
Macron njoftoi se Franca do ta shpallë Palestinën një komb të pavarur deri në shtator. Por jo të gjitha vendet perëndimore janë dakord...
Në mbrëmjen e vonë të së enjtes, 24 korrik, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca, në shtator, do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës. Mediat ndërkombëtare raportuan vetëm disa orë më vonë se deklarata të ngjashme “priten” (sipas CNN) edhe nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania.
Sot, pas njohjes së zyrtarizuar në maj 2024 nga Sllovenia, Spanja dhe Irlanda, numri i vendeve evropiane që e njohin shtetin palestinez është 11, ndërsa në Organizatën e Kombeve të Bashkuara mbi 140 nga 193 shtete anëtare e njohin Palestinën. Që nga viti 2012, në OKB Palestina ka statusin e “shtetit vëzhgues joanëtar”.
Çfarë ndryshon në të drejtën ndërkombëtare?
Njohja e një shteti në të drejtën ndërkombëtare do të thotë jo vetëm pranimi i sovranitetit dhe integritetit të tij territorial, por edhe statusi si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Praktikisht, kjo nënkupton edhe hapjen e përfaqësive diplomatike zyrtare. Në rastin e Palestinës, veçanërisht në këtë periudhë të konfliktit, njohja ka një peshë të fortë simbolike dhe dërgon një mesazh politik, sidomos për vendet e tjera perëndimore, në aspektin e marrëdhënieve gjeopolitike.
Vetëshpallja e shtetit palestinez
Palestina u vetëshpall shtet më 15 nëntor 1988, në mënyrë të njëanshme: presidenti i Autoritetit Kombëtar Palestinez, Yasser Arafat, mbylli seancën përfundimtare të Këshillit Kombëtar të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP), të mbajtur në Algjer, duke lexuar Deklaratën e Pavarësisë së Palestinës, të hartuar nga poeti Mahmoud Darëish. Pas kësaj pasuan disa valë njohjesh. Megjithatë, shumë shtete, edhe pa njohur Palestinën si shtet sovran, mbështesin zgjidhje si ajo e dy shteteve, që e tregon kompleksitetin e çështjes në nivel ndërkombëtar.
Vendet që e kanë njohur Palestinën
Të parët që njohën shtetin palestinez pas deklaratës së Algjerit ishin vendet e Ligës Arabe (1988–1989). Më pas, gjatë Luftës së Ftohtë, njohja u dha edhe nga vendet e bllokut sovjetik, socialiste dhe vendet e Lëvizjes së të Painkuadruarve.
Një tjetër valë njohjesh erdhi nga Amerika Latine (2009–2011): Brazili (3 dhjetor 2010), Argjentina (6 dhjetor 2010), Bolivia (17 dhjetor 2010), Ekuadori (24 dhjetor 2010), Kili (7 janar 2011), Peruja (24 janar 2011), Uruguai (15 shkurt 2011), Venezuela (29 prill 2009).
Brenda BE-së, qëndrimet janë të ndara. Islanda, që nuk është anëtare e BE-së, e njohu Palestinën që në vitin 2011. Suedia, si vend anëtar i BE-së, e bëri këtë më 30 tetor 2014, e para brenda unionit (pa llogaritur ish-vendet e bllokut lindor që e kishin njohur që më herët).
Nga vendet e G20, dhjetë e njohin Palestinën (Argjentina, Brazili, Kina, India, Indonezia, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut dhe Turqia, si dhe Spanja), ndërsa tetë të tjera ende jo (Australia, Kanadaja, Gjermania, Italia, Japonia, Koreja e Jugut, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA). Franca është më e fundit që i bashkohet këtij qëndrimi. Vetëm gjatë vitit 2024, si përgjigje ndaj luftës në Gaza, u shtuan njohje të tjera zyrtare: Spanja, Irlanda, Norvegjia, Sllovenia, Armenia, të gjitha për të përshpejtuar procesin e paqes.
Qëndrimet evropiane
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez deklaroi: “Spanja ka qenë gjithmonë e rezervuar ndaj kërkesave për pavarësi (p.sh. nuk e njeh Kosovën) nga frika se mund të krijojë precedent për Katalonjën. Prandaj njohja e Palestinës është edhe më domethënëse.”
Norvegjia, e cila për vite me radhë kërkonte një njohje të bazuar mbi një proces paqeje të përfunduar, vendosi ta bëjë këtë pikërisht për ta përshpejtuar procesin.
Një pjesë e madhe e vendeve perëndimore si SHBA, disa vende evropiane dhe Australia, ende nuk e njohin formalisht shtetin palestinez, megjithëse e mbështesin zgjidhjen me dy shtete. Italia, për shembull, mban një qëndrim të kujdesshëm: e mbështet konceptin e dy shteteve dhe mban një zyrë kontakti me Autoritetin Palestinez në ambasadën e saj në Jerusalem. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani theksoi se Italia “është pro njohjes së shtetit palestinez, por ai duhet të njohë Izraelin dhe të njihet nga Izraeli. (...) Dhe sigurisht nuk mund të qeveriset nga Hamasi. Ne njohim Autoritetin Kombëtar Palestinez”. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje