Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Michael Waltz, deklaroi në Konferencën e Sigurisë në Mynih se reformat dhe shkurtimet e nisura nga administrata amerikane do ta forcojnë Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në një panel diskutimi, Waltz tha se presidenti Donald Trump kishte ngritur me të drejtë pyetjen mbi mungesën e rezultateve të OKB-së në kriza si ajo në Gaza apo në konfliktin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Sipas tij, modeli aktual nuk po funksionon dhe kërkon ndryshim. Ai shtoi se procesi i reformimit do ta nxjerrë organizatën më të fortë.
Waltz foli edhe për krijimin e mekanizmave më të përqendruar shumëpalësh, duke përmendur “Bordin e Paqes” si një strukturë që synon të prodhojë rezultate konkrete. Ai e cilësoi të pranueshme ngritjen e organizatave të tilla për sa kohë ato arrijnë objektivat e përcaktuara.
Presidenti Donald Trump e prezantoi Bordin e Paqes gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, si një koalicion vendesh që do të angazhohen për zgjidhjen e konfliktit në Gaza. Deri tani, agjenda dhe mekanizmat e funksionimit të këtij organi nuk janë bërë publikë.
Në këtë nismë janë përfshirë edhe Shqipëria dhe Kosova, me ftesë të presidentit amerikan. Gjermania dhe Franca nuk i janë bashkuar koalicionit, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes në vijim.
Lini një Përgjigje