
Burimet e brendshme kanë frikë se një përshkallëzim i mëtejshëm do të nxisë hakmarrjen iraniane kundër infrastrukturës së tyre jetike, gjë që mund t’i bënte të pajetueshme vendet e Gjirit Persik...
Mungesa e një strategjie të qartë dhe injorimi i paralajmërimeve të aleatëve po detyron shtetet arabe të rishikojnë varësinë e tyre nga mbrojtja amerikane. Të tmerruar nga një luftë pa një plan daljeje, liderët e rajonit po kërkojnë alternativa për të siguruar mbijetesën e tyre, duke e lënë Uashingtonin gjithnjë e më të izoluar në konfliktin me Iranin.
Kërcënimet e Donald Trump-it për përshkallëzim dhe mungesa e një strategjie për luftën e tij ndaj Iranit kanë “tmerruar plotësisht” aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme, të cilët i druhen faktit se ai nuk ka asnjë plan të vërtetë daljeje nga ky konflikt.
Matthew Chance, korrespondenti kryesor i CNN për çështjet globale, tha për “The i Paper” se burime brenda vendeve të Gjirit shohin shumë pak opsione të mira të mbetura për Trump-in që t’i japë fund luftës së tij.
Burimet e brendshme kanë frikë se një përshkallëzim i mëtejshëm do të nxisë hakmarrjen iraniane kundër infrastrukturës së tyre jetike, gjë që mund t’i bënte të pajetueshme vendet e Gjirit Persik. Njëkohësisht, ata e dinë se nëse Trump e ndërpret papritur luftën e tij, mund të braktisen përballë një Irani hakmarrës dhe edhe më luftarak.
Mbrëmjen e kaluar, Trump pretendoi se “objektivat e tij strategjike” ishin drejt arritjes, edhe pse kërcënoi se do ta bombardonte Iranin “deri në epokën e gurit”, duke shtuar se konflikti mund të zgjasë edhe 2-3 javë të tjera. Ndërsa i bën thirrje Iranit të pranojë një armëpushim, Trump ka dërguar mijëra trupa në Lindjen e Mesme, duke shtuar frikën se po përgatitet për një operacion tokësor.
Chance, i cili aktualisht ndodhet në Katar dhe ka raportuar mbi konfliktet kryesore botërore për më shumë se 20 vjet, thotë se ka biseduar me zyrtarë të qeverisë katariane, si dhe me njerëz të thjeshtë në rrugë.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit i tha gazetarit se “qeveria është absolutisht kundër një zbarkimi të trupave amerikane në Iran”. Chance u shpreh se mundësia e përshkallëzimit “e tmerron tërësisht” Katarin, një qëndrim ky që sipas tij ndahet nga shumë shtete të Gjirit Persik.
Përshkallëzimi i mëtejshëm do të ishte ekzistencialisht i rrezikshëm për ekonominë e një vendi si Katari. “Nëse nuk rifillon së shpejti eksportet e naftës dhe gazit, ai do të gjendet në një pozicion të rëndë nga pikëpamja ekonomike. Kjo sepse po humbet miliarda dollarë në ditë”, thekson Chance.
Katari dëshiron t’i kthehet punës si normalisht, edhe nëse kjo nënkupton përballjen me një Iran të paqëndrueshëm që kontrollon Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesta e naftës dhe gazit në botë.
Megjithatë, korrespondenti i CNN vë në dukje se ka mendime të ndryshme mbi luftën brenda Gjirit. “Shtetet e Gjirit nuk flasin domosdoshmërisht me një zë të vetëm, veçanërisht për çështjen e Iranit. Ka shtete si Arabia Saudite, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë shumë më të rrepta në qëndrimin e tyre ndaj Iranit sesa vende si Katari dhe Omani, të cilët mbajnë një qëndrim më të butë”, shprehet ai.
Sipas Chance, disa shtete të Gjirit i kanë shprehur Uashingtonit mendimin se “pasi ke nisur t’ia bësh këtë Iranit, bën mirë të mos i lësh ata në një pozicion ku mund ta përsëritin këtë gjë”.
Gjithsesi, Trump mbetet një personazh shumë i paparashikueshëm. Duke parë se si ka vepruar në dy mandate si president i SHBA-së, ai mund të ndryshojë qëndrim nesër, t’i japë fund kësaj lufte dhe të largohet nga rajoni. Chance mendon se të gjithë po ndërgjegjësohen se nëse kjo luftë përfundon nesër, do të linte pas një shkallë të lartë kaosi.
