
Figurat kryesore të opozitës izraelite po bëjnë thirrje për zgjedhje të reja në Izrael. Ministri izraelit i kabinetit të luftës, Benny Gantz , një rival kryesor politik i kryeministrit Benjamin Netanyahu, ka bërë thirrje hapur për zgjedhje parlamentare në shtator në një konferencë publike të mërkurën.
“Që të mbetemi të bashkuar dhe të kemi sukses në detyrat me të cilat përballemi, publiku duhet ta dijë se së shpejti do t'i kërkojmë edhe një herë që të tregojnë besimin e tyre, se nuk do të injorojmë katastrofën e 7 tetorit dhe atë që ndodhi para kësaj", tha Gantz.
Gantz tha se ka njoftuar kryeministrin izraelit për kërkesën e tij, por ai nuk pranoi të thotë nëse do të largohet nga koalicioni nëse qeveria nuk vendos për një datë zgjedhjesh. Gantz ka qenë një nga kundërshtarët më të zëshëm të Netanyahut nga brenda kabinetit të luftës.
Nga ana tjetër Partia Likud e Netanyahut, i kërkoi Gantz-it të ndalojë përfshirjen në politika të vogla ndërsa Izraeli është në luftë.
"Zgjedhjet tani në mënyrë të pashmangshme do të çojnë në paralizë, ndarje, dëmtim të luftimeve në Rafah dhe dëme fatale në shanset për një marrëveshje pengjes. Qeveria do të vazhdojë derisa të arrihen të gjitha qëllimet e luftës", tha partia në një deklaratë.
Udhëheqësi i opozitës izraelite Yair Lapid bëri thirrje që qeveria aktuale të japë dorëheqjen "sa më shpejt të jetë e mundur" në përgjigje të deklaratës së Gantz.
“Shteti i Izraelit nuk mund të presë edhe gjashtë muaj të tjerë derisa të largohet kjo qeveri e tmerrshme, e rrezikshme dhe më e dështuar në historinë e këtij vendi. Kjo qeveri duhet të largohet sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që ne të mund të kthejmë pengjet, të lejojmë kthimin e qytetarëve të evakuuar, të fitojmë mbi Hamasin dhe të sigurojmë që dikush të kujdeset për klasën e mesme izraelite”, tha Lapid në një postim në X të mërkurën.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që thirren zgjedhje të reja. Një tjetër ministër Gadi Eisenkot bëri thirrje gjithashtu në fillim të këtij viti, duke thënë se zgjedhjet janë të rëndësishme për të rinovuar besimin, pasi aktualisht nuk ka besim. Ka pasur gjithashtu protesta të mëdha publike në Tel Aviv dhe Jerusalem, një sfidë e rëndësishme për udhëheqjen gjithnjë e më të ashpër të Netanyahut.
Lini një Përgjigje