TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Korrik 2023, 17:18

Lejimi i djegies së Kuranit në Suedi përkeqëson situatën e sigurisë në vendin nordik

Shkruar nga Pamfleti

Lejimi i djegies së Kuranit në Suedi përkeqëson

Shërbimi suedez i Sigurisë së Brendshme ka deklaruar se lejimi i djegies së Kuranit ka përkeqësuar situatën e sigurisë në vend, teksa shtoi se ky veprim ka ndikuar negativisht në imazhin e kombit nordik.

Agjencia, e njohur me akronimin e SAPO, tha se djegia dhe përdhosja e librave fetarë në Suedi, dhe fushatat e vazhdueshme dezinformuese në rrjetet sociale dhe platforma tjera, kanë ndikuar negativisht në profilin e Suedisë.

Në një deklaratë, SAPO përmendi se perceptimi për Suedinë është zhvendosur nga një vend tolerant, në një vend që tani shihet si armiqësor ndaj Islamit dhe myslimanëve.

Kjo rrezikon të nxisë kërcënime kundër Suedisë “nga individë brenda mjedisit të dhunshëm islamik”, tha agjencia, duke shtuar se rreziku aktual nga terrorizmi në Suedi mbetet në një nivel të ngritur.

Është një situatë serioze në të cilën ndodhemi”, tha Susanna Trehörning, nënkryetare e SAPO-s për antiterrorizëm, për transmetuesin publik suedez SVT.

"Është një kërcënim i shtuar, dhe një sulm mund të ndodhë brenda kornizës së një kërcënimi të tillë", tha ajo.

Në Suedi dhe së fundmi në Danimarkën fqinje, një seri përdhosjesh publike të Kuranit nga disa aktivistë anti-islamikë ka shkaktuar reagime të zemëruara në vendet myslimane.

Në Suedi, nuk ka ligje specifike që ndalojnë djegien ose përdhosjen e Kuranit ose teksteve të tjera fetare, dhe si shumë shtete perëndimore, Suedia nuk ka ligje për blasfeminë.

Suedia mbështet një të drejtën për të mbajtur demonstrata publike, të mbrojtura nga Kushtetuta e saj.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dënoi përdhosjen e librave fetarë në Suedi dhe Danimarkë. Ai theksoi se akte të tilla shërbejnë vetëm për të përçarë shoqëritë.

Respekti për diversitetin është një vlerë thelbësore e Bashkimit Evropian. Kjo përfshin respektin për komunitetet e tjera fetare”, tha kryediplomati i BE-së.

Përdhosja e Kuranit, apo e ndonjë libri tjetër që konsiderohet i shenjtë, është ofendues, mosrespektues dhe një provokim i qartë. Shprehjet e racizmit, ksenofobisë dhe jotolerancës përkatëse nuk kanë vend në Bashkimin Evropian”, tha Borrell.

suedi djegia e kuranit situata

Lini një Përgjigje