TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Dhjetor 2024, 21:33

Ku u 'zhdukën' biznesmenët siranë pas rrëzimit të Assad?!

Shkruar nga Pamfleti

Ku u 'zhdukën' biznesmenët siranë pas rrëzimit

Ky dominim ekonomik përkeqësoi hendekun e klasave shoqërore dhe shtoi vuajtjet e popullit sirian gjatë viteve të luftës.

Gjatë një vizite këtë javë në një nga hotelet kryesore të Bejrutit, gazetarët vunë re një prani të qartë të disa sirianëve të pasur, emrat e të cilëve nuk dihen ende. Ishte e qartë se ata po qëndronin në hotel me familjet e tyre, përfshirë fëmijët adoleshentë. Ata dukeshin të tensionuar, teksa kalonin pjesën më të madhe të kohës në telefonat e tyre dhe komunikonin vazhdimisht.

Kjo erdhi pasi kreu i grupit më të madh lobues tregtar të Sirisë njoftoi miratimin e një modeli të tregut të lirë në Siri, si pjesë e një ndryshimi radikal në politikën ekonomike të vendit pas rënies së regjimit të Bashar al-Asad. Ekonomia siriane ishte konsideruar prej kohësh socialiste në emër, por e kontrolluar nga disa biznesmenë të lidhur me rrethin e brendshëm të regjimit.

Sipas Bassel Al-Hamwi, kreu i Federatës së Dhomës së Tregtisë së Damaskut, sistemi i ri do të cilësohet si një nga themelet e ekonomisë së lirë.

Shteti kishte dominuar prej kohësh të gjithë sektorët ekonomikë të Sirisë. Burimet u përqendruan në duart e disa biznesmenëve të lidhur me regjimin e Asadit, si Rami dhe Ihab Makhlouf, Samer dhe Amer Foz, Mohammed Hamsho, Ahmed Saber Hamsho, familja Al-Qaterji dhe të tjerë.

Ky dominim ekonomik përkeqësoi hendekun e klasave shoqërore dhe shtoi vuajtjet e popullit sirian gjatë viteve të luftës. Ish-biznesmenët e regjimit sirian pas rrëzimit të Assad u “shpërngulën” në hotele me 5 yje si Mövenpick, Phoenicia dhe të tjerë në periferitë jugore.

Pasuria e regjimit

Ndër emrat e përmendur janë biznesmeni Khaled Qaddour, një bashkëpunëtor i ngushtë i Maher al-Assad dhe vëlla i ish-diktatorit sirian. Sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Qaddour i është nënshtruar sanksioneve të SHBA-së për "dhënien me vetëdije të mbështetjes financiare, materiale ose teknike për Maher al-Assad, ose pjesëmarrjen me vetëdije në transaksione të rëndësishme me të".

Gjithashtu ishte edhe Mohammad Hamsho, i afërt me Maher al-Assad dhe i listuar nën sanksionet e Aktit të Cezarit të SHBA-së në vitin 2020. Departamenti i Thesarit i SHBA deklaroi se familja Hamsho “ka interesa në pothuajse çdo sektor të ekonomisë siriane. Mohammad Hamsho veproi si një front dhe partner i ngushtë i Maher al-Assad, i cili komandon Divizionin e Katërt të ushtrisë siriane. Si Qaddour ashtu edhe Hamsho, kanë rezidencë libaneze.

Në mesin e atyre që kërkojnë strehim në Liban është Firas Issa Shaleesh, nipi i Dhu al-Himma Shaleesh, i përfshirë në masakrat e Hama dhe Jisr al-Shughur gjatë kohës së Hafez al-Asad. Firas ishte ortak me xhaxhain e tij në një kompani telekomunikacioni të themeluar në vitin 1998.

Elita e regjimit

Ministri i Brendshëm në detyrë i Libanit, Bassam Mawlawi mohoi strehimin e biznesmenëve pas rënies së Assad duke i quajtur thashetheme. Ai deklaroi se nuk ka zyrtarë të sigurisë siriane në Liban.

