TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Mars 2024, 20:32

Putin nuk e përmend grupin terrorist ISIS-K, kush fshihet në të vërtetë pas masakrës në Rusi?

Shkruar nga Pamfleti
Putin nuk e përmend grupin terrorist ISIS-K, kush fshihet në të
Vladimir Putin

Përderisa sulmi nga ISIS-K në Rusi të premten ishte eskalim dramatik, ekspertët thanë se grupi e ka kundërshtuar viteve të fundit presidentin rus, Vladimir Putin.

Shtetet e Bashkuara kanë të dhëna të inteligjencës që e vërtetojnë pretendimin e grupit ISIS për marrjen e përgjegjësisë për sulmin masiv në një sallë koncertesh afër Moskës të premten, i tha agjencisë “Reuters” një zyrtar amerikan.

Ndërkohë presidenti Vladimir Putin, për asnjë moment nuk e përmendi ISIS-in si shkaktar të masakrës. Nuk është e sigurt që autorët janë anëtarë të asaj që ka mbetur nga Shteti Islamik i vetëquajtur, ose terroristë që e shohin atë në mënyrë ideale. Por bie në sy fakti që lideri rus nuk flet për to, as kalimthi.

Çfarë është dega e ISIS-it në Afganistan, e njohur si ISIS-K dhe cilat janë motivet e saj për ta sulmuar Rusinë?

Shteti Islamik Khorasan, i emërtuar sipas një termi të vjetër të rajonit që përfshinte pjesë të Iranit, Turkmenistanit e Afganistanit, doli në skenë në lindje të Afganistanit në fund të vitit 2014 dhe shpejt bëri emër për brutalitetin ekstrem.

Edhe pse është njëra nga degët më aktive rajonale të ISIS-it, ISIS-K është ballafaquar me rënie të numrit të anëtarëve që nga arritja e kulmit më 2018. Talibanët dhe forcat amerikane i kanë shkaktuar humbje të rënda.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se aftësitë e tyre për të grumbulluar të dhëna të inteligjencës rreth grupeve ekstremiste në Afganistan si ISIS-K janë zvogëluar që nga tërheqja e trupave amerikane nga ky shtet më 2021.

ISIS-K ka një histori sulmesh, përfshirë disa kundër xhamive, brenda e jashtë Afganistanit.

Më herët këtë vit, ShBA-ja siguroi komunikime që e konfirmojnë lajmin e ky grup e kreu shpërthimin e dyfishtë në Iran që la të vrarë rreth 100 njerëz.

Në shtator të vitit 2022, militantët e grupit ISIS-K e morën përgjegjësinë për një shpërthim vdekjeprurës vetëvrasës në ambasadën ruse në Kabul.

Grupi ishte përgjegjës për një sulm në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit më 2021 që kishte lënë të vrarë 13 ushtarë amerikanë e shumë civilë gjatë tërheqjes kaotike të ShBA-së nga Afganistani.

Më herët këtë muaj, gjenerali më i lartë amerikan në Lindje të Mesme tha se ISIS-K mund t’i sulmonte interesat e ShBA-së dhe të Perëndimit jashtë Afganistanit “brenda gjashtë muajve dhe me pak ose pa paralajmërim”.

Pse do ta sulmonte ISIS-K Rusinë?

Përderisa sulmi nga ISIS-K në Rusi të premten ishte eskalim dramatik, ekspertët thanë se grupi e ka kundërshtuar viteve të fundit presidentin rus, Vladimir Putin.

“ISIS-K ka qenë i fiksuar ndaj Rusisë gjatë dy viteve të fundit, duke e kritikuar shpesh Putinin në propagandën e vet” – tha Colin Clarke nga grupi hulumtues “Soufan Center” me seli në Uashington.

Michael Kugelman nga Qendra Wilston me seli në Uashington tha se ISIS-K “e sheh Rusinë si bashkëfajtore në aktivitete që rregullisht i shtypin myslimanët”.

Ai shtoi se grupi gjithashtu ka në radhët e veta si anëtarë një numër militantësh nga Azia Qendrore, të cilët i kanë ankesat e veta kundër Moskës. / Përshtati Pamfleti

vladimir putin

Lini një Përgjigje