Java e mbrapshtë e presidentit amerikan u ka dhënë kundërshtarëve të tij një grimë shprese për të ardhmen. Ndërsa administrata përballet me goditje të njëpasnjëshme, rivalët po pozicionohen për të shfrytëzuar çdo lëkundje në kështjellën e pushtetit të tij...
Donald Trump ka nevojë jetike për një rrugëdalje, për një shpërqendrim që të zhvendosë vëmendjen nga telashet që po e rrethojnë. Pasi administrata e tij kaloi një javë të karakterizuar nga humbjet e njëpasnjëshme dhe autogolat politikë, kryetitujt e lajmeve mbeten të mbërthyer me kokëfortësi pas pikëpyetjeve të pazgjidhura mbi dosjen Epstein, rënien e popullaritetit të presidentit amerikan dhe hapat e parë të demokratëve që synojnë ta zëvendësojnë.
Pak ditë larg fjalimit të përvitshëm mbi “Gjendjen e Kombit”, Trump gjendet në një moment delikat dhe të rrezikshëm. Opinioni publik po fillon të distancohet nga pretendimi i tij se Amerika është “kombi më i suksesshëm sot në botë”. Ndërkohë po shtohen dyshimet nëse dosjet Epstein do ta “shfajësojnë” vërtet atë nga akuzat për sjellje të pahijshme, ashtu siç nxitoi të deklaronte në fillim të muajit.
Presidenti përballet gjithashtu me thirrje të vazhdueshme nga vetë anëtarët e lëvizjes së tij “Make America Great Again” për të shkarkuar Prokuroren e Përgjithshme, Pam Bondi, pas dëshmisë së saj të mjegullt dhe thuajse përçmuese mbi trajtimin e çështjes Epstein në Kongres javën e kaluar.
Kthesa e tij e papritur mbi ngjarjet në Minneapolis mund të prodhojë imazhe të rënda këtë javë: agjentët e ICE-së dhe trupat e Patrullës Kufitare duke paketuar pajisjet e tyre për t’u tërhequr me turp nga qyteti. Si të mos mjaftonte kjo, që këtë të premte, nëntë gjyqtarët e Gjykata Supreme mund të përmbysin tarifat e tij të “Ditës së Çlirimit”. Nëse gjykata rreshtohet kundër administratës, kjo do të dërrmonte shtyllën kurrizore të politikave tregtare dhe sigurisë kombëtare të Trump.
Në këto rrethana, mjeshtri i shpërqendrimit duhet të ndryshojë me çdo kusht rrjedhën e ngjarjeve, jo vetëm për hir të imazhit, por sepse demokratët tashmë po përgatiten duke i premtuar botës se ndryshimi po troket në derë.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, u bëri thirrje udhëheqësve dhe politikëbërësve evropianë në Konferencën e Sigurisë në Mynih që të mos e humbin shpresën te e ardhmja e Amerikës, as te qëndrueshmëria e aleancës transatlantike tashmë të dëmtuar.
“Nëse ka diçka që dua të përcjell sot, është se Donald Trump është i përkohshëm në detyrë” - i siguroi ai pjesëmarrësit, duke u premtuar se ai do të largohet pas tre vjetësh dhe se është jetike që bota të kuptojë natyrën kalimtare të kësaj administrate.
Në të njëjtin panel, kongresmenia demokrate Alexandria Ocasio-Cortez paralajmëroi se Trump po përpiqet të krijojë një “epokë autoritarizmi”, ku ai mund ta komandojë si pronën e tij private Hemisferën Perëndimore, ndërsa Putin marshon i lirë nëpër Evropë duke kërcënuar aleatët e SHBA-së. Ajo skicoi një vizion alternativ për politikën e jashtme, duke bërë thirrje për rikthimin e një rendi botëror të bazuar mbi rregulla.
Prania e Newsom në Mynih u interpretua gjerësisht si hapja e fushatës së tij presidenciale, ende të paoficializuar. Kjo të kujton vitin 2018. Asokohe, demokratët siguronin botën se mandati i parë i Trumpit do të shihej nga historianët si një devijim i thjeshtë, një lloj etheje e shkurtër në ballin e kombit. Sapo mori pushtetin, Joe Biden e siguroi botën se “Amerika u kthye!”, ndonëse ky pretendim u prit me skepticizëm nga disa liderë evropianë.
Premtimi i Newsom se “Trump është i përkohshëm” nuk mbështetet vetëm te largimi i tij nga Shtëpia e Bardhë, por edhe te shpresa për një ndryshim kursi nga ana e republikanëve, të cilët janë treguar të palëkundur në minimin e integritetit zgjedhor për vitet 2026 dhe 2028.
Çdo ditë, Trump dhe bashkëpunëtorët e tij zotohen të bëjnë gjithçka për të kontrolluar rezultatin e zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor. Të premten, presidenti u zotua të përdorë fuqitë ekzekutive për t’u kërkuar votuesve dokumente identifikimi, pavarësisht nëse Kongresi e miraton këtë apo jo.
“Do të ketë ID të votuesit, me ose pa miratimin e Kongresit!” - shkroi ai në rrjetet sociale. Demokratët e shohin këtë si një përpjekje të re për të privuar nga e drejta e votës pakicat dhe klasën punëtore. Por edhe disa republikanë e kundërshtojnë këtë nismë, duke argumentuar se ajo shkel të drejtën e shteteve për të administruar zgjedhjet e tyre.
Trump duket i vendosur të përdorë çdo mjet të “arteve të errëta” për të siguruar që republikanët të mos përmbysen nga vota popullore, duke garantuar vazhdimësinë e revolucionit “Amerika e Para”. Ky vizion u prezantua në Mynih edhe nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili shpalosi ambiciet për të transformuar politikën evropiane sipas modelit autoritar amerikan, duke bërë thirrje për një “qytetërim perëndimor” të krishterë dhe duke e hedhur poshtë ngrohjen globale si një “kult klimatik”.
Demokratët ëndërrojnë se kulti i vërtetë ndodhet brenda Shtëpisë së Bardhë dhe se fundi i tij po afron. Megjithatë, ky mbetet një rrezik i madh, duke pasur parasysh aftësinë e provuar të “Donit prej Tefloni” për t’i shpëtuar gravitetit politik dhe për të përmbysur çdo parashikim, madje pikërisht atëherë kur të tjerët e quajnë të mbaruar./Pamfleti nga “The Intelligent Paper”
Lini një Përgjigje