Deklarata e kryeministrit në detyrë Najib Mikati ishte më e paqartë, duke pohuar përkushtimin e qeverisë ndaj ligjeve libaneze dhe ndërkombëtare "në mënyra që sigurojnë interesin e Libanit, popullit të tij dhe marrëdhëniet e ardhshme me popullin sirian".

Ai u shpreh se po monitoron nga afër të situatës, lidhur me hyrjen e ish-zyrtarëve sirianë në vend, duke theksuar se qeveria libaneze ka respektuar gjithmonë ligjet libaneze dhe ndërkombëtare.

A kërkoi strehim Ali Mamlouk në Liban?

Vlen të kujtojmë rrjetet e mëdha të biznesit të biznesmenëve të lidhur me regjimin në Liban dhe rajon, veçanërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe. Më herët një shkrim: “Burrat e regjimit sirian në Dubai pavarësisht sanksioneve të SHBA”, bëri bujë. Bëhej fjalë për Rami dhe Ihab Makhlouf, vëllezërit biznesmenë Samer dhe Amer Foz, Rania Al-Dabbas, gruaja e biznesmenit sirian Mohammad Hamsho, dhe të tjerë.

Emrat e tyre dolën edhe në "Paradise Papers" në vitin 2016, të cilat zbuluan përfshirjen e Rami Makhlouf dhe biznesmenëve të tjerë të lidhur me regjimin sirian përmes pronësisë së shumë kompanive në Liban, veçanërisht ato që lidhen me tregtinë dhe marrëveshjet në det të hapur.

Ali Mamlouk, i cili shërbeu si këshilltar për sigurinë kombëtare për Bashar al-Assad, ishte një nga arkitektët e shquar të represionit të sigurisë në vend, sipas sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA kundër tij. Gazeta Nidaa Al-Watan, duke cituar burime sigurie, raportoi se ai ishte strehuar në Bejrut ose periferitë jugore pas rënies së regjimit, ndërsa burime të tjera mohuan praninë e tij në Liban, ndërsa u tha se Mamlouk kishte mbetur në Damask.

Emri i Ali Mamlouk ka qenë i lidhur me disa raste të rëndësishme sigurie, duke përfshirë incidentin e vitit 2012 të kontrabandës së eksplozivëve në Liban nëpërmjet ish-ministrit libanez Michel Samaha, me qëllim kryerjen e atentateve dhe bombave, duke përfshirë bombardimin e xhamive Al-Taqwa dhe Al-Salam në Tripoli.

Ky rast ngjalli polemika të shuma dhe bëri që gjyqësori libanez të lëshonte dënime me burg kundër Samaha-s, nën akuza për terrorizëm. Gjykata lëshoi ​​një urdhër arresti në mungesë për Ali Mamlouk në vitin 2013.

Opsioni i Rusisë

Një hetim nga Financial Times në nëntor të vitit 2019 zbuloi prona në pronësi të Bashar al-Assad dhe familjes së tij në Moskë në një zonë të pasur, i përbërë nga dy rrokaqiejt të lartë.

Familja Makhlouf bleu të paktën 20 apartamente në Moskë me vlerë 40 milionë dollarë. Ky kompleks përfshin jo më pak se 18 apartamente luksoze të blera nga familja e Bashar al-Assad.

Anëtarët e familjes Makhlouf blenë 20 apartamente në Moskë me vlerë 40 milionë dollarë, duke përdorur një zinxhir kompleks kompanish dhe marrëveshje kredie. Hetimi zbuloi gjithashtu se si ata përdorën strukturat e huasë që përfshinin kompani libaneze offshore dhe tashmë zotërojnë pronat.

Ky realitet ngre pyetjet: a do të ndjekin shembullin e liderit të tyre biznesmenët e regjimit të mëparshëm dhe a do të kërkojnë strehim në Moskë?/ Përshtati "Pamfleti" nga "WorldCrunch".

Lini një Përgjigje