TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Maj 2025, 14:53

Sulme vetëvrasëse: Arma e re e Rusisë kundër Ukrainës, nuk kursehen as fëmijët

Shkruar nga Michael Weiss & James Rushton

Sulme vetëvrasëse: Arma e re e Rusisë kundër Ukrainës,

Shërbimet e inteligjencës së Moskës po rekrutojnë civilë të pafajshëm, përfshirë të rinjtë dhe gratë për misione vetëvrasëse.

Pak pas orës 14:00 në ditën e Shën Valentinit të këtij viti, një grua në moshë të mesme, e veshur me një pallto të kuqe, iu afrua një grupi ushtarësh ukrainas që po qëndronin para një kafeneje në qytetin Mykolaiv.

Ushtarët, që sapo po mbaronin pushimin e drekës, po qëndronin në grup duke biseduar, dhe me sa duket nuk i kushtuan shumë vëmendje gruas që uli në tokë çantën që mbante me vete. Brenda disa sekondash, bomba e fshehur brenda çantës shpërtheu, duke e vrarë menjëherë atë dhe 3 nga ushtarët ukrainas.

Ndërsa ndihma e parë mbërriti menjëherë në vendngjarje, një fushatë e koordinuar mesazhesh filloi në të gjithë mediat ruse, përfshirë gazetën shtetërore “Izvestia”. U pretendua se shpërthimi ishte hakmarrja e një nëne të dëshpëruar nga pikëllimi i humbjes së djalit të saj të vetëm në luftë, pasi ai u mobilizua me forcë nga autoritetet ukrainase.

Ushtarët që u vranë, shtoi fushata e mesazheve propagandistike, ishin rekrutues të ushtarëve të rinj. Siç ndodh me shumicën e operacioneve ruse të ndikimit, asgjë nga ato që u thanë nuk ishte e vërtetë. Ushtarët e vrarë nuk punonin në ndonjë zyrë rekrutimi. Ata ishin që gjithë anëtarë të korpusit të çminimit të ushtrisë ukrainase.

Autorja e sulmit, një nënë 42-vjeçare nga qyteti Horishni Plavni në rajonin e Polltavës, e kishte lënë foshnjën e saj në një konvikt aty pranë, kur u nis për në atë që u bë një mision vetëvrasës me bombë. E rekrutuar përmes platformës së mediave sociale Telegram, e cila pavarësisht pronësisë së saj ruse, është ende shumë e përdorur në Ukrainë, ajo nuk ishte në dijeni të ngarkesës së saj vdekjeprurëse.

Kontakti i saj, një agjent i shërbimit sekret rus i tha asaj se do të çonte një sasi të madhe parash në një vend të caktuar. Bomba ishte përgatitur nga një grup adoleshentësh, midis 14-17 vjeç, po ashtu nga rajoni i Polltavës. Ata e kishin ndërtuar pajisjen sipas udhëzimeve të trajnerëve të tyre rusë, dhe ia kishin dorëzuar gruas që nuk dyshonte për asgjë.

Inteligjenca ruse e ndoqi gruan derisa mbërriti në vendin e synuar, dhe më pas e shpërtheu pakon nga distanca. Gati një muaj më vonë, në një mbrëmje marsi, dy adoleshentë, njëri 15 vjeç dhe tjetri 17 vjeç, po ecnin pranë stacionit hekurudhor në qytetin Ivano-Frankivsk, në një pjesë të Ukrainës Perëndimore që kryesisht është kursyer nga sulmet ruse, kur shpërthyen eksplozivët e improvizuar që kishin me vete.

Më i madhi nga të dy u vra menjëherë. Shoku i tij më i vogël u shtrua në spital me plagë të rënda. Pajisja që kishin me vete, të cilën e kishin montuar nën mbikëqyrjen e trajnerëve të tyre rusë, ishte e pajisur me gjurmim përmes GPS dhe për shpërthim në distancë, siç ndodhi me bombën në Mykolaiv.

Ndërsa dy adoleshentët po ecnin pranë objektivit të tyre, trajnerët e tyre rusë, të cilët fillimisht i kishin rekrutuar me premtimin e fitimit të “parave të lehta” duke ndërtuar dhe çuar bombën në vendin e duhur, nuk e kishin kuptuar se do të ishin pjesë e masakrës.

Këto sulme, janë vetëm shembujt më të fundit të një taktike, e cila po përdoret gjithnjë e më shumë nga shërbimet sekrete ruse në Ukrainë, e cila të kujton veprimet më të tmerrshme të grupeve militante: shndërrimin në armë njerëzore të civilëve naivë ose të dëshpëruar.

“Këto janë taktika të ngjashme me Al Kaedën dhe ISIS-in. Tani për rusët, nuk ka kufizime në atë që do të bëjnë ndaj kundërshtarëve”, thotë Ed Bogan, një ish-oficer i CIA-s me përvojë të gjerë mbi çështjet e Rusisë dhe grupeve terroriste islamike.

“Shërbimet sekrete ruse, i konsiderojnë njerëz të tillë si asete njëpërdorimshe, nuk shqetësohen asnjëherë për ta. Adoleshentët dhe të rinjtë janë më të lehtë për t’u rekrutuar për veprime të tilla, sepse e cilësojnë si një lloj loje atë që u kërkohet”, tha një oficer i inteligjencës ukrainase për New Lines.

