TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Mars 2026, 20:25

Kush do ta gjykojë luftën në Iran?

Shkruar nga Pamfleti

Kush do ta gjykojë luftën në Iran?

Vështirë të thuhet nëse ekziston qoftë edhe një platformë, mbi të cilën mund të mblidhemi për të shprehur një gjykim të përbashkët...

Më 7 tetor 2001, Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld shpalli fillimin e Operation Enduring Freedom, fushatës në Afganistan pas 11 shtatorit, pra përgjigjja ndaj një sulmi terrorist të kryer në zemër të Amerikës. Zgjedhja ishte e qartë: evokonte mbrojtjen e një të mire kolektive. Vetë presidenti, republikani George W. Bush, u duk sikur donte ta sqaronte: "Nuk e kemi kërkuar ne këtë mision, por do ta çojmë deri në fund. Mbrojmë jo vetëm liritë tona të çmuara, por edhe lirinë e secilit për të jetuar pa frikë". Ai i fliste botës, kërkonte unanimitet.

Më 28 shkurt 2026, një çerek shekulli ose një epokë e tërë më vonë, Donald Trump, një tjetër president republikan, urdhëroi fillimin e Operation Epic Fury, një veprim parandalues me objektiva pak a shumë të përbashkëta me Izraelin, protagonisti tjetër i sulmit, shkatërrimi i arsenalit bërthamor iranian? Prerja e kokës së lidershipit për të provokuar një “ndryshim regjimi” nga brenda? Dobësimi i kapacitetit të Republikës Islamike për të goditur përmes aleatëve të saj në Lindjen e Mesme? Të treja?. Emri u lidh menjëherë me një videolojë, me një produkt argëtimi, më shumë sesa me një mision strategjik. Edhe gjuha e përdorur nga drejtuesit amerikanë u duk më shumë si përplasje sesa politikë. Trump, në fillim tha: "Po shkatërrojmë kapacitetet raketore të Iranit, po asgjësojmë Marinën e tyre…".

Edhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, më i arsyetuari, ishte zbulues: "Është e rëndësishme t’i kujtojmë popullit amerikan pse ushtria më e madhe në histori është e angazhuar në këtë operacion". Amerika flet me veten, dhe për veten, gjatë gjithë kohës.

Gjatë një takimi në një lice në Milano, kushtuar Iranit, nga klasa u ngrit një dorë: "Kush do ta gjykojë si shkoi kjo luftë? Cili është momenti që do të na bëjë të themi e pranueshme/e papranueshme?". Pikërisht, a do të ekzistojë “një moment”? Një tribunë mbi palët? Vështirë të thuhet nëse ekziston qoftë edhe një platformë, mbi të cilën mund të mblidhemi për të shprehur një gjykim të përbashkët.

Pas emrave, Fury kundër Freedom, shfaqet një dallim teknik edhe më i thellë që matet me shkallën e legjitimitetit ndërkombëtar. Në vitin 2001, Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte dënuar tashmë sulmet e 11 shtatorit me rezolutat 1368 dhe 1373. Koalicioni ushtarak përfshinte Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë, Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Zelandën e Re, Poloninë, Rusinë, Turqinë, përveç dhjetëra vendeve të tjera. NATO aktivizoi për herë të parë nenin 5 – "sulmi ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve".

Si paraqitet situata në vitin 2026? Këshilli i Sigurimit u mblodh me kërkesë të Kinës dhe Rusisë, Sekretari i Përgjithshëm Guterres “bëri thirrje” për një armëpushim të menjëhershëm. Franca e cilësoi përshkallëzimin “të rrezikshëm”. NATO deklaroi mos-pjesëmarrjen e saj, duke refuzuar, për momentin, presionet e Trump. Spanja, përmes kryeministrit Sánchez, e quajti ndërhyrjen “të pajustifikuar dhe të rrezikshme” dhe i shpalli bazat e saj “off”. Sigurisht, manovrat e mëdha diplomatike shpesh kanë qenë instrument legjitimimi i pushtetit. Por është fakt që sot ajo “lodhje” e negociatave as nuk mendohet dhe as nuk përballet seriozisht. Ukraina, mes telefonatave dhe samiteve, ka hyrë në vitin e pestë të luftës. E drejta është shndërruar papritur në një shpatë në dorën e më të fortit në fushë.

Një brezi studentësh që ngre dorën, rrezikojmë të mos dimë t’i tregojmë cilat pika të lidhin në hartë për të gjykuar se si shkoi lufta./Përshtati "Pamfleti" nga "Corriere della Sera"

irani lufta

Lini një Përgjigje