
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është përgjigjur negativisht kur është pyetur nëse po shqyrton mundësinë e kandidimit për një mandat të tretë presidencial, një veprim që, sipas ekspertëve, është i ndaluar nga Kushtetuta e SHBA-së.
“Do të jem president për 8 vjet, do të jem president për dy mandate. Gjithmonë kam menduar se kjo ishte shumë e rëndësishme”, tha Trump në emisionin “Meet the Press” të NBC-së me Kristen Welker, në një intervistë që do të transmetohet të dielën.
Trump më parë ka thënë se "nuk po bënte shaka" kur tha se dëshiron të shërbejë edhe për një mandat të tretë apo edhe të katërt si president i SHBA-së.
Më vonë ai tha se deklaratat e tij kishin për qëllim të vinin në lojë "median e rreme".
Kompania e tij, The Trump Organization, po shet kapele me sloganin "Trump 2028", duke nxitur spekulime se ai mund të kërkojë të qëndrojë në pushtet pasi të përfundojë mandati i tij i dytë në janar 2029.
Në intervistën e regjistruar nga rezidenca e tij në Florida, Trump tha se ka marrë shumë "kërkesa" nga njerëz që i kërkojnë të marrë në konsideratë qëndrimin në detyrë.
"Shumë njerëz duan që unë ta bëj këtë", tha Trump, disa ditë pasi festoi 100 ditët e para të mandatit të tij të dytë.
"Për aq sa di unë, kjo është diçka që nuk të lejohet ta bësh. Nuk e di nëse është kushtetuese që ata nuk të lejojnë ta bësh këtë apo diçka të tillë," tha Trump.
Ai shtoi se "ka shumë njerëz që shesin kapelen e vitit 2028".
“Por kjo nuk është diçka që kam ndërmend ta bëj”, tha ai, duke përmendur më pas disa republikanë që mund ta zëvendësojnë, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio.
"Mendoj se katër vjet janë kohë e mjaftueshme për të bërë diçka vërtet spektakolare", shtoi ai.
Neni 22 i Kushtetutës thotë se "askush nuk mund të zgjidhet President më shumë se dy herë".
Ndryshimi i Kushtetutës do të kërkonte miratimin e dy të tretave të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe miratimin e tre të katërtave të qeverive shtetërore të vendit.
Megjithatë, disa mbështetës të Trump argumentojnë se ekziston një boshllëk në Kushtetutë që nuk është testuar në gjykata.
Kur u pyet nga NBC nëse dikush i është drejtuar me këto teori, Trump shmangu përgjigjen, duke thënë se "si një mbështetës i madh, shumë njerëz kanë thënë gjëra të ndryshme".
Gjatë intervistës, Trump hodhi poshtë gjithashtu kritikat për mënyrën se si po e trajton ekonominë.
"Shiko, po, gjithçka është në rregull", tha ai pas trazirave që shkaktoi plani i tij tarifor në ekonomitë ndërkombëtare, duke bërë që ekonomia amerikane të tkurret për herë të parë që nga viti 2022.
"Thashë se kjo është një periudhë kalimtare. Mendoj se do të ia dalim në mënyrë fantastike", shtoi ai.
Kur u pyet nëse ekonomia amerikane mund të vazhdonte të tkurrej, ai u përgjigj: "Çdo gjë mund të ndodhë. Por mendoj se do të kemi ekonominë më të mirë në historinë e vendit tonë."
Lini një Përgjigje