Kjo taktikë e tmerrshme, është kaq shumë e përhapur saqë SBU-ja, shërbimi i sigurisë së brendshme të Ukrainës dhe policia, kanë krye vizita nëpër shkolla dhe u kanë dhënë leksione studentëve ukrainas mbi rreziqet e rekrutimit nga të huajt nën sloganin “Digjni oficerin e FSB-së”.

“Si ta kuptoni se po përpiqen t'ju përdorin?” - pyeti kohët e fundit zëdhënësja e Policisë Kombëtare, Yulia Girdvilis, një klasë nxënësish në Kiev. “Për shembull, një i huaj ju shkruan në mediat sociale dhe ju ofron ‘para të lehta’ për kryerjen e një detyre të thjeshtë. Ata ju lënë të kuptohet se ‘nuk është e frikshme, se nuk do të ndodhë’ asgjë e keqe. Po ashtu, agjentët rusë mund të përdorin kërcënime ose shantazhe. Dhe detyrat mund të jenë zjarrvënia, fotografimi i objekteve me rëndësi, transmetimi i informacionit apo edhe sulme terroriste”, theksoi ajo.  

Sulme të tilla, kanë ndodhur në të gjithë Ukrainën. Më 1 shkurt, një 21-vjeçar i papunë nga Zhytomyr, futi një pajisje shpërthyese në një zyrë rekrutimi në qytetin perëndimor Rivne. Trajnerët e tij rusë e monitoruan nëpërmjet një transmetimi të drejtpërdrejtë nga telefoni i tij celular, pastaj e shpërthyen ngarkesën e tij, duke e vrarë menjëherë.

Katër ditë më vonë, më 5 shkurt, një burrë çoi një pako në një qendër rekrutimi në Kamianets-Podilskyi. Sapo ua dorëzoi ushtarëve ukrainas në pikën e kontrollit të sigurisë jashtë, ajo shpërtheu, duke vrarë vetën dhe plagosur 4 të tjerë.

Në një incident veçanërisht të tmerrshëm, një nxënëse 14-vjeçare në Ternopil u kontaktua në Telegram nga rekrutues rusë duke i ofruar para. Pasi u vendos kontakti fillestar dhe nxënësja refuzoi të ndiqte planin, agjentët rusë i hakuan telefonin për ta detyruar të bashkëpunonte, duke e kërcënuar se do të publikonin në internet fotot e saj intime.

Ajo iu bind, ndërtoi një pajisje shpërthyese të improvizuar sipas udhëzimeve dhe u përpoq ta linte atë pranë një stacioni lokal të policisë, por u ndalua në kohë nga shërbimet ukrainase të sigurisë ukrainase. “Është një taktikë shumë e ligë dhe tinëzare, por fatkeqësisht shumë efektive”- tha për New Lines, Liubov Tsybulska, ekspert ukrainas në luftën hibride ruse, duke i krahasuar metodat me ato të përdorura nga grupet e dhunshme islamike që godasin Perëndimin.

Autoritetet ukrainase besojnë se zgjedhja e objektivave - objektet ushtarake dhe qendrat e rekrutimit - synon pjesërisht të shfrytëzuar tensionet ekzistuese në Ukrainën e kohës së luftës,

ku rekrutuesit ushtarakë përballen shpesh me kritika të mëdha, madje edhe nga ukrainasit patriotë, për qasjet e tyre të ashpra për të siguruar rekrutimin e burrave në moshën e përcaktuar.

Sipas ligjit ushtarak, burrat ukrainas të moshës 18-60 vjeç konsiderohen të kualifikuar për shërbim ushtarak dhe u ndalohet të largohen nga vendi, ndërsa ata midis 25 dhe 60 vjeç i nënshtrohen aktivisht mobilizimit. Por përpjekjet e Moskës ruse për të thelluar tensionet ekzistuese në shoqëri nëpërmjet masave aktive të nxitura nga Telegrami, nuk kufizohen vetëm në Ukrainë.

Në Britani, kanalet Telegram të lidhura me Rusinë, u përpoqën të nxisnin sulme zjarrvënëse në xhami dhe shkrimin e parullave raciste nëpër vende publike. Sulme të tilla shpërbleheshin me kriptomonedha. Qeveria britanike po i merr seriozisht kërcënime të tilla.

Kreu i MI5, Ken Mçallum, paralajmëroi në tetor 2024 se agjencia e inteligjencës ushtarake ruse, GRU, ishte në një mision për të shkaktuar “kaos të vazhdueshëm në rrugët britanike dhe evropiane”.

Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, shërbimet sekrete ruse dhe përfaqësuesit e saj të ndryshëm kanë shkaktuar të paktën 59 incidente, duke filluar nga tentativat për vrasje, sulme kibernetike, zjarrvënie ose akte vandalizmi, veçanërisht në vendet ku prodhohen ose grumbullohen materiale të destinuara për Ukrainën.

Nisu nga situata, një fushatë mbarëkombëtare po zhvillohet në shkolla nga Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës në shkolla, duke i paralajmëruar fëmijët mbi rrezikun e akteve të tilla nga rusët, duke i lutur ata që të raportojnë tek autoritetet ukrainase çdo qasje të tillë./ Përshtati "Pamfleti" nga "New Lines Magazine"

Lini një Përgjigje