“Do të mbetemi me një Iran luftarak, që ka ndoshta ende një lloj programi bërthamor, raketa balistike dhe që tani kontrollon edhe Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët ujore më të rëndësishme në botë. Ky është një pozicion strategjik shumë më i keq se para fillimit të luftës dhe mund të jetë potencialisht një dështim strategjik për administratën Trump”, nënvizon gazetari.
Megjithatë, ai pohoi se në disa mënyra, ky është skenari më i mirë, sepse alternativa është që kjo luftë të përshkallëzohet. Ndërkaq, Chance ngriti pikëpyetje mbi atë që do të arrinte prania e forcave tokësore amerikane nëse ato do të përdoreshin për të marrë objektiva si Ishulli Kharg, një port detar përgjegjës për eksportimin e deri në 90 për qind të produkteve të naftës së Iranit.
Kjo do t’i vendoste trupat amerikane përballë një rreziku shumë të madh, ndërsa ka edhe mënyra të tjera për ta ndaluar Iranin të shesë naftë. Ndërkohë që qeveria në Doha po përpiqet me çdo kusht të gjejë një zgjidhje diplomatike, populli i Katarit është i zemëruar për luftën. Chance thotë se njerëzit me të cilët kishte folur janë shumë kritikë ndaj kësaj lufte. Ata e quajnë “lufta e Benjamin Netanyahut” dhe thonë se presidenti i SHBA-së u bind nga kryeministri izraelit për të ndërmarrë këtë aventurë ushtarake, sepse kjo i shërbente atij dhe askujt tjetër.
Vendimi i Trump-it për të hyrë në luftë kundër vullnetit të Gjirit po nxit një rishikim të marrëdhënieve të këtyre kombeve me Shtetet e Bashkuara. Chance thotë se pavarësisht se në Katar gjenden baza të mëdha ushtarake amerikane, kjo nuk e ka mbrojtur këtë vend nga sulmet e Iranit, përkundrazi i ka kthyer në objektiva.
Gazetari shton se marrëdhëniet janë tensionuar paksa nga fakti se, pavarësisht paralajmërimeve të tyre, presidenti Trump vazhdoi planet e tij dhe në thelb i injoroi ata. Që nga ajo kohë, ata janë përpjekur ta bindin Trump-in të qëndronte larg sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe impianteve të shkripëzimit (desalinimit) në Iran, nga frika se Republika Islamike mund të bënte të njëjtën gjë ndaj Katarit.
Ai pohoi se kjo do të shkaktonte një “krizë humanitare” në Katar dhe do ta bënte atë të pajetueshëm, diçka që nuk vlerësohej plotësisht nga Uashingtoni. Kjo krizë përbën një kërcënim ekzistencial për shtetet arabe të Gjirit.
“Këto shtete po i vëzhgojnë me vëmendje marrëdhëniet ushtarake me SHBA-në dhe po pyesin veten nëse kjo është struktura e duhur për të ardhmen. Askush nuk do të largohet nga një aleancë me Amerikën, por ata mund t'i diversifikojnë marrëveshjet e tyre si një lloj sigurimi”, thekson korrespondenti i CNN.
Sipas Chance, Trump nuk ka më asnjë opsion të mirë për të fituar luftën. Ai ose mund të përshkallëzojë situatën me dislokimin e mijëra trupave amerikane, ose mund të bëjë lëshime, të largohet dhe të deklarojë fitoren, por ta lërë Iranin strategjikisht më të fuqishëm se para luftës.
“Është një zgjedhje e tmerrshme, sepse nuk ka asnjë rezultat të mirë që vjen nga asnjëra prej këtyre rrugëve”, thotë Chance, duke shtuar se kjo po ndodh pjesërisht sepse ai hyri në këtë luftë pa një ide të qartë se çfarë donte të arrinte.
Ndërsa lufta vazhdon, konflikti ka zhytur tregjet globale në kaos. “Ne jemi vetëm në fillim të kësaj krize për sa i përket furnizimit me energji, dhe tashmë ka një tronditje të madhe në Azi. Nëse kjo krizë nuk adresohet sa më shpejt, do të shkojmë me siguri drejt një recesioni ekonomik global”, përfundon Matthew Chance./Përshtati "Pamfleti" nga “The i Paper”
Lini një Përgjigje