
Izraeli tërhoqi ekipin e tij të negociatorëve nga Katari të shtunën, pasi arritën në një “rrugë qorre” në bisedime, sipas një deklarate nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Organizata terroriste Hamas nuk përmbushi pjesën e saj në marrëveshje, e cila përfshinte kthimin e të gjitha grave dhe fëmijëve të mbajtur peng, në përputhje me një listë të dërguar Hamasit dhe të miratuar prej tyre”, thuhet në deklaratë.
Negociatorët përfshinin agjencinë e inteligjencës izraelite Mossad.
Një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit u arrit me ndihmën e ndërmjetësimit të huaj dhe pati një pauzë shtatë-ditore në luftime, me lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të burgosurve palestinezë.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari u përqëndruan në lirimin e mundshëm të kategorive të reja të pengjeve izraelitë, përveç grave dhe fëmijëve, dhe parametrat e një armëpushimi, të cilat sipas një burimi anonim që ka folur me agjencinë e lajmeve Reuters ndryshonin nga marrëveshja e armëpushimit që mori fund të premten.
Palët kanë akuzuar njëra tjetrën për fundin e armëpushimit me Izraelin që thotë se Hamasi refuzoi të lirojë të gjitha gratë që mbante, ndërsa një zyrtar palestinez tha se mospajtimet u rritën për shkak se Hamasi refuzoi të lironte pjesëtaret gra të ushtrisë izraelite që janë marrë peng më 7 tetor.
Gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit Hamasi vrau 1200 njerëz dhe 240 të tjerë i morën peng. Të dhënat e Hamasit thonë se mbi 15 mijë palestinezë janë vrarë gjatë luftimeve që pasuan sulmin e 7 tetorit.
Pauza filloi më 24 nëntor dhe u rinovua dy herë përpara se të përfundonte të premten në mëngjes. Pas përfundimit të pauzës humanitare, operacionet e Izraelit kanë filluar në mënyrë intensive dhe kanë vrarë mbi 200 persona.
Lini një Përgjigje