TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Korrik 2024, 21:04

Kush është Kimberly Cheatle, shefja e Shërbimit Sekret që “mban mbi supe” atentatin ndaj Trump?

Shkruar nga Pamfleti
Kush është Kimberly Cheatle, shefja e Shërbimit Sekret që
Kimberly A. Cheatle

Shefja e Shërbimit Sekret, do të duhet të japë sqarime se pse dështoi siguria e Trump...

Donald Trump ishte në shënjestër të shtunën. Sot silueta ka fytyrën e Kimberly A. Cheatle dhe institucionit që ajo ka drejtuar që nga viti 2022 dhe ku ajo ka shërbyer për gati tridhjetë vjet: Shërbimi Sekret. Dëshira për t'iu bashkuar policisë, ishte forcuar nga ngjarjet familjare. Vëllai i saj, i cili vdiq para kohe në një aksident automobilistik, donte të bëhej polic dhe për të, siç tha ajo në një intervistë, ai u bë burim frymëzimi.

Dinamika e sulmit e vuri agjencinë me shpatulla pas murit. Shumë të meta në parandalimin e ngjarjes, gjithashtu situata ishte kaotike kur kandidati duhej të largohej. Gabime që janë shtuar në një traditë të rëndë, me “shërbimin” e konsideruar vazhdimisht në krizë. Stafi konsiderohet i pamjaftueshëm - mbi 7 mijë zyrtarë nuk mjaftojnë - morali i reparteve ka rënë ndjeshëm, turnet janë shtuar.

Vështirësi kronike që i ka theksuar “era” që fryn mbi Amerikë. Ekstremizmi, polarizimi, demonizimi i kundërshtarit politik dhe justifikimi i çdo mjeti për ta ndaluar atë, prirja e disave ndaj dhunës dhe disponueshmëria e njohur e armëve. Të gjithë mund të jenë kërcënim, por çdo kërcënim i vetëm duhet të analizohet dhe të parandalohet.

E gjithë kjo është në tryezën e Kimberly A. Cheatle. Republikanët po bëjnë përgjegjëse drejtoreshën, ndërsa informacionet që janë të pasakta, por që kontribuojnë në komplikimin e gjërave, po përhapen.

Një përfaqësuese e njohur konservatore, Ann Coulter, prezantoi një listë nënshkrimesh për të kontestuar kuotat e femrave në radhët e Shërbimit Sekret. Një akuzë e lidhur me atë që ndodhi në mitingun e Trump, ku disa nga femrat në grupin e sigurisë, u shfaqën jo të qeta në ato momente emocionuese.

Dhe kështu Cheatle e gjen veten nën rrethim, me tre misione për t'u përballur:

E para. “Departamenti” i saj është objekt i një hetimi. Ajo duhet të tregojë se ka bërë gjithçka është e mundur dhe ta provojë me fakte të besueshme. Hetimi u kërkua nga ndjekësit e Trump, por u urdhërua nga Presidenti Joe Biden, i cili e njeh zonjën më shumë se të tjerët, sepse ajo drejton "mbrojtjen" e tij.

E dyta. Sigurimi i mbrojtjes maksimale gjatë pjesës së mbetur të fushatës zgjedhore, ku mund të ketë ende rrezik. Sërish në deklaratën zyrtare ajo premtoi “fleksibilitet”.

E treta. Të ndihmojë për të hedhur dritë mbi pritën në miting, një detyrë e ndarë midis agjencive të ndryshme dhe që janë jo gjithmonë në harmoni. Koordinimi humbi aspektin vendimtar: kontrollin e çatisë ku ishte vendosur vrasësi. Shërbimi Sekret e dinte për situatën kritike, por besonte se policia lokale duhej të merrej me të me kontrolle dhe më pas ta ruante atë me një ekip gjuajtësish. Nuk u bë dhe autoritetet e Pensilvanisë ia hodhën fajin agjencisë federale e cila, padyshim, ka më shumë rëndësi në linjën e raportimit. Kështu mbeti një boshllëk.

Kimberley Cheatle do të thirret për të dëshmuar në 22 korrik para kongresmenëve. Atë e presin pyetje, audicione, kritika.

Në vend ka nga ata që dyshojnë për gjithçka dhe jo vetëm. Për disa, qitësi Thomas Mattheë Crooks është një Lee Osëald i ri (ish-marinsi që vrau John Kennedy). Për të tjerët një kukull, një person i manipuluar, një provokator i çuar në rrëmujë. Për të tjerët ende një “mutant”, një ish-student në dukje i qetë që u kthye në snajper. Dhe problemi, megjithatë, është se kombi është i fragmentuar. Kongresi është fyer dhe sulmuar. Çdo e vërtetë rrezikon të pranohet vetëm nga njëra anë . Gjithmonë ka qenë pak, por tani është edhe më shumë. /Përshtati "Pamfleti" nga 'Corriere Della Sera"

Lini një Përgjigje