Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, po përballet me presion politik për të adresuar një çështje të re që përfshin Partinë Laburiste, pas raportimeve për një fushatë diskreditimi ndaj gazetarëve.
Sipas raportimit të The Sunday Times, think tank-u “Labour Together” ka paguar 36 mijë paund në vitin 2023 kompanisë së marrëdhënieve me publikun Apco Worldwide për të hetuar disa gazetarë dhe për të identifikuar burimet e tyre. Hetimi lidhej me publikime mbi një skandal donacionesh në vlerë 700 mijë paund.
Në kohën kur u realizua pagesa, “Labour Together” drejtohej nga Josh Simons, i cili aktualisht mban postin e ministrit në Zyrën e Kabinetit. Raportimi i gazetës ka nxitur reagime nga opozita.
Partia Konservatore i ka dërguar një letër kryetares së Laburistëve, Anna Turley, duke kërkuar hetim mbi rolin e Simons në punësimin e Apco Worldwide. Konservatorët kanë kërkuar gjithashtu shqyrtimin e rolit të drejtuesve të tjerë të “Labour Together”, përfshirë ministra aktualë të kabinetit, si dhe sqarime nëse partia e konsideron ende të përshtatshme që deputetët laburistë të pranojnë financime nga ky think tank.
Kryetari i Partisë Konservatore, Kevin Hollinrake, deklaroi se Laburistët duhet të pezullojnë çdo bashkëpunim me “Labour Together” derisa të përfundojë një hetim i pavarur për të gjitha pretendimet.
Nga ana tjetër, kreu i SNP në Westminster, Stephen Flynn, i bëri thirrje kryeministrit të shkarkojë Simons nga detyra, duke e cilësuar atë “në qendër të këtij skandali”. Ndërsa përfaqësuesi i Reform UK, Nadhim Zahawi, ka ngritur pyetje nëse Starmer kishte dijeni për atë që ai e përshkroi si një “fushatë diskreditimi”.
Deri tani, zyra e kryeministrit nuk ka bërë një koment publik mbi këto pretendime.
Lini një Përgjigje