
Armenia i bashkohet shteteve që ëndërrojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Qeveria e Jerevanit ka miratuar një projekt-ligj që i bën thirrje vendit, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, të nisë një përpjekje për t'u bashkuar me bllokun.
Vitet e fundit kombi ka thelluar lidhjet me Perëndimin në kurriz të marrëdhënieve tradicionalisht të ngushta me Rusinë e Vladimir Putinit, e akuzuar për dështimin për ta mbrojtur atë nga rivali prej kohësh Azerbajxhani. Projektligji u hartua pas një peticioni të suksesshëm.
Kryeministri armen Nikol Pashinyan theksoi se publiku nuk duhet të presë një pranim të shpejtë dhe se në çdo rast do të kërkonte miratimin me referendum. “Në këtë fazë, para se të vendosim nëse do të mbajmë një referendum, duhet të hartojmë një udhërrëfyes dhe ta diskutojmë me Bashkimin Evropian”, nënvizoi kreu i qeverisë.
Parlamenti pritet të shqyrtojë projektligjin deri në fund të muajit.
Reagimi i Moskës
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov paralajmëroi se kombi nuk mund të bashkohet me BE-në ndërkohë që mbetet anëtar i Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, një bllok tregtar i disa vendeve post-sovjetike. Kjo nismë është "një e drejtë sovrane" e Armenisë, tha zëdhënësi, duke shtuar megjithatë se "është thjesht e pamundur të jesh hipotetikisht një anëtar" si i BE-së ashtu edhe i Bashkimit Ekonomik Euroaziatik të udhëhequr nga Moska.
Problemi i Azerbajxhanit
Çdo rrugë drejt anëtarësimit nuk do të jetë e lehtë. Vendi malor, pa dalje në det, me 2.7 milionë banorë nuk kufizohet me Bashkimin dhe ka qenë në konflikt me Azerbajxhanin, një nga furnizuesit kryesorë të gazit të shteteve evropiane, që nga fundi i viteve 1980.
Në vitin 2023, Azerbajxhani nisi një ofensivë të rrufeshme për të rimarrë kontrollin e Nagorno-Karabakut, një rajon i shkëputur që është drejtuar për më shumë se tre dekada nga shumica e tij armene me mbështetjen e Jerevanit, duke e detyruar popullsinë e tij të largohej. Këtë javë, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev tha se Armenia përbën një kërcënim "fashist" që duhej shkatërruar, në atë që Jerevani tha se mund të ishte një prelud për një konflikt të ri.
Armenia nuk do të ishte vendi i parë ish-sovjetik që do t'i bashkohej bllokut: tre shtete që dikur ishin pjesë e BRSS janë tashmë pjesë e tij: Estonia, Letonia dhe Lituania.
Lini një Përgjigje