TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Tetor 2025, 16:49

Lecornu flet sonte: A do ta shmangë Macron dorëheqjen me një qeveri të re socialiste?

Shkruar nga Pamfleti

Lecornu flet sonte: A do ta shmangë Macron dorëheqjen me një

Lecornu provon për herë të fundit: A ka ende shpresë për një qeveri?

Kryeministri në detyrë i Francës, Sébastien Lecornu, do t’u drejtohet francezëve sonte në orën 20:00, ku pritet të njoftojë nëse negociatat e fundit 48-orëshe, të kërkuara nga presidenti Emmanuel Macron, kanë prodhuar ndonjë marrëveshje për formimin e një qeverie të re, apo nëse Franca do të vazhdojë të mbetet pa një ekzekutiv funksional.

Më herët gjatë ditës, në orën 09:30, Lecornu mbajti një dalje të parë publike ku dha sinjale të kujdesshme optimizmi, duke deklaruar se forcat politike kanë shprehur dëshirën që të miratohet një buxhet para datës 31 dhjetor, çka do të ndihmonte në shmangien e shpërndarjes së Asamblesë Kombëtare dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Një nga takimet kyçe ishte ai me delegacionin socialist, të udhëhequr nga Olivier Faure, i cili deklaroi se socialistët kërkojnë zgjidhje dhe janë të gatshëm të marrin përgjegjësinë për të dalë nga ngërçi institucional. Partia Socialiste nuk kërkon dorëheqjen e presidentit Macron dhe as zgjedhje të reja, por propozon emërimin e një kryeministri të majtë që të mbështetet nga e gjithë hapësira republikane, për të kaluar buxhetin dhe shmangur një përkeqësim të mëtejshëm të krizës financiare të vendit, e rënduar tashmë nga një borxh publik prej 3400 miliardë eurosh.

Megjithatë, socialistët vendosin një kusht të panegociueshëm: pezullimin e reformës së pensioneve, një reformë shumë e kontestuar që u shty përpara nga ish-kryeministrja Elisabeth Borne. Lecornu nuk u shpreh për këtë çështje, ndërsa Olivier Faure paralajmëroi se nuk do të pranojnë thjesht një “ngrirje të përkohshme” të reformës, por kërkojnë një pezullim të vërtetë dhe të garantuar, dhe këtë e shohin të mundur vetëm nëse e majta dhe ekologjistët marrin pushtetin.

Megjithatë, edhe brenda vetë kampit të majtë ka kontradikta: Faure ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me makronistët, duke e cilësuar të papranueshëm një aleancë me partinë që udhëhoqi reformën e pensioneve. Por me vetëm 60 deputetë socialistë, është pothuajse e pamundur të sigurohet shumica parlamentare për një qeveri të re.

Ekstremi i djathtë (Rassemblement National) dhe ai i majtë (La France Insoumise) tashmë kanë paralajmëruar se do të votojnë çdo mocion mosbesimi ndaj çdo qeverie që nuk çon vendin në zgjedhje të reja, dhe në mënyrë ideale, edhe në zgjedhje presidenciale. Nga ana tjetër, e djathta tradicionale (Les Républicains) është e ndarë: disa janë të hapur për bashkëpunim, por lideri i tyre, Bruno Retailleau, ka vendosur si "vijë të kuqe" çdo ndërhyrje në reformën e pensioneve.

Situata është e ngatërruar dhe paradoksale: edhe ata që duan të shmangin zgjedhjet, vendosin kushte që i bëjnë të pamundura marrëveshjet. Në këtë klimë pasigurie, pritet me padurim deklarata e mbrëmjes së Lecornu, një politikan që ka humbur besueshmërinë, sidomos pasi qeveria që propozoi të dielën u rrëzua vetëm një ditë më vonë. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”

Lini një Përgjigje