kosovë dhe ndaj Kosovës në tërësi dhe rrjedhimisht edhe ndaj qytetarëve të saj në Serbi”, tha ai.

Ndërsa sa i takon parashikimit se çfarë mund të ndodhë pas miratimit të Rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, Vuletiç deklaroi se se nuk do të ndodhë asgjë, veç fjalimeve viktimizuese nga ana e Vuçiçit dhe kabinetit të tij.

Do të jetë një tjetër nga manifestimet ose le të themi një raund i ri i njerëzve që ankohen për disfatat e politikës së tyre. Sepse Aleksandar Vuçiç, Ivica Daçiç, ata ishin një nga liderët e politikës serbe të viteve 1990, e cila përjetoi një disfatë politike, ekonomike, ushtarake dhe morale. Pra, çfarë mund të presim nga ai parlament, përveçse le të themi fjalime të ngjashme siç patëm rastin t'i dëgjojmë këtë vit në Prijedor në përkujtimin e përvjetorit të "Stuhisë" ose nja dy vjet më parë në urën e Drinës midis Bosnjës. Hercegovinës dhe Serbisë”, përfundoi ai./Përshtati “Pamfleti” nga “TheGeopost

Lini një Përgjigje